Ekziston një brez i cili ka jetuar një prej transformimeve më të mëdha të historisë njerëzore: kalimin nga një botë pa internet në një realitet ku inteligjenca artificiale është pjesë e përditshmërisë sonë. Ky është brezi që ka parë të lindin teknologjitë që sot duken të zakonshme, por dikur ishin shpikje revolucionare.
Eshtë brezi që mban në kujtesë një botë pa internet. Një botë ku lajmet lexoheshin në gazeta, ku fotot zhvilloheshin në dyqane, dhe ku komunikimi vinte përmes një telefonate nga aparati fiks i shtëpisë. Dhe pastaj, para syve të tij, gjithçka ndryshoi.
Më pas erdhën kompjuterët e parë – makina të mëdha, të shtrenjta dhe të ngadalta që hynin në shtëpi si një risi e çuditshme, shpesh më shumë kuriozitet sesa nevojë. Duheshin orë të tëra për një lojë të thjeshtë, dhe një lidhje interneti që zinte linjën e telefonit. Por për ata që e përjetuan, ky ishte hapi i parë drejt një bote që do të bëhej gjithnjë e më digjitale.
Interneti, fillimisht i panjohur dhe i pakapshëm, shndërroi mënyrën se si mësonim, punonim dhe lidhnim marrëdhënie me të tjerët.
Më pas erdhën telefonat me kapak, që u bënë simbol i lirisë së re për të komunikuar kudo. Por ky ishte vetëm fillimi. Me daljen e iPhone-it dhe më pas të smartphone-ve, bota u mbërthye pas ekranit të vogël që na sillte gjithçka në duar: kujtime, biseda, libra, harta dhe më vonë, edhe zërin e inteligjencës artificiale.
Sot, po jetojmë një kapitull të ri: epokën e AI-së. Nga programet që shkruajnë tekste e krijojnë imazhe, te makinat që mësojnë vetë dhe aplikacionet që na njohin më mirë se ne vetë, ndryshimi është aq i madh sa shpesh e marrim të mirëqenë. Për brezin që ka parë gjithë këtë evolucion, ky është një kujtim i gjallë se sa shpejt mund të ndryshojë bota. / bota.al