Shtrirja e ambicies së Arabisë Saudite në sportin global është aq e gjerë, sa që është marramendëse, por për të kuptuar se si funksionon, mund të shikoni historinë e një prej investimeve të para të vendit, në lojërat e mundjes profesionale.
Në vitin 2014, Arabia Saudite solli WWE në Riad. E mbajtur në stadiumin Green Halls dhe e faturuar si një “aktivitet live “, debutimi nuk u transmetua në televizion dhe ai ishte një imitim i garave të mundjes të organizuara më parë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Luftëtarë të tillë si Roman Reigns, Dolph Ziggler dhe John Cena konkurruan gjashtë ndehjse përpara një turme meshkujsh në deliri.
“Të gjithë janë me të vërtetë krenarë që kemi vizituar qytetin e tyre,” tha Cena, duke pozuar për selfie me personalitete të veshura me rroba tradicionale. Në një pankartë në turmë shkruhej: “E kam pritur këtë WWE gjithë jetën!”
Katër vjet më vonë, WWE ra dakord për një “partneritet strategjik” 10-vjeçar me ministrinë saudite të sportit. Në vend të vetëm netëve gjenerike, Riadi do të kishte një aktivitet me porosi, Crown Jewel, logoja e tij jeshile smeraldi i flamurit saudit. Sipas faqes së internetit Wrestlenomics, WWE fitoi 50 milionë dollarë për shfaqje.
Në SHBA, pasoi një reagim i ashpër. Ligji saudit i ndalonte mundëset femra të merrnin pjesë në eventin e parë, duke provokuar kritika që u kundërshtuan nga drejtuesit e mundjes. “Nuk mund t’i diktosh një vendi apo feje se si i trajtojnë gjërat,” tha ekzekutivi i WWE Triple H. Më shumë protesta pasuan vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018. Cena u tërhoq nga aktiviteti i Riadit atë vit dhe nuk është rikthyer më. Undertaker u prit me fërshëllima në SHBA thjesht sepse tha “Crown Jewel”.
Sidoqoftë, në vitin 2019, WWE zgjeroi marrëveshjen e vet me Arabinë Saudite. Disa nga ngjarjet më fitimprurëse të ndeshjeve me pagesë për shikim u sollën në mbretëri. Lista e interpretuesve u zgjerua, duke përfshirë Tyson Fury – i cili luftoi në Crown Jewel – dhe mundësin e famshëm Logan Paul. Mundësit kryen aktivitete komunikimi në Riad, duke diskutuar parandalimin e ngacmimeve me fëmijët e një shkolle, të diplomuarit e së cilës përfshijnë ministrin saudit të sportit. Në fund u mbajt edhe një ndeshje mes mundëseve femra; WWE e përshëndeti ngjarjen si një shënues përparimi.
Megjithatë, pati disa incidente të pazakonta. Në vitin 2019, një aeroplan me 175 mundës dhe staf të WWE në mënyrë misterioze, nuk ishte në gjendje të largohej nga Riadi. WWE fajësoi një problem mekanik për vonesën prej gjashtë orësh, por dosjet ligjore, të paraqitura gjatë një padie në grup në lidhje me marrëdhëniet financiare të WWE me Arabinë Saudite, sugjeruan se avioni ishte mbajtur nga autoritetet saudite, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi pagesën e tarifave. Në vitin 2022, një konferencë për shtyp e Crown Jewel u ndërpre nga një grup burrash që brohorisnin: “MBS! MBS!” – akronimi me të cilin njihet princi i kurorës dhe lideri de fakto i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Këtë vit, burimet e WWE u detyruan të mohonin raportet se kompania kishte qenë subjekt i një oferte shumë miliarda dollarëshe për blerje nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF).
Dave Meltzer është redaktori dhe botuesi i buletinit me ndikim të Wrestling Observer dhe një kritik i hershëm i marrëdhënieve të WWE me Arabinë Saudite. “Ishin shumë para për dy shfaqje në vit,” thotë ai për marrëveshjen. “Në këmbim, WWE ndihmoi në promovimin e Arabisë Saudite në transmetimet e saj, jo vetëm në vetë aktivitetet, por në të gjitha shfaqjet e saj televizive. Pas vrasjes së Khashoggit, ata e ulën disi aktivitetin për disa shfaqje. Tani është kthyer në promovim shumë të fortë, që flet se sa i mrekullueshëm është vendi, sa progresiv po bëhet. Unë nuk mendoj se njerëzit presin standarde të larta morale nga mundja profesionale. [Por] me kalimin e kohës… çdo negativitet, është zhdukur.”
