Analiza

Britani, skandali i pedofilisë trondit politikën e lartë

britani pedofiliaZgjerohet skandali i pedofilisë në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas raportimeve të fundit të BBC, ekzistojnë prova se të paktën 20 figura të spikatura të politikës, përfshirë deputetë dhe ministra, kanë abuzuar me fëmijët për dekada me radhë. Ish-drejtuesi i një projekti për mbrojtjen e fëmijëve, Peter McKelvie, deklaratat e të cilit bënë që të hapej një hetim në vitin 2012, deklaroi se një “elitë e fuqishme” pedofilësh kanë kryer format më të këqija të abuzimit. “Mund të them se po mbikëqyrim deri në 20 persona nga politika dhe një numër më të madh personash të tjerë që e kanë ditur dhe nuk kanë bërë asgjë, edhe pse ishin në pozicione ku mund të vepronin”, deklaroi McKelvie.

Ai shtoi se, shumë nga personat që dyshohen si abuzues kanë vdekur, por kjo sipas tij nuk duhet t’i ndalë hetimet. “Për shumë, shumë vite kam folur me viktimat, kryesisht djem, të cilët janë përdorur si copa mishi. Ata ishin bërë subjekt i formave më të këqija të abuzimit, përfshirë dhunimin”, shtoi McKelvie. Nga ana e saj, qeveria aktuale britanike ka njoftuar se do të rishikojë deklaratat denoncuese. Sekretari i përhershëm i Home Office, Mark Sedwill do të përballet me pyetje mbi mënyrën se si dikasteri i tij menaxhoi dyshimet për abuzime seksuale ndaj të miturve në një periudhë 20-vjeçare. Duke folur para deputetëve një ditë më parë, sekretarja e Brendshme, Theresa May deklaroi se do të mbahet një hetim i gjerë që do të kryhet nga një panel i pavarur ekspertësh ligjorë dhe specialistësh për mbrojtjen e fëmijëve. Në këtë proces hetimor do të hetohen edhe prokurorë e policë, për mënyrën se si menaxhuan informacionet që iu dhanë kohë më parë mbi këtë çështje. /Top Channel/

Leave a Reply

Back to top button