Bota

Davoid Cameron: Ja kushtet e Britanisë, për të qëndruar në BE

cameron

Që prej fjalimit tim të gati 3 viteve më parë, sfidat me të cilat përballet në Bashkimin Evropian nuk janë zvogëluar – në fakt ato janë rritur. Perspektiva ekonomike mund të jetë disi më e ndritshme. Por trashëgimia e krizës në eurozonë vazhdon. Kërcënimet ndaj sigurisë tonë – dhe për sigurinë e çdo kombi evropian – janë rritur jashtëzakonisht në vitet e fundit, nga pushtimi rus i Ukrainës lindore, shfaqja e ISIS-it, dhe flukset emigratore të shkaktuara nga lufta në Siri. Dhe në të gjithë Evropën, rritja e partive kontestuese kërkon një përgjigje.

Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë. Ai ka nevojë të bëhet më konkurrues, për t’u përballur me rritjen e ekonomive si Kina dhe India. Ka gjithashtu nevojë për të vëndosur marrëdhëniet mes vendeve brenda euros dhe ato jashtë saj – si Britania – mbi një bazë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Unioni ka nevojë për përgjegjësi më të mëdha demokratike të parlamenteve kombëtare.

Mbi të gjitha, BE-ja duhet të operojë me fleksibilitetin e një rrjeti, dhe jo me ngurtësinë e një blloku. Mos harroni asnjëherë, se Bashkimi Evropian tani përbëhet nga 28 kombe të lashta të Evropës. Se diversiteti është forca më e madhe e Evropës. Britania thotë:le ta festojmë këtë fakt, le të pranojmë se përgjigja për çdo problem nuk është gjithmonë më shumë në Evropë. Ndonjëherë duhet më pak Evropë. Bashkimi Evropian përballet aktualisht me 4 sfida të mëdha:

  1. Qeverisja ekonomike dhe eurozona

Sot ka 2 lloje anëtarësh në Bashkimin Evropian:vendet e eurozonës dhe ato jashtë saj. Ndryshimet që eurozona do të duhet të zbatojë, kanë ndikime të thella mbi të dyja kampet. Ne kemi nevojë për një model britanik të anëtarësimit, që funksionon për Britaninë dhe për anëtaret e tjera, të cilat nuk i përkasin eurozonës. Dhe kjo duhet të jetë krejtësisht e mundur.

Bashkimi Evropian, është një familje kombesh demokratike, në themel të së cilës ishte dhe mbetet një treg i përbashkët. Ndaj nuk ka asnjë arsye, pse monedha e vetme dhe tregu i përbashkët të ndajnë të njëjtin kufi. Pra, si pjesë e rinegocimit tone, unë kërkoj nga liderët evropianë të bien dakord mbi parime të qarta dhe të detyrueshme, të cilat e mbrojnë Britaninë dhe vendet e tjera jashtë eurozonës, si dhe një mekanizëm mbrojtës për të siguruar që këto parime do të respektohen dhe zbatohen.

Teksa eurozona ecën përpara, çdo ndryshim që ajo vendos të ndërmarrë – si për shembull krijimi i një bashkimi bankar – duhet të jetë vullnetar dhe kurrë i detyrueshëm për vendet jashtë eurozonës. Tatimpaguesit në këto vende, nuk duhet të përballojnë asnjëherë koston e operacioneve financiare, për të mbështetur euron si një monedhë, sikurse ka ndodhur deri më sot.

  1. Konkurrueshmëria

Ne duam një Bashkim Evropian që rrit, dhe jo zbeh konkurrueshmërinë tonë. Ne kemi propozime për një bashkim të tregjeve të kapitalit, çka do të ndihmojë në financimin më të shpejtë të sipërmarrësve dhe bizneseve në rritje.

Ne i njohim përfitimet që mund të sjellë tregtia e lirë. Marrëveshjet me të fundit me Korenë e Jugut, po i kursyejnë konsumatorëve të Mbretërisë së Bashkuar mbi 5 miliardë paund çdo vit, dhe kanë ndihmuar në 5-fishimin e eksporteve britanike në këtë vend aziatik. Por ka është shumë më tepër për t’u bërë. Rregulloret e reja të unionit, nuk janë shumë lehtësuese në këtë aspekt.

Prandaj kemi nevojë të shkurtojmë burokracitë mbi biznesin, dhe në të njëjtën kohë të harmonizojmë të gjitha propozimet e ndryshme për krijimin e një tregu të përbashkët, që ka në ADN-në e saj konkurrencën.

  1. Sovraniteti dhe ndërvarësia

Ne jemi një komb krenar, i pavarur dhe synojmë të mbetemi të tillë. Angazhimi në një traktat që synon një bashkim gjithnjë e më të ngushtë, nuk është diçka që duhet të aplikohet më gjatë për Britaninë. Ne nuk besojmë në të, pasi kemi një vizion të ndryshëm për Evropën.

Ne besojmë tek një bashkim fleksibël i shteteve të lira anëtare që ndajnë traktate dhe institucione, punojnë së bashku në frymën e bashkëpunimit, për të çuar përpara prosperitetin tonë të përbashkët dhe mbrojtur njerëzit tanë nga kërcënimet mbi sigurinë, që mund të vijnë nga brenda apo jashtë vendit.