Ndërsa Arabia Saudite po rrit me shpejtësi portofolin e saj sportiv, detajet do të ndryshojnë, por disa tema mbeten të pandryshueshme: angazhimi i ndjekur nga investimet, përçarja e shoqëruar nga polemika dhe, në fund të të gjithave, rritja e ndikimit saudit. Në vend të mundjes, mund të vendosni golfin apo futbollin. Ose tenisin, ose kriketin, ose boksin, ose sportet motorike, garat me kuaj ose sportet luftarake, sportet ujore ose sportet e plazhit, ose sportet urbane, apo edhe sportet dimërore, dhe gjithashtu shahun.
Ambiciet sportive të Arabisë Saudite këtë vit janë tejkaluar. Sezoni Saudit i Pro League filloi më 11 gusht: Karim Benzema, Jordan Henderson etj. Departamenti Amerikan i Drejtësisë mund të jetë duke drejtuar një hetim anti-trust për mega-bashkimin e propozuar të golfit, por LIV Golf i financuar nga PIF vazhdon. Në shtator, Kampionati Botëror i Peshëngritjes vjen në Riad, i ndjekur nga në tetor nga Lojërat e ringjallura Botërore të Luftimit dhe një fazë e Turit të Kampionëve Globalë në hipizëm.
Fury do të luftojë në qytet, në një garë jozyrtare kundër Francis Ngannou, nga Ultimate Fighting Championship. Në nëntor, qyteti lindor i Dammamit do të presë ekuivalentin e hendbollit të Kupës së Botës për Klube, Super Globe. Në dhjetor, Kupa Botërore e Klubeve aktuale e FIFA-s vjen në Xhedah, në të njëjtën kohë që qyteti do të presë evenimentin e parë të tenisit ATP të Arabisë Saudite, Next Gen Finals.
Ndërkohë në malet e veriperëndimit vijon puna për ndërtimin e rajonit të Trojenës. Ai do të jetë vendi për Lojërat Dimërore Aziatike 2029, një aktivitet që Arabia Saudite e shpëtoi nga zhdukja e mundshme. Trojena është një nga katër rajonet që do të formojnë projektin gjigant të Neom dhe karakteristikat e tij të planifikuara përfshijnë “një fshat të palosshëm” rezidencash luksoze dhe një rrjet prej 36 km pistash të skive. Pistat do të ndërtohen në një mal, Jabal al-Lawz, të cilin literatura e përshkruan si “mesatarisht më të freskët se pjesa tjetër e mbretërisë”. Megjithatë, me një minimum mesatar dimëror prej 3 gradë Celsius, një ekip “teknikësh të prodhimit të borës” janë punësuar për të bërë realitet një ëndërr të brishtë.
Krahasuar me Trojenan, një aktivitet testimi në Roterdam muajin e ardhshëm për Serinë E1 duket relativisht këmbësor. Kampionati i parë në botë i motobarkave elektrike, E1 kërkon të rrokë magjepsjen e garave me motor në ujë, në “qytetet ikonë anembanë botës”. Ishte duke përjetuar një pezullim të gjatë deri vitin e kaluar, kur PIF zuri një vend në bord. Tani, gara e parë zyrtare është vendosur për në Jeddah në “fillim të 2024”. Pritet që E1 të jetë pjesë e një përpjekjeje për ta bërë Arabinë Saudite një destinacion për klasën e jahteve. Guvernatori i PIF, Yasir al-Rumayyan, tha se përfshirja e fondit do të “ndihmonte gjithashtu në zhvillimin e teknologjisë inovative të qëndrueshme, e cila nga ana tjetër i pozicionon Sauditët si një mundësi në industritë e së ardhmes”.
Rumayyan është 53 vjeç, ai u arsimua në Arabinë Saudite dhe bëri emër duke punuar në sektorin bankar të vendit. Në vitin 2015, u thirr për një takim me Princin Mohammed, ku iu kërkua të drejtonte fondin e pasurisë sovrane të vendit, i cili ka rreth 600 miliardë dollarë asete nën menaxhim. “Nuk e njihja fare”, tha Rumayyan në një intervistë me Bloomberg. “Mendova se do të ishte një intervistë, por ishte pak a shumë: “Ja çfarë dua të bësh.”
