Historia e dashurisë midis Tottit dhe Ilaryt është rrëfyer nga vetë futbollisti me fjalët e mëposhtme:
“E kam parë fillimisht në television, kur punonte si velinë dhe në atë moment i thashë mikut tim: “Ajo do të bëhet gruaja ime, jam i çmendur pas saj”. Në atë kohë, Illary ishte më ndryshe, nuk ishte aq e bukur, ishte më topolake. E kam bërë unë më të bukur. Ose jo, ka qenë përherë e bukur, thjesht ishte më e re. Pra, më bëri shumë përshtypje që në fillim. Një miku im njihte motrën e saj dhe një ditë, ishim të gjithë duke festuar së bashku.
Motra e saj më tha që Ilary ishte e fejuar. Unë ia ktheva: “Është për momentin e fejuar, më vonë nuk i dihet”. Më vonë e takoj në një pub. Ajo ishte shumë e acaruar, sepse kishte humbur celularin. Takimi zgjati vetëm 30 sekonda dhe më vonë ajo iku me motrën. Në ato sekonda i kërkova numrin e saj dhe filluam të bisedonim me mesazhe. Bisedat nuk ishin kushedi se çfarë, sepse ajo ishte e fejuar dhe tepër besnike.
Më vonë e ftoj në një ndeshje të Romës, në derby. Porosis një bluzë të veçantë për të, edhe pse mes nesh nuk kishte ndodhur asgjë, asnjë puthje. Mendova: “Çfarë t’i shkruaj në bluzë? Të dua?”, por më pas mendova se gjëja më e mirë që mund t’i shkruaja ishte: “Je unike”. Ama për t’ia treguar bluzën, duhet të shënoja gol. Duhet të përkushtohesha fort. Motra e saj, vetëm një ditë më parë, më thotë që Ilary nuk mund të vijë në ndeshje. Nuk fle gjithë natën nga ai lajm.
Në orën 12:30 të ditës së nesërme, pra të ditës së ndeshjes, i shkruaj një mesazh: “Ç’kemi, si je?”. Ajo nuk m’u përgjigj menjëherë dhe unë vazhdova të haja vaktin e drekës duke e mbajtur celularin pranë. Rreth orës 13:45 ajo më shkruan: “Jam në tren. Po vij të shoh ndeshjen”. Fillova të hidhesha përpjetë nga gëzimi, dukesha si i çmendur. Dukesha sikur kisha parë virgjëreshën Mari. Isha shumë i lumtur.
Për fatin tim, bëj ndeshjen më të mirë në 25 vitet e karrierës sime, shënoj një nga golat më të bukur dhe i dedikoj bluzën me shkrimin. Për mua ajo është unike si nga aspekti fizik, si mama, si person, si gjithçka. Unë jam xheloz, nuk jam posesiv, ama jam xheloz. Ajo është më tepër xheloze se unë. I kam thënë se doja pesë fëmijë dhe Ilary më shihte sikur të isha budalla. Pak nga pak do e bind. Dashuria e vërtetë vjen duke u forcuar dhe më fëmijët forcohet akoma më shumë”.