Analiza

Çfarë do të thotë në të vërtetë marrëveshja SHBA-Iran?

Screen Shot 2015-04-04 at 11.41.03

Nga Ishaan Tharoor

Negociatorët nga Irani dhe fuqitë e mëdha botërore, arritën konsensus mbi një draft, me perspektivën e arritjes së një marrëveshje përfundimtare, për të frenuar programin bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare. Ka ende shumë punë për të bërë, por përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe bashkëbiseduesve të saj tanimë mund të çojnë drejt një hapjeje historike me Republikën Islamike, udhëheqja e së cilës, ose të paktën disa figura, e dëshirojnë dëshpërimisht një lidhje më të ngushtë me Perëndimin.

Analistët duken të habitur nga përmbajtja e kësaj marrëveshje kornizë, e cila u jep ithtarëve të saj një premtim për një marrëveshje përfundimtare, që shpresohet se mund të mbyllet brenda kësaj vere. Ja se çfarë duhet të dini mbi paktin aktual:

1.Njësia kryesore matëse, kur llogaritet sesi do të parandalohet ndërtimi i një bombe atomike iraniane është “koha e pushimit”, koha që do të merrte Irani për të prodhuar materialet të mjaftueshme të zbërthyeshme (uranium të pasuruar shumë), që të mund të prodhojë një armë bërthamore. Rëndësia e kohës së pushimit, si kriteri kryesor për të kuptuar ambicjet bërthamore të Iranit, është një çështje debati, dhe disa ekspertë thonë se është pak e pakuptimtë të fiksohesh pas saj. Por një nga qëllimet kryesore të çdo marrëveshjeje të mbështetur nga SHBA, ka qenë zgjatja e kohës së pushimit për Iranin nga rreth dy-tre muaj që është tani, në të paktën një vit. Një diapazon më i gjerë, i jep komunitetit ndërkombëtar më shumë kohë për t’u përgjigjur dhe ndërmarrë veprime më të ashpra ndaj Iranit. Dhe supozimi është se është vështirë për Iranin të prodhojë një armë, më pak ka gjasa që kjo të ndodhë.

2. Përsa kohë që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj janë të shqetësuar, masat e njoftuara të enjten janë fokusuar tek bërja e vështirë për Iranin që të prodhojë apo edhe ruajë rezervat e uraniumit të pasuruar shumë. Irani ka pakësuar tashmë stokun e uraniumit të pasuruar në 20 përqind, ndërsa është rënë dakord për të reduktuar në mënyrë dramatike stoqet e tjera të uraniumit të pasuruar. Por masa të rrepta janë të nevojshme, për të parandaluar çdo lëvizje drejt ndërtimit të nje arme.

3. Një mënyrë kontrolli, është mbikëqyrja e numrit të centrifugave të Iranit, pajisjet rrotulluese që pasurojnë gazin e uraniumit. Sipas kushteve të përshkruara të enjten, Irani do të reduktojë centrifugat e saj nga 19.000 në 6.104. Sipas një memorandum të publikuar nga zyrtarët amerikanë, Irani ka rënë dakord që për 10 vitet e ardhshme, të pasurojë uraniumin vetëm tek një stacion, në Natanz, ku ndodhen 5000 centrifuga të gjeneratës së parë. Kjo nuk do të pasurojë uranium në nivele përtej 3.67 përqind – i pamjaftueshëm për një bombë, por të dobishme për qëllime energjetike bërthamore  për 15 vite.

4. Irani duket i gatshëm edhe të pezullojë aktivitetin e pasurimit në objektin e diskutueshëm bërthamor të Fordout për 15 vitet e ardhshme, dhe mesa duket ai do të shndërrohet në një qendër kërkimore të fizikës bërthamore. Fordou, i vendosur brenda një mali, jashtë qytetit të shenjtë të Kumit, ka shqetësuar në mënyrë të veçantë zyrtarë amerikanë dhe izraelitë. Autoritetet iraniane, do të garantojë që reaktori i ujit të rëndë në Arak, një vend për të cilin ekziston frika se Irani synon të prodhojë armë me plutonium, nuk do ta bëjë këtë.

5. Do të imponohet një praktikë shumë e ngushtë e inspektimeve ndërkombëtare. Inspektorët nga Agjensia Ndërkombëtare Bërthamore, do të monitorojnë vazhdimisht centrifugat e Iranit dhe objektet e magazinimit bërthamore për dy dekada, do të kenë qasje të rregullt tek minierat e uraniumit dhe mullinjtë për 25 vitet e ardhshme, si dhe do të jetë në gjendje të kryejnë kontrolle të rregullta në sitet bërthamore të Iranit. “Nëse Irani u dredhon angazhimeve, bota do ta marrë vesh këtë” – tha Presidenti Obama të enjten.

6. Në këmbim, Irani përfiton heqjen e një morie sanksionesh, në varësi të aftësisë së saj për të zbatuar angazhimet, për të cilat është rënë dakord deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare. Kjo me gjasë nuk do të ndodhë aq shpejt sa iranianët do të donin, dhe duket të ketë një mekanizëmm, me të cilin sanksionet “do të riktheheshin” automatikisht, në kushtet kur Irani do të shkelte marrëveshjejen. Por premtimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për heqjen përfundimtare të sanksioneve mbi tregtimin e naftës dhe atyre bankare ndaj Iranit, shkaktoi festime në Teheran dhe një rënie të çmimit global të naftës.

7. Çështje të tjera, duke përfshirë dhe atë se deri në çfarë mase Irani mund të përdorë dhe centrifuga më të avancuara, si dhe ajo që ndodh në dimensione të tjera ushtarake të programit të tij bërthamor – ka ende nevojë për t’u përcaktuar muajt e ardhshëm.

8. Optimizmi i gjeneruar nga kjo marrëveshjes kornizë, nuk do të ndahet nga skifterët në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael, si edhe tek shtetet arabe, të cilat ende e konsiderojnë Iranin një kërcënim të rrezikshëm rajonal. Kundërshtarët e kësaj marrëveshje në Shtetet e Bashkuara, mundet të rrisin përpjekjet për të nxjerrë nga binarët bisedimet në javët e ardhshme në Kongres. Por administrata Obama, mund të synojë një marrëveshje mjaft të fortë, që kufizon ambiciet bërthamore të Iranit “në një kuti hekuri”, dhe përcakton mjetet me të cilat komuniteti ndërkombëtar, mund të jetë në gjendje të garantojë se Irani nuk ka lëvizur nga pakti. Në një marrëveshje që ai e quajti “të një kohë të gjatë”, Presidenti Obama njoftoi se Shtetet e Bashkuara, Irani dhe vende të tjera kanë arritur një draft historik për të frenuar programin bërthamor të Teherani. /“Washington Post”/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button