Doli se shumë nga ato që Princi Mohammed donte që Rumayyan të bënte përfshinin sportin. PIF ka qenë një mjet për shumë nga investimet që Arabia Saudite ka bërë në këtë sektor dhe Rumayyan shpesh i ka drejtuar ato. Ai është presidenti i Newcastle United, mban fjalime për fundin e sezonit për tifozët dhe udhëhoqi delegacionin e klubit në finalen e Carabao Cup në Wembley. Ai do të bëhet kryetar i grupit që përbëhet nga PGA Tour, DP World Tour dhe LIV. Ai është fytyra e ambicieve sportive të Arabisë Saudite dhe, si me motobarkat elektrike, deklaratat e tij publike priren të hedhin pak dritë mbi qëllimet e vendit.
Jo se kjo dritë është verbuese. Gjatë seancave dëgjimore të fundit në Senatin e SHBA-së për aktivitetet në të cilat LIV u shndërrua nga një konkurrent kryengritës në aktor aktual në fushën e golfit, komiteti për sigurinë dhe çështjet qeveritare bëri vëzhgimin e mëposhtëm: “Ndërsa rritja e fundit e PIF përfshin investime të konsiderueshme në Shtetet e Bashkuara, shtrirja e saktë e këtyre investimeve dhe nëse ato luajnë një rol në ndonjë fushatë më të madhe të ndikimit të Arabisë Saudite mbetet kryesisht e panjohur. (Kur u ftua për të dhënë dëshmi para komitetit të Senatit, Rumayyan bëri bisht duke përmendur “përplasje agjende”).
Nga 64 fonde sovrane të pasurisë, PIF u rendit i 56-ti për transparencë nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare në Uashington në vitin 2021 dhe është e pamundur të kihet një pamje e plotë e zotërimeve të tij. As nuk është mjeti i vetëm financues i Arabisë Saudite. Këtë muaj, PIF njoftoi se do të kanalizonte aktivitetin sportiv përmes një kompanie të re, SRJ Sporting Investments, e cila do të “investonte në blerjen dhe krijimin e aktiviteteve të reja sportive IP [pronësi intelektuale], të drejta komerciale të garave sportive të njohura dhe të spikatura dhe organizimin e eventeve të mëdha sportive në Arabinë Saudite”.
Një tjetër nënndarje e PIF, Sanabil, është e specializuar në investimet në kapitalin sipërmarrës dhe fondet e kapitalit privat. Përsëri Rumayyan është kryetar, dhe Sanabil mban aksione në biznese që nga ana e tyre kanë interesa sportive: CVC Partners dhe Silver Lake, për shembull, dy fonde ku Sanabil është i përfshirë, ka aksione respektivisht në La Liga dhe Manchester City.
Pastaj është Aramco, kompania shtetërore e naftës që raportoi të ardhura prej 535 miliardë dollarësh në vitin 2022. Vitin e kaluar, Aramco njoftoi një partneritet me Këshillin Ndërkombëtar të Kriketit për t’u bërë sponsor titulli i çdo aktiviteti të ICC, duke përfshirë Kupën Botërore të Kriketit të Tetorit. Është gjithashtu sponsori titullar i një turneu të ri të golfit për femra. Është një partner global i Formula 1, ka ndërmjetësuar një partneritet me Shoqatën Kineze të Basketbollit dhe financon kampionatin 10 milionë Gamers Without Borders. Mund ta merrni me mend emrin e shefit të Aramco.
Çdo cep i shtetit saudit, me sa duket, po shkon drejt sportit. Edhe Neom, i cili do të “ndryshojë fytyrën e të jetuarit në këtë planet” (por ende nuk është ndërtuar), ka 400 milion dollarë në marketing për të investuar në McLaren.
Kjo është një strategji sportive që është po aq gjithëpërfshirëse dhe më e detajuar se çdo strategji tjetër në botë”, thotë një drejtues i cili ka qenë palë në planifikim, duke folur në kushte anonimiteti. “Nuk është një modë, nuk është vetëm teka e ndonjë pasaniku. Kjo është planifikuar, është një qasje reale ndaj asaj që sporti mund të bëjë për të ndryshuar një komb në lidhje me shëndetin, mirëqenien dhe pjesëmarrjen aktive. Është një plan vërtet i detajuar dhe është bazuar në strategjitë më të mira sportive në botë. Kjo është një qasje shumë e koordinuar.”
Ndonjëherë mund të duket se ka po aq strategji sa ka mundësi investimi. Dokumenti themelues është Vizioni 2030. I publikuar në vitin 2016, ai është një shpallje misioni që tregon një rrugë drejt “një Arabie Saudite të fortë, të lulëzuar dhe të qëndrueshme që ofron mundësi për të gjithë”, sipas princit Mohammed, në parathënie. Vizioni 2030 ka tre shtylla, njëra prej të cilave kërkon të heqë varësinë e të ardhurave të mbretërisë nga të ardhurat e naftës. Nënshtyllat janë 13 programe “realizimi”, një prej të cilave është cilësia e jetës. Nga 10 objektivat e këtij programi, dy të parat janë “promovimi i aktiviteteve sportive në komunitet” dhe “arritja e përsosmërisë në disa sporte në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”.
