Your Life

Çfarë do të thotë të kesh mall për t’i pasur fëmijët pranë për festa…

“Krishtlindjet më të bukura me djalin tim, Gabriele, janë këto, sepse tashmë ai është i rritur dhe zgjedhja që ka bërë për t’i kaluar Krishtlindjet me ne, prindërit e tij, është dhurata më e bukur për ne. Sepse kur rritesh, kjo gjë është zgjedhje. Do dhe e bën, ndërsa kur je i vogël është diçka që merret e mirëqenë.

Ai erdhi në shtëpi për herë të parë gjatë Krishtlindjeve të vitit 2004. Kisha frikë se mund të mos i pëlqente më festa me ne. Doja shumë të ishte gjithçka perfekte, sepse nuk zgjedh vetëm ti të bëhesh mama, zgjedh edhe fëmija yt të të ketë nënë. Pra, kur fëmija rritet, vjen një moment kur nuk e di se si do reagojë ndaj përpjekjeve të tua, se çfarë do të thotë dhe këtë frikë e kam pasur edhe unë.

Do të kthehesha pas për gjithçka. Do të doja të kthehesha pas edhe në kohë. Nëse do të kisha një shkop magjik, do ta kisha bërë. Kam bërë çdo gjë që më ka pëlqyer, por do ta bëja sërish çdo gjë dy herë dhe nuk do të humbisja asnjë moment të jetës sime”. – Maria De Filippi

Arrin një moment në jetë, kur ke mall të shohësh fëmijët pranë. Gjërat kanë ndryshuar aq shumë, dikur të gjithë jetonin në familje të mëdha, tashmë janë ndarë njerëzit dhe preferojnë familjet e vogla. Shumë të tjerë kanë preferuar edhe emigracionin, duke lënë plagë të hapura për prindërit. Momenti më i gëzuar në vit për ta janë festat, pasi mbajnë shpresë se fëmijët mund t’ju vijnë pranë. Këtë gjë shpreh edhe Maria De Filippi, e cila ndihet e lumtur që i biri i kalon festat me të dhe bashkëshortin e saj.

Kur fëmijët i ke të vegjël, e di se festat domosdo do i kalojnë me ty, por kur ata rriten është ndryshe. Pret shumë që zgjedhja e tyre të jesh ti si prind që t’i kalojnë festat, pasi gjithçka kalon në zgjedhje personale. Dhe të dhemb kur në kushtet e varfërisë, apo pandemisë, nuk të gjenden pranë. Por mos u shqetëso, mendo që kanë shkuar jashtë apo jetojnë larg teje për një jetë më të mirë. Mendo që ata synojnë mirëqenie dhe fatmirësisht, teknologjia do të ndihmojë t’i kesh pranë. Fol me ta, telefonoji, shikoji në video-telefonata. Hiqe disi mallin e madh që të djeg përbrenda në këtë mënyrë. E nesërmja do të sjellë padiskutim ditë më të mira. Shpreso që ata të jenë mirë dhe beso se një ditë, do të vijnë e do të takojnë. Askush nuk e harron prindin, vështirësitë të mbajnë larg prindit…

Back to top button