Bota

Cari dhe Sulltani: Afritë, kompromiset dhe divergjencat, nga lufta tek ekonomia

Screen Shot 2016-08-10 at 14.10.53MOSKË. Me shumë këmbëngulje, dhe me një ton paksa kërcënues, në korridoret pallatit Konstantinovskij flitej dje për lindjen e Bashkimit të dy vendeve të margjinalizuara nga Perëndimi. Pajtimi i detyruar midis Rusisë dhe Turqisë është kështu zyrtarisht një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Uashingtonit dhe aleatëve të tij. Një kërcënim Euroaziatik, mbështetur së largmi nga Irani, për një udhëheqje të Lindjes së Mesme, e cila mund të prishë ekuilibrin aktual në zonë, dhe të nxjerrë Moskën e Ankaranë nga izolimi ndërkombëtar. Dhe kjo justifikon marrëveshjet dhe kompromiset për çështje, që deri pak javë më parë dukeshin të pazgjidhshme. Si e shpjegojnë pozicionet, të kaluara dhe të tanishme, të Carit dhe Sulltanit që janë renditur më poshtë. (www.bota.al)

ÇFARE MENDON RUSIA

Ndal ambicieve të kurdëve

edhe një herë, kurdët do të përfundojnë duke paguar “realpolitikën” e fuqive të mëdha. Nëse kurdët sirianë të përdorur nga rusët në ofensivën kundër Kalifatit ëndërronin pavarësinë, do të duhet të kufizojnë ambiciet e tyre në një rol në Sirinë si konfederatë. Ky është lëshimi më i rëndësishëm që Putini i ka bërë Erdoganit.

Kundër Islamit radikal

Putini ka harruar me vullnet akuzat e tij të detajuara, drejtuar Turqisë dhe familjes së Erdoganit, për një bashkëpunim ushtarak dhe ekonomik me Kalifatin. Tratativa në zhvillim e sipër ka të bëjë me një bashkëpunim faktik në luftën ndaj terrorizmit. Për më tepër, moska kërkon garanci kundër një zhvendosje të mundshme të Ankarasë drejt një Islami radikal.

Thyerja e frontit SHBA-BE

Shqetësimet e diplomacive perëndimore në lidhje me afrimin mes Rusisë dhe Turqisë bëjnë në fakt lojën e Kremlinit, që nuk harron objektivin e vet parësor, ose më saktë, prishjen gjithnjë e më shumë të kompaktësisë së frontit perëndimor antirus, si dhe arritjen fillimisht të zbutjes, e më pas të shfuqizimit të sanksioneve ekonomike.

Anashkalimi i Ukrainës

Rinisja e projektit “Turkish Stream” do të mundësojë transportimin drejt jugut të Europës të 31 miliardë metra kub gaz, duke anashkaluar Ukrainën dhe vende të tjerë të BE “armiqësorë” ndaj Moskës. Me pasoja dhe përfitime të mëdha ekonomike edhe për vendet europiane që vuajnë më shumë nga sanksionet.

Ngushticat në Detin e Zi

Konventa e Montreux e vitit 1936 autorizon Turqinë që të rregullojë kalimin e anijeve të luftës përmes ngushticave turke në Detin e Zi. Por tani fundi i krizës mes Moskës dhe Ankarasë, i jep fund kërcënimit turk për të mbyllur rrugët ndaj flotës ruse, e cila ka baza në Krime.

ÇFARE MENDON TURQIA

Po kompromisit me Assadin

Erdogani e përjeton si një makth idenë e një Sirie të fragmentuar, edhe më shumë mundësinë e lindjes së një kombi kurd. Në këmbim, po ofrohet që tani për t’i siguruar Assadit një rrugëdalje, si do e kërkonte Putini. Përtej deklaratave-fasadë, Turqia nuk do i kundërvihet një faze të gjatë tranzicioni të pushtetit në Damask.

Lidhjet e vërteta ose të supozuara

Si gjest të vullnetit të mirë, Erdogani ka futur në listën e terroristëve edhe ata integralistë anti Assad, që SHBA i mbron duke i konsideruar “të moderuar”. Dhe duket se është i angazhuar të prishë të gjithë lidhjet, të vërteta apo të supozuara, me organizatat pranë Kalifatit: Moska, për momentin, duket se i beson.

Akuzat për grushtin e shtetit

Akuzat drejtuar SHBA dhe vendeve europiane në lidhje me grushtin e shtetit të korrikut, i kanë shpënë marrëdhëniet në limite. Vështirë se do të mbërrihet në një prishje reale, por përqafimi me Moskën i jep Erdoganit një pozicion force për tratativa. Do ta kuptojë Kerry, që pritet në Ankara në fund të muajit.

Rifitimi i qendrës së humbur

Sipas shumë ekonomistëve turq, ka qenë pikërisht dështimi i projektit “Turkish Stream”që bindi Erdoganin të mbyllte në një farë mënyre incidentin diplomatik me Moskën. Ankaraja ka sërish mundësinë të bëhet një nyjë botërore për energjinë, duke rifituar qendrën e humbur.

NATO në Incirlik

Deri tani, shumë tolerante ndaj marinës amerikane dhe shumë fiskale ndaj asaj ruse. Gjatë takimeve të djeshme, Turqisë iu kërkua të ndryshojë qasje. Dhe u fol edhe për Incirlikun, bazën e NATO-s, që rusët do të donin ta përdornin për sulmet kundër Kalifatit. /Përgatiti: Bota.al (www.bota.al)

Leave a Reply

Back to top button