MagazineMAIN

Dan Brown: Sekretet e mia të fundit

«Është libri im më i ndërlikuar, më janë dashur shtatë vjet për ta përfunduar. Eshtë i mbushur me noetikë, pra me mundësinë për të hyrë në dije të ndërlikuara duke kapërcyer kufijtë e pesë shqisave tona dhe fuqinë e arsyes. Më është dashur shumë energji për ta çuar deri në fund. Dhe vetëm kur vura pikën e fundit, kuptova që koha kishte kaluar: pata frikë se njerëzit kishin harruar Robert Langdon-in, protagonistin e sagës sime. Në vend të kësaj, më duket se ka një pritje të madhe.»

Dan Brown, romancieri i 250 milionë kopjeve të shitura në botë, shfaqet si “Zoti Bestseller” që në orën nëntë të mëngjesit. Me xhaketë blu dhe këmishë Brooks Brothers, të pret në studion e tij neogotike me ballkon, pasi dera të është hapur nga Judith Pietersen, holandeze, stërvitëse kuajsh, 30 vjet më e re se shkrimtari 61-vjeçar, shkak i divorcit të shtrenjtë nga ish-bashkëshortja Blythe në vitin 2020, të cilës Brown iu desh t’i jepte 50% të pasurisë.

«Mirë se erdhe në “fortesën time të mirënjohjes”» – thotë ai, duke të ofruar karrigen pranë oxhakut, ndërsa Winston, labradori shtatëvjeçar, shtrihet në mes. Një makinë shkrimi e vjetër, një bust i Dantes, një glob antik: «Suvenire italiane», qesh, duke kujtuar kohën e kaluar në Itali. «Nuk është studioja ku punoj», pranon: «Këtu mbaj nga një kopje të çdo libri tim, në 57 gjuhët ku janë përkthyer. Dhe këtu…» – heziton. Pastaj ngrihet, prek cepin e një pasqyre dhe – si me magji – hap një ndarje të fshehtë: «… këtu ruaj kujtimet më të dashura.»

Dhe të befason duke të treguar Cryptex-in origjinal të përdorur në xhirimet e Kodi i Da Vinçit. Pastaj të lë përsëri pa fjalë, duke zbuluar një dhomë të tërë pas një portreti zonje, përballë një altari prej hekuri të farkëtuar plot me libra, të lashtë dhe të rinj, mes tyre edhe Engjëj dhe demonë: «Janë librat e ndaluar nga Kisha Katolike.»

Tipik Dan Brown. Nuk je as dhjetë minuta në shtëpinë e tij dhe ai të mahnit duke të shpalosur zbulesa të vogla, gati sikur edhe ti të kishe rrëshqitur brenda faqeve të romanit të tij të ri, shumë të pritur: Sekreti i fundit, botuar më 9 shtator në mbarë botën.

Dan Brown ka nisur të shkruajë për fëmijë dhe për gra beqare, përpara se të bëhej një nga autorët më të lexuar në botë. Fillimisht duke treguar për dashurinë mes Jezusit dhe Magdalenës te “Kodi i Da Vinçit”, pastaj duke i dhuruar Papës një fëmijë përmes inseminimit artificial në “Engjëj dhe djaj”, dhe madje duke parashikuar pandeminë me “Inferno”. Në librin e ri, rikthen personazhin Katherine Solomon, të njohur nga “Simboli i humbur”, duke iu kthyer një fiksimi të vjetër: noetikës.

A besoni vërtet në të?

«Prej vitesh e studioj. Në fillim qasja ime ishte skeptike, si ajo e Langdon-it. Pastaj pashë eksperimentet, fola me shkencëtarët dhe u binda se dimë ende shumë pak për mënyrën se si funksionon mendja jonë. Ndoshta pas pesëdhjetë vjetësh, njerëzit do të thonë: “A mban mend kur fuqia e mendjes konsiderohej qesharake?”».

Ndryshe nga autorët që shpikin sisteme shkencore për t’i bërë të duken reale, ju citoni studime reale duke i bërë të duken fantashkencë…

«Ky është kuptimi i shkrimit tim. Nuk kam përgjigje, por më pëlqen t’i shtyj njerëzit të bëjnë pyetje. Kërkimi po eksploron fusha aq të largëta nga modelet e njohura, saqë shpesh duket absurd. Por si të shpjegosh rastet e atyre që zgjohen nga trauma me aftësi që nuk i kishin – si njohja e një gjuhe të huaj? Ka nga ata që hamendësojnë se truri është një lloj marrësi me funksione të tjera nga ato që i kemi atribuar deri tani.»

