Bota

Çfarë janë “Panama Papers”? Hollësitë e rrjedhjes më të madhe të informacionit në histori

Screen Shot 2016-04-03 at 22.59.37Çfarë është Mossack Fonseca?

Eshtë një kompani ligjore me qendër në Panama, shërbimet e të cilës përfshijnë inkorporimin e kompanive në juridiksione të huaja, si për shembull Ishujt Virxhin Britanikë. Ajo administron kompani në këto parajsa fiskale kundrejt një pagese të përvitshme. Shërbime të tjera përfshijnë menaxhimin e pasurisë.

Ku e ka qendrën?

Kompania është panameze por operon në mbarë botën. Faqja e saj e internetit lëvdohet për një rrjet global prej 600 personash që punojnë në 42 shtete. Ajo ka degë përreth botës, ku nëndegë që operojnë ndaraz janë në kërkim të klientëve të rinj dhe kanë të drejta ekskluzive të përdorin markën e saj. Mossack Fonseca operon në parajsa fiskale, duke përfshirë Zvicrën, Qipron dhe Ishujt Virxhin britanikë, si dhe në vende në varësi të Kurorës britanike, si Guernsej, Xhersi dhe Ishulli i Men.

Sa e madhe është?

Mossack Fonseca është ofruesi i katërt më i madh në botë i shërbimeve në parajsa fiskale. Ka vepruar për më shumë se 300 mijë kompani. Ka një lidhje të fuqishme me Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë se gjysma e kompanive janë regjistruar në parajsa fiskale të administruara prej britanikëve, si dhe në vetë Mbretërinë e Bashkuar.

Sa të dhëna janë nxjerrë?

Shumë. Rrjedhja është një prej më të mëdhave në histori – më e madhe se kabllogramët diplomatikë të nxjerrë nga ëikileaks në vitin 2010, si dhe dokumentat e fshehtë që iu dhanë gazetarëve nga Eduard Snoudeni në vitin 2013. Janë 11.5 milionë dokumenta dhe 2.6 terabajt informacion të nxjerrë nga baza e të dhënave të Mossack Fonseca.

A janë hajdutë të gjithë ata që përdorin llogaritë në parajsat fiskale?

Jo. Përdorimi i strukturave në këto parajsa fiskale është krejtësisht i ligjshëm. Ka shumë arsye legjitime për ta bërë këtë. Biznesmenë në vende si Rusia dhe Ukraina zakonisht i fusin pasuritë në parajsa fiskale për t’u mbrojtur nga “sulmet” prej kriminelëve, si dhe të shmangin kufizimet e monedhave. Të tjerë i përdorin për arsye trashëgimie dhe planifikim pronash.

A janë hajdutë disa prej atyre që i përdorin?

Po. Në një fjalim vitin e kaluar në Singapor, David Cameron tha se “të korruptuarit, kriminelët dhe pastruesit e parave” përfitojnë prej strukturave anonime. Qeveria po përpiqet të bëjë diçka për këtë. Ajo dëshiron të krijojë një regjistër qendror që do të zbulojë përfituesit e kompanive të tilla. Nga qershori, kompanitë britanike do të duhet të zbulojnë pronarët “e rëndësishëm” për herë të parë.

Cfarë thotë Mossack Fonseca për rrjedhjen e informacionit?

Kompania nuk diskuton raste specifike për keqbërje të qëllimtë, duke përmendur konfidencialitetin me klientin. Por ajo mbron sjelljen e saj. Mossack Fonseca thotë se zbaton ligjet kundër pastrimit të parave dhe kryen kontrolle të përpiktë mbi të gjithë klientët. Ajo thotë se ndien keqardhje për keqpërdorime të shërbimeve të saj dhe përpiqet aktivisht ta parandalojë. Kompania thotë se nuk është përgjegjëse për dështime të ndërmjetësve, që përfshijnë banka, kompani ligjore etj.

Ekipi i “Panama Papers”: Juliette Garside, Luke Harding, Holly Watt, David Pegg, Helena Bengtsson, Simon Bowers, Owen Gibson and Nick Hopkins

The Guardian: Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button