Analiza

Çfarë i ndan vërtet Europën veriore dhe Europën jugore?

Fabrizio Tassinari

Instituti Danez për Studime Ndërkombëtare

FolketingssalenTeksa Europa feston përvjetorin e dhjetë të zgjerimit drejt Lindjes, një perde e kristaltë ka rënë përgjatë boshtit veri-jug të kontinentit.

Kriza e borxheve sovranë mund të jetë fashitur për momentin, por ajo ka lënë pas një hendek që zgjerohet, mes vendeve financiarisht të devotshëm në veri të Alpeve dhe “xhepshpuarve” në Jug. Gjatë pesë viteve të fundit, kjo ndarje është shpjeguar me një sërë këndvështrimesh: që nga besimi social dhe mbledhja e taksave, tek solidariteti dhe përgjegjshmëria. Por, në themel të gjithë këtyre shpjegimeve është një dallim në qeverisje që i ka rrënjët të thella, një ndarje që po dëmton pëlhurën sociale dhe politike të Europës.

Kriza e euros nxorri në pah një dallim të madh në praktika dhe standarte, që nga cilësia e shërbimeve publikë, tek aftësia e qeverisë për të zbatuar politika, e deri tek kapja e shtetit nga interesa të veçantë. Sipas Bankës Botërore, në disa prej këtyre çështjeve, shteti jugor me performancë më të mirë, Spanja, ka 15 pikë më pak se sa Gjermania. Hendeku mes Holandës dhe Greqisë është mbi 15%. Shtetet nordikë janë vazhdimisht në dhjetë vendet e parë të Indeksit të perceptimit të korrupsionit që nxjerr Transparency International. Italia renditet e 69-a, mes Malit të Zi dhe Bosnjes.

Shkaqet e kësaj ndarjeje janë shumë më të vjetër se sa kriza. Ajo që i dallon dy gjysmat e Europës, argumenton politologu Francis Fukuyama, është prania në Veri “e një koalicioni politik që mbron autonominë e burokracisë”. Shërbimi civil aty perceptohet kryesisht si i paanshëm dhe atij i besohet garantimi i vazhdimësisë së politikëbërjes. Nga ana tjetër, dështimet e qeverisjes në Europën jugore, janë të lidhura ngushtë me format e përhapura të klientelizmit, që varros meritokracinë dhe pengon reformat.

Në Jug, legjitimiteti i burokratëve të pazgjedhur me votë në Bruksel, buronte pikërisht prej aftësisë së tyre për të mbushur këtë hendek. Në këmbim, institucionet europianë kanë funksionuar me supozimin që reformat janë në interes të çdo shteti, dhe të mbështetur prej shteteve anëtarë të BE nga veriu, kanë imponuar masa kursimi ndaj shteteve të jugut përmes një gjuhe standartizuese që flet për konvergjence graduale. Megjithatë, kriza ka zbuluar se në të vërtetë Europës Jugore i është kërkuar të adoptojë një seri normash – si ato të reformës së tregut të punës – që kanë si model Veriun e zellshëm. Performanca thellësisht e ndryshme është pasojë e një kuptimi në thelb të ndryshëm mes detyrimeve, apo edhe pritshmërive që populli ka prej kontrates sociale.

Teksa Europa zhytej edhe më thellë në krizë, fituan terren shpjegimet kulturorë. Vëzhguesit jugorë përsërisnin vazhdimisht se në gjermanisht, Schuld do të thotë edhe “borxh”, edhe “faj”. Tabloidët në Europën Veriore u mbushën me ide për të “hipotekuar” Partenonin, si zgjidhje për krizën greke. Jo shumë thellë nën sipërfaqe, lihej të kuptohej se Jugu është i paaftë të bëjë reforma.

Hendeku në qeverisje ka shkaktuar një fenomen që mund të pagëzohet si “meridionalizëm”. Kritiku Edward Said ka argumentuar se Orientalizmi është “distilimi i ideve thelbësore të Orientit – sensualiteti, tendenca drejt despotizmit, mentaliteti jonormal, zakoni i pasaktësisë, prapambetja – në një koherencë të veçantë dhe të pakundërshtueshme”. Duke zëvendësuar Orientin me Europën Jugore, mund të krijosh një ide të përgjithshme se si paragjykimet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në narrativën europiane. Jo gjithçka që thuhet për Jugun e Europës është e pasaktë, por “meridionalizmi” ka dëmtuar vetë qëllimin e zgjidhjes së krizës.

Zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian do të shënojnë një moment shumë të rëndësishëm në këtë zhvillim. Tashmë “kocka” politike ka ndryshuar, nga objekt i grindjes mes të majtës dhe të djathtës, në objekt të grindjes mes një qendre gjithmonë në zvogëlim që mbështet ortodoksinë europiane, dhe periferive populiste që e kundërshtojnë si burimin kryesor të stanjacionit. Thjeshtë qëndrimi në shtegun e disiplinës buxhetore dhe reformave strukturore nuk do të mjaftojë për t’iu kundërvënë axhendës së euroskeptikëve.

Me qëllim që të fitojnë një mandat për reforma dhe rritje ekonomike, politikëbërësit pro Europës duhet të ndalojnë së konsideruari të mirëqenë ndarjen Veri-Jug. Shumica e votuesve mund ta rrokin natyrën e këtij problemi, qoftë edhe për shkak të keqkuptimeve të shumtë që e rrethojnë. Debatimi i origjinës së tij do të nxjerrë zbuluar varfërinë e argumentave të euroskeptikëve. Edhe axhenda teknokrate që ka orientuar politikën europiane do të vihet në provë.

Mbi të gjitha, debati mbi politikat publike duhet të orientohet për të cilësuar hendekun në qeverisje, përmes shpjegimit të pasojave që ka për stabilitetin dhe prosperitetin europian. Një Europë e ndarë ushqen provincializmin, krijimin e stereotipeve dhe ekstremizmin. Nëse qëllimi i zgjedhjeve është të riforcojnë marrëdhënien mes institucioneve dhe qytetarëve, atëherë duhet të fillojmë me pranimin e limiteve të konstrukteve tanë politikë. Eshtë taktikë e mençur, sepse në fund të fundit, në lojë është paqja demokratike e Europës.

Leave a Reply

Back to top button