
Në origjinën e tyre mund të qëndrojë frika nga vetë frika. Sipas një teorie të zhvilluar nga Departamenti i Psikologjisë i Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA), sulmet e panikut mund të lindin nga një interpretim katastrofik i ndjesive të zakonshme e të parëndësishme, që burojnë nga trupi ose nga mendja.
Në thelb, personi i jep një kuptim të tepruar, negativ dhe patologjik ndjesive që në vetvete janë të zakonshme dhe të padëmshme – si rrahjet e shpejta të zemrës, marramendja, ndjesia e boshllëkut në mendje, apo edhe ndonjë lloj perceptimi i parregullt në fushën e shikimit.
Këto ndjesi, që normalisht lidhen me një reagim të zakonshëm ankthi, interpretohen si shenja kërcënuese, si paralajmërime për diçka shumë të rrezikshme.
Në këtë mënyrë, sipas studiuesve amerikanë, krijohet një rreth vicioz: frika gjeneron ankth të tepërt, i cili nga ana e vet i përforcon ato ndjesi fizike – dhe kjo rrit sërish frikën, deri në momentin kur ky qark i mbyllur përfundon në paralizën tipike të një sulmi paniku.
Universiteti i Kalifornisë e ka zhvilluar këtë model sjelljeje në mënyrë teorike, por studime të shumta kanë tashmë konfirmuar se prirja për t’u dhënë interpretime katastrofike ndjesive trupore është shumë e përhapur tek personat që vuajnë nga këto çrregullime. / bota.al





