Bota

Brexit: Udhëkryqi për Mbretërinë e Bashkuar

Pasojat, qoftë nëse qëndron apo nëse largohet nga Bashkimi Europian, janë të shumta edhe në frontin energjetik. Kompanitë e naftës kanë frikë se një dalje nga Bashkimi Europian mund të kompromentojë investimet në sektorin energjitik britanik

Screen Shot 2016-06-12 at 08.26.14

Pas pak ditësh, saktësisht me 23 qershor, Mbretëria e Bashkuar do të thirret për të votuar në një referendum për të vendosur nëse qëndron apo largohet nga Bashkimi Europian. Ka mundësi të bëhet fjalë për një prej votimeve më të rëndësishme të bëra ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e fundit dhe jo vetëm për britanikët, po të kihen parasysh reperkusionet që një dalje nga Bashkimi Europian – e ashtuquajtura “Brexit” – mund të ushtrojë ndaj vetë Bashkimit Europian, ndaj tregjeve financiare e valutore të të gjithë botës, ndaj shkëmbimeve tregëtare dhe ndaj flukseve migratore. Referendumi po e përçan edhe Partinë Konservatore në qeverisje të vendit, me ministrat e kabinetit, anëtarët e Parlamentit dhe aktivistët lokalë që sfidohen haptazi njëri me tjetrin, duke u shprehur me zjarr pro dhe kundër braktisjes së Bashkimit Europian. Edhe me t’u dhënë rezultati final – dhe do të dukej se fushata për të “qëndruar” e ka tejkaluar atë rivale për të “dalë’, pavarësisht se nuk ka asgjë të qartë në atë që premton të jetë një referendum fuqimisht emotiv – Partia Konservatore do të mbesë e ndarë dhe e përçarë për muaj apo deri edhe vite më pas.

