Analiza

Çfarë do të thotë fitorja e Kameronit për pjesën tjetër të Evropës?

Screen Shot 2015-05-13 at 2.02.34 PM

Nga Mark Leonard

“European Council of Foreign Relations”

Fitorja e papritur e Partisë Konservatore në zgjedhjet e përgjithshme britanike, ngjall kujtimet e vitit 1992, kur konservatorët sfiduan gjithashtu pritshmëritë e opinionit publik, me një fitore të ngushtë. Asokohe, kryeministri Xhon Mejxhër po ushtronte mandatin e tij nën një atmosferë të dominuar nga ndarja partiake mbi Evropën.

Tashmë Dejvid Kameroni përballet me një perspektivë të ngjashme, kur çështja e marrëdhënieve të Britanisë me BE-në, do të mbizotërojë gjatë 2 viteve të para të mandatit të tij të ri. Por cila mund të jetë qasja e Londrës ndaj Evropës, dhe çfarë do të thotë për BE-në më gjerësisht? Një lajm potencialisht i keq për Kameronin, është se shumica parlamentare e Majxhërit, ishte më e madhe se e tija sot (21 më shumë, sot 6), dhe rryma e euroskeptikëve, kishte më pak peshë (50 euroskeptikë të vijës së ashpër, në krahasim me 80-100 deputetë, që ka aktualisht Kameron në partinë e vet).

Por kundër kësaj, ndryshimi më i madh, është se zoti Mejxhër refuzoi t’u japë qytetarëve të vet një referendum mbi anëtarësimin në BE, ndërsa Kameroni e ka premtuar një gjë të tillë, edhe gjatë fjalës së tij pas fitores. Ndërsa ai ndërton politikat e veta, ka së paku 4 pyetje që shqetësojnë njerëzit në kryeqytetet e tjera të BE:

1. Kur do të ndodhë referendumi? Kameron ka premtuar ta mbajë atë deri në fund të 2017-ës. Megjithatë, ka disa spekulime se ai mund të joshet ta zhvillojë atë më parë, kur edhe ka më shumë kapital politik (sidomos pasi është e pamundur, për të negociuar dhe ratifikuar ndonjë ndryshim në traktatet në të dyja afatet). Realisht kjo do të thotë, se referendumi do të mund të mbahet ose në vjeshtën e vitit 2016 ose në pranverën e vitit 2017. Në javët e para pas zgjedhjeve të 7 Majit, do të ketë shumë debate mbi natyrën e çështjes (duhet të shkohet në referendum për ‘po’ apo ‘jo’), dhe madhësia e  trupës elektorale (a duhet të marrin pjesë në zgjedhje edhe qytetarët e Komenuelthit, qytetarët irlandezë, 16 vjeçarët apo qytetarët e tjerë të BE-së?). 

2. Çfarë do të ndodhë gjatë rinegocimit? Kameron ka përcaktuar përparësitë kryesore të tij, në

dy fjalime të rëndësishme. Gjatë diskutimeve të mia vitet e fundit me zyrtarët britanikë dhe këshilltarët politikë, kam vënë re një ndryshim gradual nga përqëndrimi tek çështja e riatdhesimit të emigrantëve ilegalë (para zgjedhjeve të vitit 2010) tek rinegocimi (pas vitit 2010), dhe reformimi i BE (në dy fjalimet e tij të fundit).

Pjesa më e madhe e agjendës Kameron, përcakton reformat e përgjithshme liberalizuese, që synojnë thellimin e tregut të unionit, thjeshtëzimin e rregullave dhe nxitjen e tregtisë së lirë. Ndërkaq ekzistojnë 4 grupe të mëdha problematikash, të cilat ka të ngjarë të përbëjnë thelbin e

bisedimeve.

Së pari, çështja e rregullave mbi përfitimet në punë të emigrantëve në BE-së. Për publikun britanik, Evropa nuk është një çështje e spikatur, por emigracioni po. Shumë njerëz në partinë e Kameron, duan të kufizojnë lëvizjen e lirë të punëtorëve, por kryeministri është tërhequr nga kjo kërkesë. Në vend të kësaj, ai dëshiron të ndryshojë rregullat mbi qasjen ndaj përfitimeve (si në rastin kur njerëzit janë pa punë, dhe mbi të gjitha kreditë e taksave, të cilat ofrohen për punëtorët me pagë të ulët).

Së dyti, është çështja e ekuilibrit midis eurozonës dhe jashtë eurozonës. Disa nga elementet teknike rreth bashkimit bankar, u zgjidhën me idenë e “shumicës së dyfishtë”. Megjithatë ka një nevojë më të gjerë për të risiguruar BE-në, se eurozona nuk do të përdorë shumicën e kualifikuar, për të para-gatuar vendime të rëndësishme dhe pastaj t’i vendosë ato ndaj anëtarëve të tjerë, që nuk janë pjesë e eurozonës. E treta ka të bëjë me rolin e parlamenteve kombëtare, dhe idenë e lejimit të grupeve parlamentare kombëtare që të bllokojnë legjislacionin e BE-së (e ashtuquajtura procedurë “kartonit të kuq”).

