Një ditë të bukur vere, aty nga mesdita, një qetësi e thellë kishte zbritur mbi pyll. Zogjtë kishin futur kokat nën krahë dhe gjithçka ishte në pushim.
Një bilbil ngriti kokën dhe pyeti:
— “Çfarë është jeta?”
Të gjithë mbetën të tronditur nga kjo pyetje e thellë.
Një trëndafil sapo po dilte nga sythi i vet dhe po hapte, një nga një, petalet, duke shijuar rrezet e reja të diellit.
— “Jeta është një shndërrim i vazhdueshëm” tha.
Flutura ishte më pak filozofike. Ajo fluturonte lehtë nga një lule tek tjetra, duke shijuar nektarin e ëmbël kudo.
— “Jeta është kënaqësi e pastër dhe diell,” shpalli ajo.
Poshtë në tokë, një milingonë po lodhej duke tërhequr një fije kashte dhjetë herë më të madhe se vetja.
— “Jeta nuk është gjë tjetër veçse punë, djersë dhe mundim,” tha ajo.
Mund të kishte lindur një debat i gjatë për kuptimin e jetës, sikur të mos kishte filluar një shi i imët. Dhe shiu foli:
— “Jeta përbëhet nga lotë, asgjë tjetër përveçse lotë.”
Lart mbi pyll, një shqiponjë u lëshua me harkime madhështore në qiell.
— “Jeta,” tha shqiponja, “është një përpjekje e vazhdueshme për t’u ngritur lart.”
Ra nata, dhe një burrë po kthehej duke hequr këmbët zvarrë nga një festë.
— “Jeta,” u ankua ai, “është një kërkim i pambarimtë për lumturi dhe një varg zhgënjimesh.”
Pas natës së gjatë e të errët, më në fund erdhi agimi, i cili ngrihej me ngjyrën e tij rozë në horizont.
— “Ashtu si unë, agimi, jam fillimi i një dite të re, po ashtu jeta është fillimi i përjetësisë.”
Ritregim i një legjende suedeze / bota.al