Çfarë do të ndodhte në sektorin energjetik

Një situatë absolutisht evidente në vetë Ministrinë e Energjisë. Amber Rudd, Sekretare Shteti për Energjinë dhe Ndryshimet Klimaterike, është shprehur qartë në favor të një qëndrimi të Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian, duke mbështetur Kryeministrin David Cameron dhe Kancelarin e Skakierës George Osborne, që kanë paralajmëruar fort lidhur me një dëm të rëndë dhe jetëgjatë që një dalje eventuale mund t’i shkaktojë ekonomisë britanike, të ardhurave të familjeve dhe çmimeve të imobiliareve, duke kompromentuar ndërkohë pozicionin e Mbretërisë së Bashkuar në kontekstin botëror. Në rastin specifik të energjisë dhe të rolit vendimtar të saj për ekonominë britanike, Rudd ka deklaruar se një Brexit mund t’i japë një “shok elektrik” tregut energjetik kombëtar, duke shkaktuar një rritje të faturave me 500 milion paund në vit. Është dashur pak kohë që numri 2 i Departamentit, Ministrja e Energjisë Andrea Leadsom – në favor të një daljeje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian dhe anëtare e komitetit për fushatën “Vote Leave” – t’i hedhë poshtë me ashpërsi fjalët e eprorit së saj. Sipas Leadsom, qëndrimi në Bashkimin Europian ka “rrisqe të forta” ndërsa dalja nuk do t’i kompromentonte objektivat kryesorë energjetikë të vendit. Përkundrazi, qëndrimi në Bashkimin Europian mund ta minojë sigurinë energjetike të Mbretërisë së Bashkuar. “Braktisja e Bashkimit Europian do të na garantojë lirinë për të mbajtur të ulëta kostot e faturës energjetike, të arrijmë objektivat tanë në frontin e ndryshimeve klimaterike me shpenzimet më të vogla të mundshme dhe, natyrisht, “t’i mbajmë dritat ndezur”, ka pohuar në një diskutim të kohëve të fundit në Londër. Kundër kësaj, qëndrimi midia anëtarëve të Bashkimit Europian do të përfaqësonte një “kërcënim real” ndaj sigurisë energjetike të Britanisë së Madhe, sidomos në dritën e të ashtuquajturave propozime të “Paketës dimërore” të Komisionit Europian. Duke i kritikuar ashpër këto ide të reja të Brukselit, Leadsom ka deklaruar: “Parasëgjithash, në të ardhmen do të jemi të detyruar që të kërkojmë miratimin e Komisionit përpara se të mund të negociojmë marrëveshje të reja për furnizimet e gazit me partnerët ndërkombëtarëdhe kjo do të përfundonte duke na bërë të varur nga një grup eurokratësh jo të zgjedhur, duke e reduktuar më tej lirinë tonë e të vepruarit në interesin më të mirë të vendit dhe duke e ngadalësuar padyshim aftësinë tonë e të reaguarit ndaj emergjencave”. Më tej ka vazhduar: “Në radhë të dytë më preokupon sidomos propozimi specifik i Komisionit Europian që u kërkon shteteve anëtare që të marrin përgjegjësinë ligjore për sigurimin reciprok të furnizimeve me gaz. Duke përdorur të njëjtat fjalë të relacionit të Komisionit: në funksion të të ashtuquajturit parim të solidaritetit, në një vend të Bashkimit Europian në vështirësi, furnizimet me gaz për familjet dhe shërbimet bazike do të garantohen nga shtetet anëtare kufitare”. Me fjalë të tjera, shtetet anëtare do të duhet të garantojnë furnizimet me gaz për 28 vendet e tjera të Bashkimit Europian, çdo herë që kur njëri prej tyre pëson një reduktim të furnizimeve për shembull për shkak të një konflikti politik me një prodhues të madh të gazit, si Rusia, apo prej skadimit të një kontrate. Leadsom ka shpjeguar se Mbretëria e Bashkuar gëzon një pozicion shumë të sigurtë për sa u përket furnizimeve me gaz, nga momenti që 40 përqind e tyre vjen nga rezervat e Detit të Veriut dhe pjesa tjetër sidomos nga Norvegjia dhe Lindja e Mesme. Në ndryshim nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, Mbretëria e Bashkuar nuk varet nga gazi rus. Ndërkohë, ka nënvizuar ajo, Britania e Madhe ka qenë gjithmonë një lidere botërore në zhvillimin e teknologjive të reja me përmbajtje të ulët dioksidi karboni dhe ambiciet e saj për reduktimin e emisioneve kanë frymëzuar pjesën tjetër të botës. Ryan Bourne, përgjegjës për politikën në Institute of Economic Affairs, bie dakord me këtë pikë, duke theksuar se një Brexit do t’i mundësonte Mbretërisë së Bashkuar që të rishikonte disa prej aspekteve kryesore normative, jo e fundit ajo mbi reduktimin e emisioneve të dioksidit të karbonit. Sipas mendimit të tij, ky aspekt është burim kundërvëniesh të shumta dhe deri vetë Bashkimi Europian do të kërkonte t’i reduktonte emisionet e dioksidit të karbonit në një mënyrë mjaft joefikase. “Duke braktisur Bashkimin Europian, mund t’i rishikojmë këto pika (targete energjishë të rinovueshme dhe direktiva të tjera të Bashkimit Europian) dhe t’i zëvendësojmë me zgjidhje ekonomikisht të ndjeshme me të njëjtin finalitet”. Ministri i Energjisë pro-Brexit ka deklaruar edhe se braktisja e Bashkimit Europian do ta ndihmonte Mbretërinë e Bashkuara që të çlirohej nga “kufizimet e rrepta” të rregullave të mbështetjes për shtetet anëtare dhe të nevojës për t’i kërkuar miratimin përkatës çdo herë që vendi dëshiron t’i bëjë një ndryshim me natyrë politike miksit energjetik te vet.

Çfarë mendojnë kompanitë e mëdha të naftës

Atëhere kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim? Një Brexit eventual do të kishte më shumë apo më pak reperkusione ndaj sektorit dhe ndaj tregut energjetik të Britanisë së Madhe? Në rast se po, impakti do të ishte pozitiv apo negativ? Duke u nisur nga fillimi, kompanitë e mëdha petrolifere e mbështesin fushatën e Kryeministrit Cameron në favor të qëndrimit në Bashkimin Europian. Bob Dudley, CEO-ja i BP-së, mendon se një dalje e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian mund të kompromentojë investimet në sektorin energjetik britanik. Në janar Dudley kishte shpjeguar sesi braktisja e Bashkimit Europian do ta “keqësonte” situatën, pasi shumë prej rregullave në fuqi do të vazhdonin të zbatoheshin dhe Britania e Madhe do të rrezikonte që ta humbiste influencën e saj në kontekstin botëror. “Ka shumë motive fiskale dhe teknike, flukse tregtare, rregullime që do t’i lehtësonin gjërat në vendin tonë dhe në sektorin energjetik në përgjithësi e në atë të gaz – petroliferës në veçanti, sikur Britania e Madhe të vazhdonte të ishte pjesë e Europës”, ka shpjeguar ai për BBC-në.