Në roman ju citoni disa shkencëtarë. A patët kontakte direkte me ta?

«Dialogu me ta ishte pjesë e angazhimit të madh për këtë libër: çdo herë duhej të përgatitesha mirë për të mbajtur biseda të thelluara dhe për të kuptuar përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të mia. Shumë prej tyre u gëzuan që u përmendën në roman me studimet e tyre. Jo të gjithë. Disa materialistë u përgjigjën me ashpërsi: “Sistemi ekzistues është i vlefshëm dhe ju jeni të çmendur”.»

Prekni temën e delikate të jetës pas vdekjes.

«Isha me mamanë time kur vdiq, tetë vjet më parë. Kushdo që ka përjetuar një moment të tillë e di që kalimi nga jeta në vdekje është një çast i madh konfuzioni: personi i dashur largohet duke marrë me vete gjithçka – një pasuri shpresash, ëndrrash, dashurie e dijesh. Nuk arrija ta pranoja: dhe kjo ishte një nga arsyet që më shtyu të shkruaja librin. Falë kërkimeve të mia, sot besoj se njerëzit nuk vdesin vërtet. Përkundrazi, çlirohen dhe bëhen pjesë e diçkaje më të madhe dhe më të mirë.»

Çfarë raporti keni me fenë? Nuk keni qenë kurrë i butë me Kishën Katolike…

«Si fëmijë i përkisja Kishës episkopale dhe isha shumë fetar. Më pas, në shkollë të mesme, studjova për origjinën e universit, Big Bang-un. Ia kërkova shpjegimin pastorit tim, sepse Bibla fliste për krijim hyjnor. Ai, i zënë ngushtë, më tha se nuk ishin pyetje për t’u bërë: dhe kjo më largoi nga feja. Më vonë, duke thelluar studimet shkencore, kuptova se në një pikë fizika bëhet metafizikë, numrat kthehen imagjinarë dhe në shkencë shfaqet një rend tjetër. Kjo gjë më bën sot një person shumë spiritual.»

Megjithatë, ashtu si Langdoni, dukeni shumë pragmatik.

«Më mërzitin dogmat fetare. Sfida e madhe e atyre që kanë besim është të kuptojnë se historitë e shenjta nuk janë fakte, por mësime të dhëna në mënyrë metaforike. Nëse njerëzit i marrin fjalë për fjalë, ato bëhen të rrezikshme. Kush vret dikë sepse nuk beson në Zotin e tij ka humbur rrugën.»

Pas Opus Dei, tani ngacmoni madje CIA-n. Nuk keni frikë të krijoni armiq të rinj e të fuqishëm?

«Shiko, edhe në Romë e kanë kuptuar që Kodi i Da Vinçit ishte thjesht një roman. Dhe nëse arrin deri në fund të Sekretit të fundit e kupton… por nuk dua t’ua prish surprizën lexuesve. Mjafton t’ju them këtë: unë kërkoj teatralitetin, më pëlqen të lëviz në zonën gri të moralit, aty ku luhatesh mes të drejtës dhe të gabuarës. Kjo e bën letërsinë më të madhe. Më kujtohen polemikat e shkaktuara nga Inferno, që trajtonte çështjen e mbipopullimit të planetit. Një problem real që ngre një pyetje të rëndësishme: për të shpëtuar racën njerëzore, a duhet të sakrifikohet një pjesë e saj?»

Këto duken si tezat e “jetëgjatësisë” të dashur për Elon Musk…

«Problemi është real. Burimet që kemi nuk do të mjaftojnë për të ushqyer një popullsi që po rritet me ritme shumë të shpejta…».

Në romanin e ri, një nga personazhet flet me skepticizëm për inteligjencën artificiale. Po ju?

«IA ekziston, ndërveprojmë me të çdo ditë pa e kuptuar. Për fat të mirë, si mjet krijues ende nuk është aq e rafinuar. Provova t’i kërkoj të më shkruante një kapitull në stilin tim dhe nuk doli gjë e madhe: kjo më qetësoi. Sigurisht, ajo po përmirësohet: në përpjekjen e ardhshme mund të bëjë më mirë se unë. Por ata që rrezikojnë më shumë janë të rinjtë: mund t’u dobësojë aftësitë analitike dhe të kuptuarit. Por më kujtohet kur dolën makinat llogaritëse elektronike, babai im, profesor matematike, u kërkoi nxënësve të sillnin ato në klasë: “Duke i përdorur,” – thoshte – “nuk do të humbasin kohë. Unë u mësoj operacionet e ndërlikuara, por pastaj nuk duhet të kalojnë kohën duke i bërë ato dhe mund të fokusohen në probleme më të mëdha”. Po kështu, edhe IA një ditë mund të na ndihmojë të jemi më produktivë dhe më të aftë. Për momentin, nuk jemi aty.»