Ekziston një strategji e veçantë për promovimin e sportit në komunitete. Ka objektiva kombëtare për lëvizjen e popullsisë – 20% e të cilëve klasifikohen si obezë. Në paratë e drejtuara për futbollin, dallohet një lidhje me shëndetin publik. Ka pasur një shpërthim në akademitë e futbollit dhe programet e stërvitjes. Pas krijimit të një departamenti të futbollit për femra në Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite në vitin 2019, deri në 50,000 vajza mendohet të luajnë në një ligë shkollore.
Futbolli është deri tani sporti më popullor i Arabisë Saudite dhe zakonisht hidhet argumenti se duke parë yjet e sapo importuar në Pro League, fëmijët do të frymëzohen për aktivitete. Sipas atyre brenda qiellit të futbollit saudit, ardhjet e futbollistëve të huaj do të ndihmojnë gjithashtu talentin profesionist vendas. Ka objektiva jo vetëm për ta bërë Ligën saudite një nga 10 garat më të mira në botë, por edhe për ta futur kombëtaren e meshkujve në top 10-shen e FIFA-s (nga vendi i 54-të). Duket e çuditshme, por Arabia Saudite ka një histori të gjatë në futbollin e meshkujve, është një nga kombet më të suksesshme në Azi dhe ka një bazë tifozësh për futbollin e klubeve dhe atë ndërkombëtar, që mund të rivalizojë shumë vende në Evropë.
Ka strategji për sporte të tjera, që mendohet se janë deri në 16 gjithsej. Disa nga këto janë aktivitete më pak të njohura globalisht që mund të ofrojnë një rrugë afatshkurtër drejt suksesit në Lojërat Olimpike. Një interes në rritje për sportet e plazhit, duke përfshirë futbollin në plazh, dhe në lojërat urbane si basketbolli 3×3, shpjegohet me këtë qasje. Po kështu, edhe angazhimi me sportet luftarake, duke përfshirë formimin e një grupi të përbashkët saudito-japonez për Vizion 2030, si pjesë e të cilit Japonia dërgoi katër kampionë të karatesë në Gjirin Persik.
Arabia Saudite është një monarki me trashëgimi dhe linja Saudite ka sunduar për një shekull duke balancuar prioritetet e palëve të ndryshme të interesit. Në një komb ku 67% e popullsisë janë nën 35 vjeç, një strategji në të cilën sporti ofron argëtim, stimul dhe krenari kombëtare mund të jetë me shumë kosto efektivitet. Zhvillimi i brendshëm nëpërmjet sportit është diçka që zyrtarët duan të theksojnë. Nuk është fokusi i vetëm.
Shprehja “sportswashing – shpëlarje përmes sportit” përshkruan praktikën e kombeve (ose individëve dhe bizneseve) që rehabilitojnë reputacionin e keq përmes sportit. Amnesty International ka pohuar vazhdimisht se investimet sportive të Arabisë Saudite janë të përdorura për të fshehur “shtypjen në rritje” të princit Mohammed. Ai citon dënimin penal të të paktën 15 individëve vitin e kaluar për çështje të “shprehjes paqësore ose shoqërimit”. Në të njëjtin vit, ligji i statusit personal kodifikoi disa aspekte të sistemit të kujdestarisë saudite që kufizojnë liritë e grave. Ndërkohë, Salma al-Shehab, një studente e Universitetit të Leeds, mbetet në burg në Arabinë Saudite duke vuajtur një dënim 27-vjeçar pasi u shpall fajtore për vepra terrorizmi kur bëri postime në Twitter në mbështetje të të drejtave të grave.
Sipas Joseph Nye, një akademik i Harvardit dhe ish-zyrtar në administratën e Klintonit, përdorimi i sportit për të shkëputur vëmendjen nga shkeljet e të drejtave të njeriut mund të jetë efektiv. “Nëse je saudit, duke u përpjekur të tërheqësh vëmendjen nga vrasja e Khashoggit, atëherë… një turne i ri golfi mund të ndihmojë”, thotë ai. Por sporti mund të arrijë qëllime të tjera politike. Nye shpiku termin “fuqi e butë”, të cilën ai e përshkruan si “aftësia për të marrë atë që dëshiron përmes joshjes dhe jo përmes imponimit ose pagesës”. Sporti, thotë Nye, është një mjet efektiv me fuqi të butë sepse “shpesh krijon një mjedis të favorshëm dhe tërheq vëmendjen”. Mund të mos funksionojë gjithmonë, thotë ai – “mendoni për tifozët britanikë të futbollit në Evropë… por zakonisht funksionon”.