Homologu i tij tek Royal Dutch Shell, CEO-ja Ben van Beurden, ka shprehur preokupime të ngjashme lidhur me një Brexit eventual. “Kompania jonë gëzon një trashëgimi të thellë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në continent. Një Brexit do të shkaktonte një çarje në kuptimin e vërtetë midis dy palëve, që do ta kompromentonte lirinë e lëvizjes së personelit e të mallrave, që do të na prekë edhe ne. Rrugëtimi do të bëhej gjithnjë e më shumë divergjent dhe do ta shkaktonte çdo lloj inefiçence. Ky skenar nuk është aspak i parashikueshëm për kompani si e jona, që lulëzojnë falë mungesës së barrierave. Ky është një aspekt ekonomik themelor i situatës”.

Bashkë me drejtues të tjerë të sektorit, Van Beurden ka firmosur një letër proBashkimit Europian, në të cilën lexohet sesi një dalje nga Bashkim “do të penalizonte investimet dhe do të vinte në rrezik vendet e punës”. Braktisja e Bashkimit Europian do t’i bënte në fakt më të vështira spostimet e qytetarëve jobritanikë drejt Detit të Veriut, përveç transferimit të punëtorëve britanikë drejt kontinentit europian. Nga ana e saj, kjo do të shkaktonte një rritje të kostove administrative e të krahut të punës dhe do të komplikonte planifikimin e projekteve. Veç kësaj, barrierat tregtare mund të bëjnë të ngrihen kostot e importimit në Mbretërinë e Bashkuar të pajisjeve shpuese dhe të pajisjeve të tjera, edhe pse Aberdeen është i mirëpajisur dhe i morëkonsoliduar si nyje e rëndësishme petrolifere. Një rrisk tjetër ka të bëjë me reperkusionet e një Brexit ndaj vlerës së monedhës britanike.

Analistët e bankave kryesore kanë frikë se një votë në favor të daljes nga Bashkimi Europian mund të ushtrojë impaktin më të madh ndaj paundit dhe kjo sigurisht që do të ishte një thikë me dy presa për sektorin petrolifer. “Sikur ky skenar të konkretizohej, atëhere operatorët upstream në Detin e Veriut mund të përfitonin nga një rënie e bazës së kostos respektivisht çmimeve të naftës dhe gazit të bëra në dollarë”, ka shpjeguar Wood Mackenzie i grupit të kërkimit mbi energjinë. Ndërkohë, shoqëritë e debituara në dollar amerikanë do të shikonin që t’u rriteshin rimbursimet në rast se të ardhurat do të llogariteshin në paund. Por nga ana tjetër sketori energjetik dhe në rastin konkret ai gaz – petrolifer – nuk duken kushedi sesa të alarmuar nga referendum, pavarësisht pluhurit të ngritur nga fushatat e ndryshme. Shumë sugjerojnë se nafta dhe gazi, ashtu sit ë rinovueshmet dhe shistet, mund të përfitojnë prej Brexit, nga momenti që menaxhimi i ardhshëm i brendshëm do ta shtynte Mbretërinë e Bashkuar të zhvillonte resurset e veta kombëtare, edhe ato në dukje të kushtueshme në kontekstin aktual të çmimeve të naftës, për t’i garantuar vendit një siguri energjetike afatgjatë.

Edhe sikur Mbretëria e Bashkuar të vendoste që ta braktiste Bashkimin Europian, regjimi normative i sektorit petrolifer të Detit të Veriut do të qëndronte praktikisht i pandryshuar dhe gjithsesi nën kontrollin britanik. Në fakt, një Brexit nuk do të sillte kurrfarë ndryshimi të regjimit fislal kyç për Detin e Veriut dhe Londra gëzon tashmë sovranitet mbi taksat e kompanive, mbi liçencat, mbi lejet dhe mbi normativat e tjera që vështirë se do të ndryshojnë në periudhë afatshkurtër. Dhe siç e kanë bërë me dije disa avokatë dhe konsulentë të sektorit energjetik britanik, janë tashmë në zhvillim operacione të shumta tregtare në Detin e Veriut, që demonstrojnë sesi sektori nuk është edhe aq i trubulluar prej një Brexit. Pavarësisht preokupimeve të CEO-së së tij, BP-ja sapo e ka dyfishuar pjesëmarrjen e saj në zhvillimin e vendburimit Culzean në Detin e Veriut qendror britanik, në vijim të blerjes së një interesi tjetër prej 16 përqindësh nga ana e JX Nippon.