Në librat tuaj ka gjithmonë puzzle për t’u zgjidhur dhe konspiracione për t’u zbuluar. Ç’raport keni me realitetin? Mendoni vërtet se ka diçka më shumë se ajo që shohim?

«Nuk e pyes më veten: e di që gjithmonë ka diçka më të ndërlikuar. Por nuk i referohem konspiracionistëve politikë, njerëz të paaftë të përballojnë kaosin e realitetit dhe që shpikin një rend të tyrin. Flas për diçka përtej realitetit të dukshëm, për atë që studion noetika: paranormale, eksperienca jashtëtrupore, etj. Çështje për të cilat kam qenë skeptik, por mbi të cilat më është dashur të ndryshoj këndvështrim: për të bindur një tip pragmatik si Langdon-i im, së pari duhej të bindja veten. Kjo nuk do të thotë që nuk kam një marrëdhënie të fortë me realitetin. Ato që citoj në librat e mi janë të vërteta: shkenca, filozofitë, eksperimentet, dokumentet, vendet…».

Meqë ra fjala tek vendet: pse e latë Italinë dhe e vendosët romanin e ri në Pragë?

«Një qytet magjik, kryeqyteti mistik i Europës: e zgjodha kur kuptova që do të shkruaja për ndërgjegjen intuitive, sepse lidhjet historike me mistikën atje janë shumë të thella. Kalova shumë kohë duke e eksploruar. Në Pragë, perandori Rudolf II – një mistik i madh – u rrethua me alkimistë dhe kabalistë si Kepleri dhe Judah Loew ben Bezalel, i njohur si Maharal. Ai e shndërroi qytetin në një qendër kërkimi mbi mistikën dhe artet okulte, dhe në oborrin e tij zhvilloheshin studime mbi gurin filozofal dhe eliksirin e jetës së përjetshme.»

Nuk mund të mungonte Golemi…

«Një kufomë e ngjallur që bëhet mbrojtës i madh: një legjendë magjepsëse, e lidhur thellësisht me historinë e Pragës. Doja ta risillja mitin pa qenë didaktik: Golemi im jeton legjendën, mendon se është pjesë e traditës, por është një lloj tjetër antagonisti. Në këtë libër, të gjithë të këqijtë bëjnë gjëra të gabuara, është e vërtetë – por për arsye të drejta.»

Romanet tuaj shpesh frymëzojnë itinerare turistike. E dini këtë?

«Sigurisht. Në Romë, itinerari për të arritur iluminimin ishte shumë specifik dhe është edhe ky. Por unë nuk mendoj kurrë për turistët: për mua është një lloj kërkimi thesaresh. Është një traditë familjare: babai im, profesor në kolegjin e Exeter-it – qyteti ku linda, disa kilometra larg nga këtu – i organizonte ato në mëngjesin e Krishtlindjeve. Nuk kishte dhurata pa zgjidhur enigmat. Sot është 89 vjeç dhe shumë i kthjellët: ende i organizojmë, bashkë, për nipërit.»

Babai juaj jepte mësim në Phillips Exeter Academy…

«Të rritesh në një ambient krejt akademik ishte një privilegj. Në atë kohë, heronjtë e mi ishin të gjithë mësuesit. Nuk është rastësi që Robert Langdon është një profesor i dalluar, krenar, gjithmonë i veshur me tweed, profesor në një universitet elitar si Harvard-i.»

Harvard-i është një nga universitetet e goditura nga Trump. Nga cila anë qëndron profesori juaj?

«Oh, jo, ju lutem: të mos flasim për politikë!»

Po çfarë raporti keni me Langdon-in?

«Ai është personi që do të doja të isha. Vetëm që është më i guximshëm, më inteligjent dhe më “cool” se unë. Dhe nuk plaket kurrë: kjo është një nga gjërat që më pëlqen më shumë te ai.»

