Bota

BREXIT / Pse modeli zviceran nuk do të funksiononte për Mbretërinë e Bashkuar

Kampi pro-Brexit, është duke përmendur Zvicrën dhe Norvegjinë si modele për mënyrën se si Britania mund të përfitojë nga tregu i përbashkët evropian, pa qenë anëtare e BE-së. Por ekspertët thonë se këto perspektiva janë thjesht “fantazi”.

Screen Shot 2016-06-15 at 08.54.00

Nga Christian Teevs

Për Najxhëll Fareixh, situata është e thjeshtë. “Popujt e Norvegjisë (dhe) Zvicrës… janë të lumtur”- thotë kreu i Partisë së Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP). “Këto vende kanë marrëveshjet e tyre me BE-në, për të ruajtur llojin e marrëdhënies tregtare që ato duan”. Kjo është një standarde e linjës së Fareixhit. Partia e tij, së bashku me shumë njerëz në Partinë Konservatore, janë duke bërë thirrje që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian. Ata duan Brexit.

Në 23 qershor, britanikët do të shprehen me votë mbi këtë çështje, dhe sondazhet e deri tanishme tregojnë se ky skenar është shumë i afërt. Qeveria e Dejvid Kameron është duke paralajmëruar humbje të mëdha ekonomike, nëse elektorati vendos të lërë unionin. Kundërshtarët e tij thonë se një diskurs i tillë nuk është gje tjetër veçse një alarmizëm i kotë.

Zvicra dhe Norvegjia, thonë ata, nuk janë në BE – dhe të dyja vendet janë duke performuar mirë ekonomikisht. Në fillesë, argumenti duket intrigues. A do të jetë e mundur për britanikët, të cilët e kanë tashmë një status të veçantë, kur bëhet fjalë për shumë nga aspektet e BE-së, të përsosin gjendjen e tyre dhe të shndrrohen në një lloj Zvicre por me armë bërthamore?

Me fjalë të tjera, a mund të jetë Britania pjesë e Evropës si ekonomikisht ashtu edhe ushtarakisht, por pa burokracinë dhe rregullat e Brukselit? Sado joshëse që mund të tingëllojë kjo për shumë votues britanikë, një rezultat i tillë është një iluzion:Brexiteers janë njerëz të mashtruar. As modeli norvegjez dhe as ai zvicaran, nuk është sadopak real për Britaninë.

Kjo mund të dëshmohet drejtpërsëdrejti kur është fjala për Norvegjinë. Vendi ka refuzuar dy herë perspektivën e anëtarësimit në BE, dhe ka qenë ndërkohë pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) që nga viti 1994. EEA e themeluar po atë vit, i mundëson anëtarëve të saj qasjen në një tregun e përbashkët të 500 milionë konsumatorëve.

Por, kur evokojnë Norvegjinë, mbështetësit e Brexit refuzojnë të përmendin çmimin që Oslo duhet të paguajë për të hyrë në tregun e përbashkët:Anëtarët e EAA janë të detyruar të derdhin një detyrim financiar në Fondin e Kohezionit Evropian, i cili kompenson pabarazitë sociale brenda BE-së. Norvegjia gjithashtu merr pjesë në një varg programesh të tjera të BE-së, dhe paguan të njëjtën sasi parash ashtu si edhe shtetet anëtare.

Sidoqoftë, kjo shumë shkon deri në mbi 850 milionë euro në vit. Nëse merret parasysh se sa para merr aktualisht nga BE-ja Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia paguan pothuajse të njëjtën sasi për frymë si Britania. Për më tepër, Norvegjia duhet t’i përmbahet udhëzimeve të panumërta të BE-së, si lëvizja e lirë e punëtorëve, pa pasur një zë në institucionet e BE-së.