Sipas BP-së, zhvillimi i vendburimit Culzean, i menaxhuar nga Maersk, do të siguronte një sasi gazi të mjaftueshme sa për të plotësuar 5 përqind të kërkesës totale birtnaike në pikun e prodhimit të periudhës 2020-2021. I zbuluar në 2008, vendburimi me gaz të përqëndruar ka resurse të vlerësuar në ekuivalentin e rreth 250 – 300 milion fuçive naftë. Prodhimi do të duhej të fillonte në 2019 dhe të vazhdonte në dekadën e 2030, me një nivel ekuivalenti prej 60000 – 90000 fuçive naftë në ditë. Ndërkohë, kompania Total ka inauguruar zyrtarisht impiantin e saj e përpunimit të gazit Shetland me vlerë prej 800 milion paundësh, që do të furnizohet nga vendburimet e mëdha me gaz të përqëndrur të Laggan dhe Tormore në perëndim të ishujve me të njëjtin emër. Edhe këto vendburime do të duhej të sillnin mesatarisht ekuivalentin e 90000 fuçive naftë në ditë gjatë pikut prodhues.

Patrick Pouyanne, CEO-ja i Total, ka deklaruar se zhvillimi i impiantit Shetland demonstron “impenjimin constant në favor të Mbretërisë së Bashkuar” nga ana e kompanisë franceze. Pouyanne ka shtuar edhe se “duke hapur nyjen e tretë prodhuese offshore në ujërat kufitare në perëndim të Ishujve Shetland, Total po kontribuon në përmirësimin e sigurisë energjetike afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar”.  Pouyanne ka nënvizuar edhe se “nuk ka dyshime” lidhur me të ardhmen e Detit të Veriut dhe të aktiviteteve të Total në këtë rajon. Megjithëse duke mos cekur referendumin, mesazhi është në fakt i qartë. Pouyanne ka lavdëruar qeverinë britanike për ndryshimet e bëra ndaj regjimit fiskal në Detin e Veriut, duke pohuar se “ndershmërisht ajo që ka ndodhur gjatë 2 viteve të fundit ka qenë mjaft mbresëlënëse”. Veç kësaj, ka theksuar nevojën e sektorit në qenien “smart” për të maksimalizuar potencialin e vazhdueshëm offshore të Mbretërisë së Bashkuar.

Në fronte të tjera, ndërtimi i impiantit eolik lundrues më të gjatë në botë në afërsi të brigjeve të Aberdeenshire pothuajse ka përfunduar, pas dritës jeshile të Crown Estate, që ka garantuar financimin e nevojshëm për kompaninë norvegjeze të naftës dhe gazit Statoil. Royal Dutch Shell ka nisur edhe procesin e shitjes së aseteve të BG-së në Detin e Veriut, në linjë me përpjekjet e saj për reduktimin e borxhit pas blerjes së BG-së në fillim të vitit. Si për të konfirmuar më tej interesin e pandryshuar për sektorin energjetik britanik, pavarësisht paqartësive lidhur me referendumin e 23 qershorit, ka qenë edhe vendimi i kohëve të fundit i grupit francez të shërbimeve petrolifere Technip dhe e partnerit të ri teksan të tij FMC Technologies për ta vendosur selinë e vet në territorin neutral të Londrës. Në rast se shoqëritë do të kishin qenë të preokupuara për rezultatin e referendumit, sigurisht që do të kishin pritur ta shpallnin këtë lëvizje pas votimit. Duket se sektori i naftës dhe gazit ka qenë shumë më tepër i alarmuar për referendumin e pavarësisë së Skocisë në shtator të 2014 sesa për referendumin e afërt lidhur me Brexit.

Pavarësia skoceze, një çështje ende e hapur

Dy vite më parë, sektori kishte mbajtur fushata shumë më të ndezura dhe më të ashpra kundër pavarësisë skoceze respektivisht qasjes së matur ndaj referendumit të 23 qershorit. Për sektorin petrolifer, vota e Skocisë përfaqësonte një kërcënim shumë më të rëndë: në rast se skocezët do të kishin votuar në favor të një shkëputjeje nga Mbretëria e Bashkuar, atëhere sovraniteti mbi vendburimet petrolifere të Detit të Veriut do të ndryshonte, ashtu siç do të ndryshonte edhe regjimi fiskal dhe, ka mundësi, edhe ai normativ. Problemi i pavarësisë skoceze nuk është zhdukur krejtësisht. Për ironi të fatit, vazhdon të përfaqësojë preokupimin kryesor të sektorit edhe në pritje të referendumit të ardhshëm lidhur me Brexit. Në fakt, në rast se britanikët do të duhej të votonin në favor të një daljeje nga Bashkimi Europian, skocezët mund të inicionin nga ana e tyre një votim të ri për pavarësinë, nga momenti që Skocia dëshiron të qëndrojë në Bashkimin Europian. Në rast se do të duhej të zgjidhnin midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian, shumë skocezë ka mundësi që do të kishin zgjedhur Europën. Ja pse sektori tenton të rreshtohet në analizë të fundit në fushën e “qëndrimit”: gjëja e fundit që do të donin është një referendum i dytë për pavarësinë e Skocisë.

(nga About Oil)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button