Bota

Bomba nga qielli dhe sulme “kirurgjike”. Kështu lufta ndryshoi drejtim

Screen Shot 2016-03-15 at 09.19.26

Në rrugën që të shpie nga Damasku në Aleppo, një rrugë jetike edhe pse domosdoshmërisht dredha-dredha, për të shmangur zonat nën kontrollin e xhihadistëve, është e kollajtë të ndeshësh në karvanët rusë. Udhëtojnë të kapur pas blindave shumë moderne APC për transportin e trupave, që nga mjetet e shoqërimit deri tek tanket T72 të rimodernizuar. Natyrisht, njihen nga gërmat somatike, por edhe prej asaj pamjeje prej fitimtarësh të kapardisur, që zënë qendrën e rrugës me mjetet e tyre të zhurmshme. Nuk ka dyshim që, nëse lufta siriane ka pësuar një kthesë në favor të regjimit, kjo është për meritë të tyre.

Për të kuptuar nëse Putini ka të drejtë kur e shpall të përmbushur misionin që kishte caktuar, duhet të kujtojmë se cila ishte panorama e situatës ushtarake në prag të 30 shtatorit të vitit që kaloi. Thjeshtë ushtria siriane po shkrihej, e dobësuar prej humbjeve (afro 60 mijë ushtarë të rënë në betejë nga fillimi i luftës) dhe nga dezertimet.

BASTIONI NE RREZIK

Për herë të parë edhe bastioni i alavitëve, pakica heterodokse shiita të cilës i përket vetë familja e Asadit, e përqëndruar në rrafshnaltën që dominon Latakian dhe Tartusin, ishte shfaqur në rrezik. Rebelët, që përfitonin nga afërsia e kufirit turk për t’u furnizuar me mjete dhe trupa, kishin pushtuar madje një pozicion mbi det, praktikisht në dyert e Latakias.

VERIU I RREZIKUAR

Më në veri, një prej qyteteve kryesorë të Sirisë, Idlib, kishte rënë në duart  një sërë grupesh, Jaysh al Fatah (Armata e Pushtimit), dominuar prej filialit sirian të al Kaedës, Jabhat al Nusra (Fronti i shpëtimit të popullit sirian) dhe prej aty xhihadistët kishin shtrirë kontrollin në autostradën kombëtare Damask-Homs.

KOALICIONI PRO ASADIT

E qartë që në një situatë të tillë, forcave ruse u duhej të përqëndronin energjitë e tyre së pari në rajonin bregdetar, Latakia dhe Tartus, ku Moska ka prej dekadash një bazë të marinës dhe ku brenda pak ditësh, do të përgatitej baza ajrore e Hmeimeemit, dhe më pas në veriperëndim të Sirisë. Kështu, duke goditur bazat e rebelëve në mënyrë të pamëshirshme dhe duke u shkaktuar humbje shumë të rënda, por edhe duke shkaktuar viktima në civilë, përparimi i grupeve të armatosur rebele u ndalua. Dhe ushtria siriane rifitoi besimin tek vetja. Mbi të gjitha fronti pro Asadit, i formuar nga ushtria e mbetur benike ndaj Raisit, nga Hezbollahu libanez, nga pashdaranët iranianë dhe nga shiitët irakenë, nisi të marrë shijen e fitores, falë mbështetjes së aviacionit të Moskës. Putini u tregua i shkathët të vërë në lëvizje këtë Aleancë të shenjtë kundër forcave anti-Asad, të përfaqësuara nga Turqia, Arabia Saudite, Emiratet dhe SHBA, të cilët i bënte bashkë projekti i tyre i dështuar për rrëzimin e Asadit nga pushteti.

BETEJA E ALEPOS

E nisur si betejë për të çliruar korridorin e Azazit, rruga kryesore e furnizimeve dhe komunikimit mes rebelëve që zënë pjesën lindore të Alepos dhe kufirit turk, shumë shpejt u kuptua se përplasja ishte në të vërtetë për fatin e qytetit më të madh dhe më të pasur të Sirisë. Një fat që mbetet ende i pasigurtë, duke qenë se një e treta e Alepos është ende në duart e grupeve rebele. Por infrastruktura të rëndësishme, si centrali termik dhe aeroporti janë tashmë në duar të qeveritarëve, dhe mbi të gjitha është rivendosur lidhja mes Alepos dhe Damaskut, edhe pse autostrada ndërkombëtare nuk është ende e kalueshme. Eshtë e vështirë të imagjinosh se si mund të kish qenë e mundur kjo, pa mbështetjen e forcave ruse.

E PANJOHURA E PALMIRES

Duhet parë se deri në çfarë mase, tërheqja e urdhëruar nga Putini do të përjashtojë mundësinë e operacioneve të mundshëm në terren në të ardhmen. Deri pak ditë më parë, në Siri flitej për një operacion të madh për dëbimin e xhihadistëve nga Palmira, thesari arkeologjik pjesërisht i shkatërruar. A është e mundur që Putini të dojë të heqë dorë nga ky moment lavdie?/ Repubblica – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button