Kështu që si pjesë e rinegocimit tone, unë kërkoj nga udhëheqësit evropianë një marrëveshje të qartë, detyruese dhe të pakthyeshme për t’i dhënë fund detyrimit të Britanisë për të punuar drejt një bashkimi gjithnjë e më të ngushtë. Që do të thotë se Britania, nuk mund të përzihet në një bashkim politik kundër vullnetit të saj, apo të tërhiqet në ndonjë lloj Shteteve të Bashkuara të Europës.

Ne gjithashtu duhet për të sigurojmë, që ndërsa Parlamenti Evropian luan një rol të rëndësishëm, të ketë një rol edhe më të rëndësishëm sesa parlamentet kombëtare, duke përfshirë edhe vetë parlamentit tonë këtu në Uestminster. Janë dhe do mbeten parlamentet kombëtare, burimi kryesor i legjitimitetit të vërtetë demokratik dhe llogaridhënies në BE.

Është parlamenti Britanik, vendi ku unë duhet të jap llogari mbi negociatat mbi buxhetin e BE-së, apo për ruajtjen e vendit tonë në një treg të përbashkët. Janë parlamentet kombëtare ato që rrënjosin respekt – madje edhe frikë – tek udhëheqësit kombëtarë. Pra, është koha për t’i dhënë parlamenteve kombëtare më shumë zë mbi ligjvënien e BE-së.

  1. Emigracioni

Ne besojmë në një ekonomi të hapur. Por jemi detyruar të përballemi me të gjitha sfidat që mund të sjellë lëvizja e lirë- në shkolla, spitale dhe shërbimet tona tona publike. Tani për tani, presionet janë shumë të madha. Unë vlerësoj se në një kohë, kur vende të tjera evropiane po përballen me një presion të madh nga emigrantët që vijnë nga jashtë BE-së, qëndrimi ynë mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar.

Për ne, kjo nuk është një çështje e racës apo e përkatësisë etnike. Britania është një nga vendet më të hapura e kozmopole në botë. Problemi qëndron tek shkalla dhe shpejtësia, si dhe presionet që sjell emigracioni për komunitetet, në një kohë kur financat publike janë tashmë të tendosura, si pasojë e krizës financiare.

Kjo ishte një çështje e shqetësimit të madh në fushatën elektorale të zgjedhjeve të fundit, dhe mbetet emergjente edhe sot. Ndryshe nga disa prej shteteve të tjera anëtare, popullsia e Britanisë tashmë është rritur. Popullsia jonë mendohet të mbërrijë në mbi 70 milionë në dekadat e ardhshme, dhe ne parashikohet të bëhemi vendi më i populluar në BE deri në vitin 2050.

Në të njëjtën kohë, mbi 300 mijë emigrantë vijojnë çdo vit në vendin tonë. Ky është një proces jo i qëndrueshëm.

Ne duam të arrijmë një marrëveshje, për të lejuar një shtet anëtar si Mbretëria e Bashkuar, të rivendosë ndjenjën e drejtësisë në sistemin e emigracionit, dhe për të reduktuar nivelin aktual shumë të lartë të migrimit nga brenda BE-së në Britaninë të Madhe. Kjo do të thotë, se lëvizja e lirë nuk duhet të zbatohet për ata anëtarë të rinj, derisa ekonomitë e tyre të konvergojnë në nivele shumë më të ngushta me shtetet anëtare ekzistuese.

Unë mendoj se shumica, do t’i cilësojë këto propozime jashtëzakonisht të arsyeshme. Nëse ato merren në konsideratë, unë do të bëj fushatë për ta mbajtur Britaninë brenda një Bashkimi Evropian të reformuar. Por në rast se s’mund të arrihet një marrëveshje e tillë, dhe nëse shqetësimet të Britanisë bien në vesh të shurdhër, gjë që unë nuk e besoj se do të ndodhë, atëherë ne do të duhet të mendojmë sërish nëse BE është diçka e drejtë për ne.

Ata që besojnë se ne duhet të qëndrojmë në BE me çdo kusht, le të na shpjegojnë pse Britania duhet të pranojë statuskuonë. Nuk ka ndonjë pikëpyetje, nëse ne mund të jemi ekonomikisht të suksesshëm jashtë Bashkimit Europian. Përkundrazi, çështja është nëse do të jemi më të suksesshëm brenda apo jashtë BE-së. Nëse të qenit në Bashkimin Evropian, e shton sigurinë tonë ekonomike ose e largon vëmendjen nga ajo? Nëse të qenit në BE, na bën më pak apo më shumë të sigurtë? Kjo është një çështje gjykimi, që do të jepet nga populli britanik në referendumin, që kam premtuar se do të mbaj në rast se nuk gjej mirëkuptim për propozimet e mia.

  • Shënim: Artikulli është një përmbledhje e letrës që kryeministri britanik Dejvid Kameron i dërgoi të martën Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, ku paraqiteshin zyrtarisht kushtet e Londrës për të vazhduar qëndrimin në Bashkimin Evropian. /Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button