Por ju keni më shumë sukses…

«Është e vërtetë, librat e mi shiten pak më shumë se të tij… Por ai është vërtet pjesë e imja, është gjithmonë në mendjen time, e shoh botën përmes syve të tij. Është një mik që më sfidon vazhdimisht me skepticizmin e tij.»

Keni menduar ndonjëherë ta “vrisni”, siç bëri Conan Doyle me Sherlock Holmes?

«Mund të lë një libër përgjysmë, por jo protagonistin tim. Pas tre vjetësh pune mbi këtë roman, pothuajse ndodhi. Në një moment përmbysa gjithë narrativën dhe fshiva një personazh që kishte mbetur aty për tre të katërtat e dorëshkrimit. Por unë nuk jam një që heq dorë: përplasem me murin derisa, ose thyhet muri ose çahet koka ime. Dhe edhe pse nuk jam më shumë i ri, jam mjaftueshëm i ri për të besuar se do të shkruaj ende gjatë për të. Ta bëj të vdes është të paktën e parakohshme.»

Rikthehet edhe Katherine Solomon…

«Një mike e vjetër me të cilën Langdoni më në fund bie në dashuri. Deri tani ka qenë një beqar i pandreqshëm, në çdo aventurë takonte një grua të bukur me aftësi funksionale për historinë. Këtë herë doja të tregoja një tjetër anë të tij: e futa në një marrëdhënie më serioze.»

Ju ndodhi edhe ju?

«Po, jam i fejuar me një grua të mrekullueshme, personin më të sjellshëm dhe të mirë që mund të takoja. Dhe jam shumë i lumtur.»

Në Hollywood tashmë fërkojnë duart: kur do të vijë filmi i ri?

«Sapo kam firmosur një marrëveshje me Netflix për ta kthyer në një seri me 8 episode. Më ka pëlqyer të punoja me Ron Howard dhe Tom Hanks: ishte një nder i madh. Por ky libër është një sfidë më e madhe. Është shumë e vështirë të përmblidhet në dy orë, do të duhen 12.»

Dhe do të jetë gjithmonë Tom Hanks që do të luajë Langdon-in?

«Jo, do të jetë një aktor më i ri. Sepse tani do të realizojmë serinë nga romani i ri, pastaj nga Origjina (2017) dhe pastaj nga të tjera që do të shkruaj. Duam dikë që mund ta interpretojë personazhin për shumë kohë. Sado që e admiroj Hanks-in, dhe jam vërtet i lumtur që deri tani Langdonin e ka luajtur ai, duhet ta pranoj: nuk i ngjan aspak Langdon-it që kisha në mendje. Para filmit kisha shkruar tre romane me të dhe e kisha imagjinuar ndryshe. Gjithsesi, ende nuk e di kush do të jetë Langdon-i televiziv. Skenari nuk është shkruar dhe casting-u nuk është bërë.»

Si është të shndërrosh një libër në film?

«Një eksperiencë interesante. Nuk mund t’i fusësh të gjitha dhe duhet të shkurtosh shumë. Dhe pastaj humb kontrollin mbi krijesën tënde, duhet të bësh kompromis me nevojat e shumë profesionistëve të tjerë. Gjithmonë jam ndjerë një lloj turisti në setet e filmave të bërë nga librat e mi. Sa herë që më vinte një ide, Ron Howard më shpjegonte me edukatë pse nuk mund të bëhej: dhe gjithmonë kishte të drejtë. Kam mësuar se filmat nuk bazohen kurrë te libri që ke shkruar, por te historia që ke shpikur.»

E ardhmja? Si e shihni?

«Jam optimist. Kemi teknologji të reja me të cilat mund të përballemi me urinë, ndotjen, ngrohjen globale. Megjithëse mbetet gjithmonë rreziku që ato të përdoren në mënyrë armiqësore. Edhe protagonistja ime thotë për noetikën: nuk duhet përdorur si armë. Kam frikë se është naive të mendosh se nuk do të tentohet të përdoret kontrolli i mendjes për qëllime luftarake. Nga zjarri te kompjuteri, ne njerëzit gjithmonë i kemi përdorur zbulimet për t’u vrarë me njëri-tjetrin. Për fat të keq, teknologjia dhe etika nuk ecin me të njëjtin ritëm. Duhet të përpiqemi t’i bëjmë të përkojnë: ndryshe rrezikojmë të krijojmë vazhdimisht mjete të reja shumë të fuqishme pa patur pjekurinë shpirtërore të nevojshme për t’i menaxhuar.» / Il Venerdi – Bota.al

Back to top button