Your Life

Dashuria e një nëne nuk mund të shprehej më bukur, se me një mesazh që i bëri të gjithë të përloteshin…

“The simple message that brought this middle school class to tears” është titulli i një videoje në YouTube që fillimisht më tërhoqi për numrin e lartë të klikimeve që kishte. E hapa dhe shoh një djalë të flasë rreth dashurisë së nënës së tij. Të gjithë në sallë u përlotën. Këto ishin fjalët e tij :

“Mamaja ime më inkurajoi vazhdimisht të isha më i miri në sporte dhe dhurata më e madhe që më dha, ishte besimi i saj tek unë. Ka pasur tri raste kur unë kam qenë në rrezik jete a vdekje, por tani mendoj se jam këtu për një arsye.
Më tregoni miqtë tuaj dhe unë do t’ju flas për të ardhmen tuaj. Si e di unë këtë gjë? Sepse unë u ngatërrova me dështakë dhe u bëra më dështak se ata. Shkonim në orën 2, 3 ose 4 të mëngjesit të dehur në shtëpira. Mamaja më priste e merakosur dhe kur unë, i pirë, nuk orientohesha dot në shtëpi, ajo më thoshte : “Mark, në anën e djathtë”. Dhe unë në atë moment mendoja : “Bohh mami qenka zgjuar”. Ajo nuk shkonte në shtrat pa u siguruar që djali i saj ishte i gjallë dhe duke fjetur në dhomën tjetër.
Më afrohej dhe më pyeste : “Hej, Mark, si shkoi dita sot?”. Unë tërë lodhje dhe përbuzje ia ktheja : “Ohh ma, natën e mirë! Po shkoj në shtrat”.
“A mund të flasim për pak minuta, Mark?” – më pyeste.
“Ma, jam i lodhur”, – i përgjigjesha unë.
Pastaj, e acaruar, ajo më bërtiste : “Mark, nuk të kam parë gjithë ditën dhe gjithë natën. A mund të flasim bashkë?”.
“Më lër rehat” – ia ktheja unë dhe përplasja derën e dhomës së gjumit. Ndërkohë ajo ishte personi i vetëm që besonte tek unë.

Isha në një turne botëror në Japoni dhe pas një dite të lodhshme, shkova të flija në hotel. Rreth orës tre të mëngjesit dëgjova dikë të trokiste në derë. Përmes syrit magjik pashë dikë nga personeli i hotelit, hapa derën dhe ai më tha : “Mark, ka ndodhur diçka e rëndë, duhet të telefonosh në shtëpi”. Telefonova shtëpinë time në SHBA dhe m’u përgjigj vëllai. I përlotur, pas këmbënguljes sime që të më thoshte se çfarë kishte ndodhur, ai më tha se mami kishte vdekur.

Lashë telefonin, vrapova nëpër hotel, dola në rrugë dhe bërtisja vetëm : “Ma, më fal!”

Udhëtova për në shtëpi për funeralin e saj. Shikoja nga larg arkivolin e saj dhe vetëm thoja : “Ma, të lutem, zgjohu!”.

Pastaj e mora guximin të afrohesha dhe ajo dukej shumë e bukur. E kishin veshur me të bardha dhe dukej si një engjëll. Thashë : “Ma, ti je heroina ime. Ky që jam, ky që gjithmonë shpresoja të isha, ka ndodhur falë teje. Ti më doje shumë, më dhe jetë, punoje dy punë. Ishe e vetmja që besoje pafund tek unë”.

Por si ia shpërbleja unë besimin? Duke u dehur, duke u droguar, duke u marrë me dështakë. Ndërkohë, ajo që mamaja ime kërkonte përherë, ishte vetëm të fliste me mua. Nëse i keni prindërit tuaja, thojani se sa shumë i doni.

Unë e vrisja mendjen vetëm për t’u bërë i famshëm dhe i pasur. Unë duhet ta fitoja atë garë. Duhet të isha i pari, më i pasuri, më i përfoluri. Por për çfarë? Për të qenë më i vetmuari i kësaj bote? Jeta nuk ka të bëjë me të fituarit e një gare. Jeta ka të bëjë me rrugën që ndjekim për të mbërritu në fund të një gare, dhe me sa njerëz ndihmojmë ne për të shkuar deri në fund të garës së tyre; ka të bëjë me ndaljen e egoizmit dhe ndihmesën kundrejt njerëzve në nevojë;  sepse në fund, mund të jeni vetë ju që do të keni nevojë për ndihmë, në mënyrë që t’i jepni fund garës që synoni.

Unë mësova atë që është më e rëndësishmja të dihet, se sa e çmuar është dhurata e jetës dhe se sa shpejt mund ta humbasim atë. Nuk ka rëndësi se çfarë keni në xhep, por se çfarë keni në zemër. Dashuria është thjesht një fjalë, derisa të vijë dikush në jetën tuaj për t’i dhënë kuptim. Ju jeni kuptimi i saj”. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button