Përdorimi i sportit më pak si shpërqendrim dhe më shumë si një formë bindjeje është ajo që shumë njerëz që i kanë sytë nga projekti sportiv saudit, besojnë se është forca e tij lëvizëse.
“Sporti, me komponentin masiv emocional të lidhur me të dhe mbulimin e gjerë mediatik, mund të përftojë investime në sektorë të tjerë të ekonomisë,” thotë Andrea Sartori, CEO i Ace Advisory dhe një konsulent sportiv, i cili, ndër të tjera, ndihmoi në zhvillimin e strategjisë sportive të Katarit. “Për mendimin tim, është një mundësi që Arabia Saudite, me një kosto relativisht të ulët, të ripozicionohet shpejt në tregun ndërkombëtar. Ata po përpiqen të shtyjnë zhvillimin e industrisë së turizmit, një industri nga e cila mund të diversifikohen relativisht kollaj, ose të përshtaten me industritë e reja, larg naftës dhe gazit.
“Nuk duhet të shikoni vetëm shumat e parave të investuara, por duhet të shikoni shpejtësinë me të cilën ndryshojnë opinionet e njerëzve”, thotë Sartori. “Në katër apo pesë vitet e ardhshme, ata do të ndryshojnë mentalitetin dhe perceptimin tonë për vendin – diçka tjetër do të arrihet në një dekadë”.
Hulumtimi nga The Guardian vlerësoi se sauditët kishin shpenzuar 6 miliardë dollarë në projekte të lidhura me sportin që nga fillimi i vitit 2021. Vitin e kaluar, PIF bëri një investim prej 30 miliardë dollarësh në degën e infrastrukturës së grupit të kapitalit privat Blackstone (Rumayyan shpalli marrëveshjen dhe kreu global i Blackstone është David Blitzer, bashkëpronar i Crystal Palace).
Në fund, thotë Sartori: “Po, ata do të kenë shpenzuar ndoshta 20 miliardë dollarë, 30 miliardë dollarë. Por çfarë është kjo në buxhetin e mbretërisë së Arabisë Saudite? Asgjë. Është një buxhet marketingu.”
Me synimet e brendshme, ndërkombëtare dhe rajonale, strategjia sportive e mbretërisë mund të jetë transformuese. Është gjithashtu e mundur që ajo të vyshket nën peshën e ambicieve të saj, ose që ngjarjet ta pengojnë.
“Ka një rrezik,” thotë Sartori, “dhe ky është nëse çmimi i naftës ulet. Atëherë humori i kreut të shtetit mund të ndryshojë dhe strategjia mund të bëhet më pak agresive, më konservatore… E pashë të ndodhte në Katar 10 vjet më parë.”
Terrence Burns është një konsulent sportiv i cili ka punuar në një numër ofertash të suksesshme olimpike. Arabia Saudite, siç pritej, është lidhur me organizimin e Lojërave Olimpike dhe Kupës së Botës, ndoshta që nga viti 2030.
“Vendet si Arabia Saudite nuk kishin mjetet apo aftësinë 20 vjet më parë për të investuar kaq shumë para në port”, thotë Burns. “Ata po ndërtonin ekonomitë e tyre. Tani kanë para dhe sporti është një investim i madh nëse bëhet siç duhet. Investimet në evente dhe liga bëjnë dy gjëra: tërheqin turizmin dhe krijojnë vende pune. Krahas kësaj vjen edhe infrastruktura tregtare që mbështet sportin, gjë që është e mirë për vendin”.
Një investim i tillë kërkon përforcim të vazhdueshëm, argumenton Burns. Dhe ashtu si paratë kanë rrjedhur në sport, po ashtu mund të ndalojnë së vepruari. “Për mua është shumë e thjeshtë: sapo këto investime të mos japin kthimin që pritet, ata do të ndalojnë së bëri ato,” thotë ai. “Kjo nuk është ndonjë strategji e mbrapshtë nga skutat e errëta të mendjes së njerëzve; është biznes. Në momentin që ata nuk marrin një kthim nga investimi, atëherë ai ndalon.” / The Guardian – Bota.al