Së fundmi, është çështja e anulimit të angazhimin për një ‘bashkim gjithnjë e më të ngushtë’ nga preambula e traktateve të BE-së.

3. A do të jetë nevoja të ndryshohen traktatet? Ekspertët ligjorë, mendojnë se është e mundur për të patur disa variante të shumicës së këtyre ndryshimeve, nëpërmjet legjislacionit dytësor dhe nënshkrimit të protokolleve, por shumë zyrtarë britanikë mendojnë se Kameron ka nevojë për të paktën disa ndryshime të vogla të traktatit, për arsye simbolike dhe praktike.

Megjithatë, edhe në qoftë se Kameron arrin të bindë shtetet e tjera anëtare të bien dakord për ndryshimin e traktatit, do të jetë e pamundur për t’i ratifikuar ato nga të gjitha vendet anëtare, përpara zhvillimit të referendumit. Për këtë arsye, zyrtarët sugjerojnë se Kameron mund të ketë nevojë për një lloj “shënimi premtues”, që përcakton idetë për ndryshimin e traktatit, të cilat pastaj mund të ratifikohen në të ardhmen. Ky veprim i bën jehonë “kushtit”, që partitë kryesore të krijuara në Skoci, të premtojnë reforma pas zgjedhjeve të ardhshme.

4. A do të ketë sukses fushata e Kameronit? Edhe në rast se Kameron arrin të negociojë të gjitha ndryshimet në axhendën e tij, është një bast me vend, se shumë prej deputetëve të tij nuk do të mendojnë se do të shkojnë aq larg. Për më tepër, pavarësisht nga premtimet për përfitimet e emigrantët në BE, shumica e ndryshimeve apelojnë ndaj elitave.

Një nga karakteristikat më interesante mbi rritjen elektorale të UKIP, është se kjo forcë politike bëri për vete shumë votues të zakonshëm, që të rishqyrtonin flirtin e tyre me Brexit (sondazhet e fundit tregojnë, se ata që janë në favor të qëndrimit në BE janë 45 përqind, në krahasim me 35 përqind që duan të largohen – diferenca me e madhe pro-BE-së për disa vite).

Bazuar tek sondazhet, një referendum është i fitueshëm, por referendumi mbi pavarësinë e Skocisë, tregoi vështirësitë që pala pro-europian do të ketë në drejtimin e një fushate të bazuar tek kundërbalancimi i rrezikut, për tu larguar nga unioni me shpresën e pavarësisë;duke ofruar përfitime ekonomike, për të kundërshtuar thirrjen ‘jashtë’, si dhe fushatës për vetëqeverisje;dhe kundërvënë e elitave të biznesit pro- BE, ndaj populistëve që kërkojnë daljen.

Referendumi skocez, tregoi ndërkaq edhe rrezikun e të paturit e një fushatë të vetme të centralizuar.  Për një ‘Po’ ndaj BE-së, është mirë më mirë të ketë një rrjet të zgjeruar fushatash të ndryshme, që do të mundësojnë mbërritjen tek për bosët dhe sindikatat, mbështetësit dhe kundërshtarët e marrëshjeve të tregtisë së lirë, kozmopolitët dhe nacionalistët pragmatike.

Ata gjithashtu mund të bindin kompanitë e mëdha, që përfitojnë nga prania e Britanisë në tregun e përbashkët – nga Ikea dhe FINDUS, tek BMW dhe Deutsche Bank – të flasin mbi rreziqet ekonomike nga braktisja e BE-së.

Pyetja e fundit, është nëse shtetet e tjera anëtare të BE-së, mund të bëjnë ndonjë gjë për të parandaluar një Brexit? Ata mund të luajnë një rol më të madh, sesa mendojnë. Udhëheqës të tjerë, mund të përpiqen të bindin qeverinë britanike, të mbështesë reformat e përgjithshme, në vend se të ngulmojë tek ndryshimi i traktatit.

Ata mund të zhvillojnë një axhendë të përbashkët për emigracionin, vetë-qeverisjen dhe rritjen ekonomike. Gjithë projekti politik i Kameron ka qenë i bazuar në bashkimin e partisë, pas kaosit shumëvjeçar. Është paradoksale, që ai të përfundojë në një telash të tillë, të ngjashëm me shefin e tij të dikurshëm, Xhon Mejxhër.

Ky i fundit premtoi dikur, ta përdorte pushtetin e tij për ta rikthyer Britaninë në “zemër të Evropës”. Udhëheqësit në vendet e tjera të BE-së, do të shpresojnë se referendumi i Kameron është më i suksesshëm në përzënien e fantazmave evropiane në partinë e tij.

a.g./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button