Nëse Britania vendos të largohet nga BE-ja dhe bashkohet me EEA-në, vendi do të vazhdojë të paguajë para dhe pranojë udhëzime nga Brukseli – por s’do të ketë më mundësinë të jetë pjesë e negociatave që formësojnë tregun evropian. “Britanikët do të humbasin ndikimin e tyre në BE, por do të duhet të ndjekin sërish të gjitha rregullat”- thotë Denis Snouer, kreu i Institutit të Ekonomisë Botërore në Kiel. Me origjinë nga SHBA, Snouer jeton dhe punon në Londër prej rreth 20 vjetësh, dhe ai e përshkruan si “të frikshëm irracionalitetin ekonomik të avokatëve të Brexit”.

Zvicra: Një tjetër iluzion

Snouer gjithashtu e cilëson referencën ndaj modelit zviceran një ‘fantazi’, e cila është krejtësisht joreale, dhe e sheh strategjinë që mendohet të ndiqet nga Brexiteers si më tepër emocionale sesa të bazuar tek faktet. Zvicra nuk është anëtare e EEA-së, por ajo ka negociuar mbi 150 marrëveshje dypalëshe me BE-në gjatë 25 viteve të fundit apo më shumë.

Për rrjedhojë, zviceranët mund të përfitojnë shumë nga tregtia e lirë e BE-së – por jo, për shembull, kur bëhet fjalë për shërbimet financiare. Ky do të qe një problem i rëndësishëm për Britaninë:Sektori financiar është shumë i rëndësishëm për ekonominë britanike. Dhe Zvicra gjithashtu miraton vazhdimisht rregulloret evropiane për të siguruar pajtueshmërinë me BE-në, por njësoj si Norvegjia, nuk ka rol në krijimin e tyre.

Sipas Stefen Brajtënmozer, ekspert për të drejtën europiane në Universitetin e Bazelit, statusi i Zvicrës vështirë se do të jetë i mjaftueshëm për britanikët. Përveç kësaj, thotë ai, është shumë e vështirë për të arritur marrëveshje dypalëshe me BE-në. “Sa më e veçantë fusha, aq më e komplikuar bëhet situata”- thotë Brajtënmozer. Ideja që Britania do të ketë statusin e Zvicrës brenda dy vjetësh nga braktisja e unionit – koha më e shkurtër që do të duhej që Brexit të bëhej realitet – është e vështirë të imagjinohet.

Kjo është veçanërisht e vërtetë qëkur BE-ja do të kishte pak arsye për t’u bërë lëshime të ngjashme Britanikëve, sesa kombin më të vogël të Zvicrës. Një shembull:Marrëveshjet e Zvicrës me BE-në mbi lirinë e lëvizjes së punëtorëve janë statike. Para 1 korrikut 1995, zviceranët miratuan të gjitha rregulloret e BE-së që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Por atyre nuk u kërkohet të miratojnë automatikisht të gjitha rregulloret e BE-së për lirinë e lëvizjes, që janë miratuar prej atij momenti e tutje.

Përkundrazi, ata qenë në gjendje të negocionin me Brukselin, se cilën rregullore do të pranonin. E ardhmja e këtij statusi të veçantë është aktualisht në pikëpyetje, për shkak se Zvicra po kërkon të miratojë një tavan vjetor për numrin e emigrantëve që është e gatshme të pranojë. “Marrëveshjet statike, vështirë se kanë më kuptim për BE-në, për shkak të ndryshimit të shpejtë të ligjeve”- thotë eksperti ligjor europian Brajtënmozer. Ai beson se është e pamendueshme që Brukseli të nënshkruajë një marrëveshje të tillë me Britaninë. Nëse kjo është e vërtetë, mbetet për t’u parë. Gjithësesi, e qartë është se britanikët s’mund të kenë gjithçka. Nuk do të jetë e mundur për Mbretërinë e Bashkuar t’i kthejë politikisht shpinën BE-së, ndërsa të vazhdojë të ruajë ende të gjitha avantazhet ekonomike të tregut të përbashkët.

“Der Spiegel” – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button