Sot, pavarësisht nëse flasim për shkollën, aktivitetet sportive apo qendrat komunitare, ekziston një element themelor që mund të bëjë vërtet ndryshimin: prania e një të rrituri “me peshë”. Fëmijët e sotëm kanë një intuitë të jashtëzakonshme dhe janë në gjendje të kuptojnë menjëherë nëse përballë tyre kanë një të rritur të aftë për të krijuar një marrëdhënie autentike dhe të thellë, që i dëgjon vërtet. Kur kjo ndodh, ai i rritur bëhet një pikë referimi si figurë. Ai vlerësohet, ndiqet dhe konsiderohet pjesë e një marrëdhënieje emocionale. Kjo mundëson arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme me fëmijët.
Megjithatë, shumë shpesh shtyhemi të shprehemi se ky brez i të rinjve është më pak inteligjent, më pak i përkushtuar dhe më dembel se ata të së shkuarës. Nuk është aspak e vërtetë. Kur të rinjtë takojnë të rritur “me peshë”, që i kanë pika referimi, ata bëhen proaktivë, krijues dhe të aftë për të realizuar gjëra të mrekullueshme. Problemi nuk është te fëmijët, por te mjedisi dhe figurat e të rriturve që i rrethojnë.
Ka dy pyetje të mëdha që qëndrojnë në themel të kësaj situate:
Parimi i autoritetit është braktisur. Autoriteti po ngatërrohet me imponimin dhe autoritarizmin. Por autoriteti nuk është abuzim me pushtetin; është një udhërrëfyes, një formë që lejon të rriturit t’i udhëheqin të rinjtë drejt lirisë dhe rritjes personale. Pa autoritet, mungon një pikë referimi e qëndrueshme dhe konstruktive për fëmijët.
Familja me rregulla është zëvendësuar nga familja emocionale.
Sot prindërit priren t’i vënë fëmijët e tyre në qendër të gjithçkaje, si pasuria më e çmuar, duke u përpjekur t’i mbrojnë nga çdo vështirësi. Megjithatë, kjo mbrojtje e tepruar i pengon fëmijët të përballen me parimin e realitetit. Familjet emocionale, të cilat nuk vendosin rregulla të qarta dhe të mirëpërcaktuara, nuk i përgatisin fëmijët e tyre të përballen me jetën prej të rriturish, thjesht i bëjnë ata më të brishtë dhe të pasigurt.
Pasoja e këtyre, pra humbja e autoritetit dhe krijimi i familjeve tejet protektive, ka shkaktuar një dobësim të shkollës dhe besueshmërisë së saj në vitet e fundit. Dhe shkolla që duhet të jetë një pikë e palëkundur në formimin e fëmijëve, e ka ndjerë thellë këtë krizë.
Për këtë arsye nevojitet një lloj riedukimi i prindërve. Duhet të ndihmohen që të kuptojnë rëndësinë e vendosjes së rregullave të qarta, dhe kufijve që nuk mund të shkelen. Duhet gjithashtu që të përcaktohet sa më qartë koncepti i autoritetit. Duhet të zhvishet ai nga konotacionet negative dhe duhet kthyer sërish tek vlerat e veta edukuese dhe formuese. Mbi të gjitha, kemi nevojë për një prani gjithnjë e më të madhe të të rriturve me peshë në jetën e fëmijëve.
Për fat të keq, nuk është e lehtë. E gjithë shoqëria është e zhytur në një krizë të thellë dhe të rriturit po kanë gjithashtu vështirësi për të luajtur rolin e tyre si udhërrëfyes. Dhe pa figura të rriturish që të jenë në gjendje të frymëzojnë besim dhe respekt, të rinjtë nuk munden ta zhvillojnë potencialin e tyre.
Si përfundim, çelësi për të ndihmuar të rinjtë sot dhe për t’i bërë ata gati për të ardhmen nuk është që t’i gjykojmë apo ti etiketojmë. Jo! Duhet t’u ofrojmë atyre marrëdhënie autentike dhe t’u ofrojmë pika referimi, si në familje, si në shkollë. Kemi nevojë për një brez të ri të rriturish që të jenë në gjendje të dëgjojnë, të udhëheqin dhe të ndërtojnë një të ardhme bashkë me fëmijët.