Your Life

Dashurohemi vetëm tri herë në jetë dhe në secilën herë, për një arsye të ndryshme…

Në jetë njohim shumë njerëz, por vetëm me disa arrijmë të provojmë një ndjesi ndryshe, atë që të gjithë e quajnë dashuri. Sot nuk duam të shpjegojmë se çfarë është dashuria, sepse gjithkush ka një koncept të vetin për këtë ndjesi. Mirëpo, sipas studimeve thuhet se ne dashurojmë vërtet vetëm tri herë në jetë. Jeni ose jo dakord, ne ju ftojmë të lexoni gjithë artikullin bashkë me arsyet se pse ndodh kështu.

Dashuria e parë është ajo në rini: Kjo është dashuria idealiste, ajo që duket sikur ngjason me përrallat romantike me princër dhe princesha.

Kjo dashuri na ndihmon të kuptojmë një koncept shumë të rëndësishëm se ajo që ne e shohim në ëndrrat tona, mund të ndodhë edhe në realitet. Është si një ëndërr me sytë hapur, edhe pse për fat të keq zgjat për një kohë të shkurtër.
Kur përjetojmë një dashuri të tillë, jemi të rinj dhe jo të pjekur. Ajo përjetohet me bindjen se do të jetë e vetmja dashuri për gjithë jetën dhe askush nuk shqetësohet se pse ndonjëherë ajo bëhet e vështirë të çohet përpara, sepse të dy personat në çift mendojnë se e tillë është dashuria. Një dashuri e tillë bazohet më tepër në këndvështrimin e të dy personave, se sa në atë që ekziston në realitet.

Dashuria e dytë është e komplikuar, është dramatike: të bën të njohësh më tepër karakterin tënd dhe të kuptosh atë që kërkon vërtet nga dashuria.

Ajo që kërkohet nga dashuria, nuk është ajo që të ofron personi, me të cilin ke rënë në dashuri.Kjo formë dashurie të jep dhimbje dhe mërzitje, për shkak të gënjeshtrave apo përpjekjeve për të manipuluar karakterin. Mendohet se është bërë një zgjedhje ndryshe nga eksperienca e mëparshme, por në realitet është bërë një zgjedhje nisur nga nevoja për të mësuar, për të kuptuar veten. Kjo formë dashurie mund të përsëritet me shumë persona, disa fatkeqësisht u ndodh të përfshihen në marrëdhënie që i bëjnë të humbin besimin në dashuri.
Kjo formë dashurie është e mbushur me ulje dhe ngritje dhe kjo gjë krijon varësi: përjetohen momente intensive me eufori dhe ndonjëherë secili e gjen veten duke nxjerrë gjithë inatin që po ndjen, gjë të cilën nuk e mendonte kurrë se mund ta bënte.

Dashuria e tretë është ajo që nuk shpreson askush se do të vij, por që vjen pa paralajmërim: ajo e bën të qartë se pse nuk kanë funksionuar gjërat më parë.

Dashuria e tretë është shumë më ndryshe krahasuar me dashuritë e përjetuara deri tani. Përjetohet me shumë spontanitet, aq sa mendohet se mund të mos jetë e vërtetë. Nuk kërkon shumë reflektim, nuk kërkon përpjekje për t’u përshtatur me personin tjetër. Është një formë dashurie që e bën këdo të ndihet i lumtur për shkak të thjeshtësisë me të cilën rrjedhin gjërat: mund të mos jetë si në përralla si në rastin e parë, apo “kërkuese” si në rastin e dytë, por pikërisht për faktin se nuk ka pritshmëri, që të bën të ndihesh i lumtur. Nuk ka presion për t’u shndërruar në një person që nuk je. Është një formë e qetë dashurie, por që zgjat gjithë jetën.

Ndoshta nuk do të ndiqni një rrjedhë të tillë dashurish në jetë, por me siguri që çdo eksperiencë do t’ju bëjë të kuptoni më mirë se çfarë është dashuria. Ndoshta do t’ju duhen vite për të arritur diçka të tillë, ndoshta do t’ju duhet shumë pak kohë. Gjithçka varet nga personi me të cilin dashuroheni. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button