Analiza

Cipras sërish tek Putini. Kush ka frikë nga Aleksisi?

Screen Shot 2015-06-20 at 18.57.37

Nga Teodor Andreadis Synghellakis

Kryeministri grek Aleksis Cipras, vizitoi dje Shën Petersburgun, për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, që po zhvillohet në qytetin e Pjetrit të Madh.

Diskutimet u përqëndruan sigurisht tek çështjet ekonomike, edhe pse burimet nga qeveria ruse, bënë me dije se pala greke nuk paraqiti asnjë kërkesë zyrtare për ndihmë financiare. Megjithatë, të dyja vendet, kanë patur mundësinë për të diskutuar mbi projektet e përbashkëta mbi energjinë, me referencë të veçantë tek ndërtimi i gazsjellësit “Rrjedha Turke”, që do të duhet të kalojë përmes Greqisë, si dhe për investimet ruse në territorin grek.

BKT

Duke patur parasysh edhe rrethanat shumë të veçanta, në të cilat zhvillohet vizita e udhëheqësit grek (një moment, kur qarkullojnë vazhdimisht zërat, për një prishje të mundshmë të negociatave me kreditorët e Athinës), të vjen pothuajse natyrshëm të pyesësh:kush ka frikë nga Aleksis Cipras?

Sipas shtypit grek, Athina mund të sigurojë një kredi me afatshkurtër, rreth 15 miliardë euro nga Kina dhe Rusia, si një paradhënie për një seri partneritetesh dhe investimesh në të ardhmen. Paralelisht me këtë lajm, ditët e fundit janë shumëfishuar thirrjet dhe marrja e pozicioneve të ashpra, nga ana e përfaqësuesve të ndryshëm të institucioneve të Komisionit Evropian- siç ishte ajo e Presidentit të Parlamentit Evrpian, Martin Shulc, që nxitoi të theksonte se Greqia nuk duhet të heqë dorë nga politika e rreptë evropiane ndaj Rusisë, që çoi edhe në ngritjen e sanksioneve ekonomike ndaj Moskës.

Unë nuk e di nëse kjo mund të përcaktohet si një arsyetim “politikisht korrekt”, por pyetja është mjaft e veçantë:në njërën anë ekziston frika se qeveria greke, mund ta nxjerrë Moskën nga izolimi, duke i dërguar një mesazh të fortë me karakter simbolik, që kundërshton qëndrimet e deritanishme nga shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, nga ana tjetër këmbëngul se Greqia duhet të ndjekë duke zbatojë, pa replikuar, kërkesat e kreditorëve, duke shkurtuar sërish pensionet dhe rritur TVSH- edhe mbi farmacistët- përkundër përpjekjeve për t’i mohuar këto masa.

Në këtë pikë, që është edhe thelbi i vërtetë i negociatave, qeveria e Aleksis Cipras, ishte më shumë se e qartë:Greqia duhet të ketë të drejtën të kundërpropozojë masa alternative, dhe vendosë sesi të mbledhë 5 miliardë euro kursime të kërkuara nga institucionet kreditore. Dhe kjo, sepse pavarësisht spiraljes së borxheve në të cilën ka rënë kryesisht për shkak të masave shtrënguese, ajo vazhdon të jetë një vend sovran.

“Rritja e shpenzimeve të pensioneve, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto vitet e fundit, dhe kjo është vetëm për shkak të rënies së mprehtë të PBB-së së Greqisë”-shkroi Cipras në një artikull të botuar ditët e fundit në gazetën gjermane “Taggesspiegel”, në një përpjekjë për t’i komunikuar drejtpërdrejti vizionin e tij opinionit publik gjerman.

Ai ndërkaq shtoi, se problemi nuk është mosha mesatare e daljes në pension të grekëve, e cila është pothuajse identike me atë të gjermanëve. Përkundrazi, problemi qëndron tek rritja e fortë e papunësisë (që vitet e fundit i ka kapërcyer 26 përqind), dhe shembja e mëvonshme e sistemit të kontributeve të paguara në fondet e ndryshme të sigurimeve shoqërore.

Çështja është gjithmonë e njëjtë: nuk mund të insistohet tek shkurtimet lineare, duke propozuar të njëjtën recetë, që ka shkaktuar aq shumë dëme nga viti 2010 e deri më sot; është i nevojshëm më shumë se kurrë, një plan i vërtetë, konkret, për të rimëkëmbur ekonominë dhe rritur punësimin, në Greqi dhe më gjerë.

Është pikërisht kjo, ajo që duhet të kuptojnë, udhëheqësit dhe drejtuesit e institucioneve evropiane, më shumë sesa të kenë frikë nga rezultatet e takimit të rradhës – që me shumë gjasa do të pasohet nga të tjerë edhe në të ardhmen- mes kryeministrit grek Cipras dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Shënim: Theodor Andreadis Synghellakis është shkrimtar dhe gazetar.

Burimi: “Huffington Post”

Në shqip nga: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button