Horizonti.al

Çfarë është testi psikologjik i pemës?

I krijuar nga Karl Koch në vitin 1949, ky test i tipit projektiv bazohet në interpretimin e një peme të vizatuar ose të imagjinuar, nga e cila mund të nxirren disa tipare të personalitetit të personit që po analizohet.

Ashtu si në testin e Rorschach-ut, nuk ka përgjigje të sakta apo të gabuara dhe konsiderohet një ndihmë e vlefshme për të kuptuar aspektet më të fshehta të mendjes dhe problemet e mundshme të pandërgjegjshme, veçanërisht ato me natyrë emocionale dhe afektive.

Sipas psikologëve, të projektohesh në formën e një peme do të thotë të dalin në pah gjendjet emocionale, mënyrat me të cilat krijohen marrëdhëniet njerëzore, prirjet, dëshirat e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, si edhe konfliktet e thella të brendshme.

Pema e imagjinuar apo e vizatuar interpretohet fillimisht në tërësi: Pozicioni i saj në fletë simbolizon mënyrën se si individi e sheh veten në raport me botën. Një pemë e vendosur në qendër tregon një person që priret të mbajë nën kontroll emocionet në favor të arsyes.

Përmasat kanë po ashtu domethënie: degë që dalin jashtë fletës janë shenjë e megalomanisë dhe tendencave maniakale, ndërsa një pemë shumë e vogël tregon pasiguri dhe mungesë vetëbesimi.

Drejtimi i degëve lidhet me qëndrimin shoqëror: nëse priren nga e djathta, tregojnë një personalitet ekstrovert dhe të hapur, ndërsa nëse priren nga e majta, flasin për një tip introvert dhe të përmbajtur.

Pas kësaj, analizohen pjesët e ndryshme të pemës, sepse secila lidhet me një aspekt të personalitetit.

Trungu përfaqëson karakterin; kurora (degët dhe gjethet) lidhet me botën shpirtërore, intelektin, imagjinatën dhe idealet; ndërsa rrënjët simbolizojnë raportin me të kaluarën dhe ndjenjën e stabilitetit.

Një pemë me trung të trashë, me kurorë të gjerë dhe të hapur, e me rrënjë të thella, tregon një karakter të fortë dhe me sens praktik (trungu), një natyrë të hapur, të disponueshme dhe ekstroverte (kurora), si edhe një personalitet të qëndrueshëm, realist dhe mirë të përshtatur me mjedisin (rrënjët). / bota.al

Back to top button