Nga Kenneth Chang
Bërthama e brendshme e Tokës duket se mban një sekret më të brendshëm. Tekstet e gjeologjisë përfshijnë pothuajse në mënyrë të pashmangshme një diagram të prerë të Tokës që tregon 4 shtresa që përvijohen mjeshtërisht: një guaskë e jashtme e hollë shkëmbinjsh mbi të cilën jetojmë ne, e njohur si kore; manteli, ku shkëmbinjtë lundrojnë si një lëng jashtëzakonisht viskoz, duke nxitur lëvizjen e kontinenteve dhe ngritjen e maleve; një bërthamë e jashtme e lëngshme prej hekuri dhe nikeli që gjeneron fushën magnetike të planetit; dhe një bërthamë e brendshme shumë e fortë.
Duke analizuar kryqëzimin e valëve sizmike nga tërmetet e mëdha, dy shkencëtarë australianë thonë se në qendër të Tokës ekziston një shtresë dukshëm e ndryshme. “Tani e kemi konfirmuar ekzistencën e bërthamës më të brendshme të Tokës”- thotë një nga shkencëtarët, Hrvoje Kalçic, profesor i gjeofizikës në Universitetin Kombëtar Australian në Kanberra.
Dr.Kalçiç dhe Thanh-Son Pham, studiues post-doktoral, vlerësojnë se bërthama më e brendshme e Tokës është rreth 1280 km i gjerë; teksa e gjithë bërthama është rreth 2400 km e gjerë. Gjetjet e tyre u publikuan së fundmi në revistën “Nature Communications”.
Ndërsa diagrami i prerë duket se përshkruan disa ndarje të qarta, njohuritë për brendësinë e thellë të Tokës janë pashmangshmërisht të paqarta. Pasi ajo gjendet gati 6400 km në qendër të Tokës, dhe ne e kemi të pamundur të shpojmë më shumë se disa km në koren e Tokës. Shumica e asaj që dihet mbi atë që fshihet poshtë nesh vjen nga valët sizmike, pra nga dridhjet e tërmeteve që udhëtojnë nëpër dhe rreth planetit.
Mendojini ato si një sonogram gjigant i Tokës. Dy sizmologë të Universitetit të Harvardit, Miaki Ishi dhe Adam Dzievonski, propozuan për herë të parë idenë e bërthamës më të brendshme të Tokës në vitin 2002, bazuar në veçoritë e shpejtësisë së valëve sizmike që kalojnë nëpër bërthamën e brendshme.
Shkencëtarët e dinin tashmë se shpejtësia e valëve sizmike që udhëtonin nëpër këtë pjesë të Tokës ndryshonte në varësi të drejtimit. Valët udhëtuan më shpejt kur shkonin nga poli në pol përgjatë boshtit të Tokës dhe më ngadalë kur udhëtonin pingul me boshtin. Gjeofizikantët besojnë se dallimi në shpejtësi – disa për qind më i shpejtë përgjatë shtigjeve polare – buron nga shtrirja e kristaleve të hekurit në bërthamën e brendshme.
Por në një rajon të vogël në qendër, valët më të ngadalta ishin ato që udhëtonin në një kënd 45 gradë me boshtin në vend të 90 gradë, thanë sizmologët e Harvardit. Të dhënat e disponueshme në atë kohë ishin shumë të pakta për t’i bindur që të gjithë. Matjet më të mira do të ishin valët sizmike që udhëtojnë nga origjina e një tërmeti drejt e poshtë në thellësi të Tokë dhe përmes bërthamës më të brendshme të saj.
Sidoqoftë, zbulimi i atyre kërkon në përgjithësi një sizmometër të vendosur pothuajse saktësisht në anën tjetër të Tokës, dhe kjo pikë është në mes të oqeanit. Studimi i ri përfitoi nga fakti se valët sizmike gjithashtu kthehen prapa. Kështu, një sizmometër afër epiqendrës mund të zbulojë reflektimin e valës që udhëtoi nëpër Tokë dhe u kthye prapa, duke kaluar 2 herë përmes bërthamës më të brendshme të brendshme. Ato gjithashtu mund të reflektohen përpara-prapa për herë të dytë, duke udhëtuar 4 herë nëpër bërthamën më të brendshme.
Vitet e fundit, janë vendosur një mori sizmometrash, sidomos në Shtetet e Bashkuara. Kombinimi i sinjaleve nga instrumente të shumta, mundësoi zbulimin e reflektimeve të zbehta që vijnë nga tërmetet me magnitudë 6 të shkallës Riher ose më të madhe. “Ne analizuam 200 ngjarje dhe zbuluam se 16 prej tyre i kishin këto valë kërcyese”- tha dr.Kalçiç.
Në tërmetin që goditi Ishujt Solomon në vitin 2017, valët që udhëtuan 5 herë nëpër bërthamën më të brendshme të Tokës, u zbuluan nga sizmometrat që ishin të pozicionuat rastësisht në anën tjetër të planetit. “Studimet e mëtejshme të këtyre valëve mund të na ndihmojmë të zbërthejmë në një mënyrë më të saktë strukturën e brendshme të bërthamës së Tokës”- thotë Xhorxh Helfrish nga Instituti i Teknologjisë në Tokio, Japoni, që nuk ishte i përfshirë në këtë hulumtim.
Nuk duket se ka ndonjë ndryshim domethënës në përbërje midis pjesëve të jashtme dhe më të brendshme të bërthamës së brendshme të Tokës, dhe tranzicioni duket gradual dhe jo shumë i fortë.
Vernon Kormier, profesor i fizikës në Universitetin e Konektikatit, që nuk ishte i përfshirë në këtë studim, thotë se kjo mund të tregojë një ndryshim në të kaluarën e lashtë të Tokës. Bërthama e brendshme është shumë e re, në aspektin gjeologjik.
Sipas Kormier, vlerësimet variojnë nga 600 milionë deri në 1 miliardë vjet. Kjo është vetëm një pjesë e historisë 4.5 miliardë vjeçare të planetit, dhe struktura e bërthamës së fortë duket komplekse. Në janar të këtij viti, disa shkencëtarë të tjerë raportuan se shpejtësia e rrotullimit të bërthamës së brendshme ndryshon.
“Arsyeja pse njerëzit vazhdojnë të studiojnë strukturën e brendshme të bërthamës është se ata përpiqen ta lidhin atë me fushën magnetike të Tokës. Ata përpiqen të identifikojnë një ndryshim në fushën magnetike të Tokës që mund të ketë ndodhur në të njëjtën kohë me ndryshimin në kristalizimin e bërthamës së brendshme”- thekson dr.Kormier. / “New York Times” – Bota.al