Histori

“DECLASSIFIED” / Historia e errët e CIA-s

Të fshehtat e agjencisë, që në ditët e para të krijimit. Duke filluar me infiltrimin e ish bashkëpunëtorëve ukrainas të nazistëve, në brendësi të BS të Stalinit. Financimet që buronin nga Plani Marshall, në arkat e agjencisë. Radio Evropa e Lirë. Planet e dështuar kundër Fidel Kastros. Lufta kundër terrorizmit. Greqia, Japonia, Irani, Gjiri Persik. Një histori e mbushur me dritëhije…

Screen Shot 2015-03-20 at 7.32.53 PM

Historia e errët e CIA-s

Të fshehtat e agjencisë, që në ditët e para të krijimit. Duke filluar me infiltrimin e ish bashkëpunëtorëve ukrainas të nazistëve, në brendësi të BS të Stalinit. Financimet që buronin nga Plani Marshall, në arkat e agjencisë. Radio Evropa e Lirë. Planet e dështuar kundër Fidel Kastros. Lufta kundër terrorizmit. Greqia, Japonia, Irani, Gjiri Persik. Një histori e mbushur me dritëhije…

Ulur mbi tryezën e punës, James Forrestal nisi të kopjojë një pjesë të “Ajaksit”, një poemë që ishte shkruajtur nga tragjediani i lashtë grek Sofokliu rreth viteve 450-430 para Krishtit. “Nuk ka shushurimë më të heshtur se sa vajtimi i frikur / i zogut vetmitar, bilbilit idhnak”. Ishte gjëja e fundit që do të shkruante.

Atë natë, në orën 1:50 të 22 majit 1949 – trupi i tij u gjend në pragun e Dhomës 384 të Ndërtesës Nr. 1 të Qendrës Kombëtare Mjekësore Detare në Bethesda, Maryland. 57-vjecari kishte vdekur.

Më pak se dy muaj më herët, Forrestal kishte qenë Sekretar i Mbrojtjes i SHBA. Ai kishte qenë edhe orkestruesi i programit të operacioneve të fshehtë të CIA-s, por problemet me shëndetin mendor i kishin lënë pasoja. Nuk kishte zgjedhje tjetër, përvecse të dorëhiqej në 28 mars 1949. Megjithatë, fjalët e tij të fundit në jetë do të ishin prekëse.

Sepse sipas Tim Veinerit, në librin e tij shumë të saktë dhe shumë të shitur, “Trashëgimia e hirit: Një histori e CIA-s, “Nightingale (Bilbili) – ose Nachtigall – ishte emri që i ishte vënë një force ukrainase të rezistencës të udhëhequr nga ish bashkëpunëtorë të nazistëve. Dhe Forrestali i kishte dhënë sinjalin “Filloni!” grupit, që ky të infiltronte në Rusi për llogari të CIA-s. Ndonëse vdekja e Forrestalit u është nënshtruar shumë teorive të konspiracionit, një autorizim i tillë nuk përbënte aspak habi. Që kur u krijua në vitin 1947, CIA ka qenë në qendër të polemikave. Veprimet e saj janë anuar vazhdimisht nga paqartësia morale, në kohët kur është përpjekur të rrëzojë liderë, të krijojë histori mbulimi, të fiksojë rezultate zgjedhjesh e madje edhe të mbështesë njerëz që kanë masakruar të tjerë. Ajo është larguar shumë nga qëllimi fillestar i thjeshtë mbledhjes së informacioneve, duke realizuar operacione të fshehtë të të gjithë llojeve. Dhe ndërkohë që vepron duke patur në qendër interesat e SHBA, vendimet e saj herë pas here kanë rezultuar të dëmshëm – si përshembull keqinformimi në vitin 2001, se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë. Nuk ka dyshim që CIA ka bërë shumë për të ndryshuar kursin e historisë moderne.

Lufta e Ftohtë

Argumentohet se Lufta e Ftohtë nisi në vitin 1947 dhe përfundoi në vitin 1991. Ajo vendosoi SHBA kapitaliste dhe aleatët e saj në NATO kundër Bashkimit Sovjetik komunist dhe aleatëve të tij në Paktin e Varshavës, në një betejë të Lindjes përballë Perëndimit. Përgjatë gjithë kësaj kohe, ajo që mbizotëronte ishte frika e një sulmi të mundshëm me armë bërthamore. Si pasojë, informacionet e saktë të shërbimeve të fshehtë përbënin prioritet, dhe pikërisht këtu hyri në lojë CIA. Një prej ndarjeve më të hershme mes dy superfuqive erdhi si pasojë e zbatimit të Planit Marshall, nisma e SHBA për të hedhur miliarda dollarë në rindërtimin e ekonomive të Europës, pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Bashkimi Sovjetik ishte kundër këtij plani dhe e quajti atë një “komplot imperialist”. Zhozef Stalini, duke iu trembur humbjes së kontrollit mbi bllokun lindor,

vendet e të cilit shërbenin praktikisht si “jastëk” mes Rusisë dhe Perëndimit, i ndaloi që të pranonin ndihmën dhe në vend të kësaj, ofroi planin e tij Molotov.
Ishte disi ironike, atëherë, që CIA arriti të ndërtojë një rezervë të konsiderueshme parash cash nga Plani Marshall, të cilën mund ta përdorte për të financuar operacionet antikomuniste. Kur një shteti i jepeshin para nga Plani Marshall, atij i kërkohej që të kontribuone me një sasi të barabartë në monedhën vendase. Nga këto, 95% shpenzoheshin për programet e Planit Marshall, ndërsa 5% shkonin në zotërim të qeverisë së SHBA, dhe më tej, CIA-s. Thuhet se përmes kësaj skeme, agjencia arriti të grumbullojë 685 milionë dollarë.

Paratë u përdorën nga Drejtoria e Koordinimit të POlitikave në CIA për të financuar organizatat antikomuniste të punës, studentore dhe intelektuale, të cilat ishin të gjitha të fshehura prapa fronteve për të shmangur dyshimet. CIA i dha financime edhe Shoqatës Kombëtare Studentore në SHBA, duke u ndalur vetëm në vitin 1967, kur në faqen e parë të Nju Jork Tajmsit u shfaq titulli: “Një grup studentor pranon se ka marrë fonde nga CIA”. Lajmi ishte publikuar fillimisht nga revista underground “Ramparts”, e cila shkruante se NSA “kishte përdorur studentët për t’u bërë presion organizatave ndërkombëtare studentore që të merrnin pozicione në Luftën e Fohtë”.

CIA ishte në gjendje të paguante emigrantët që të ofronin informacione për planet sovjetike, por në një farë mënyre po luante një lojë “e ka kush e ka”. Rusët kishin një agjenci zbulimi shumë të vjetër dhe shumë të efektshme, ndërkohë që CIA gabonte jo pak. Në vitin 1953, ajo besonte se sovjetikët nuk ishin në gjendje të lëshonin një raketë balistike në drejtim të SHBA për 16 vite. Ajo u bë gati brenda katër viteve. Sidoqoftë CIA mund të luante pisët: kur BS shkoi në luftë në Afganistan në vitin 1979, Agjencia shërbeu si pikë qendrore për dërgimin e miliona dollarëve armë për muxhahedinët. CIA donte që Afganistani të shndërrohej në Vietnamin e Rusisë.

Në vitin 1982, CIA vuri në zbatim një plan brilant, i cili destabilizoi Bashkimin Sovjetik dhe shkaktoi probleme të mëdha ekonomike në atë anë të Perdes së Hekurt, por që ishte i dyshimtë si nga ana morale, edhe ajo etike. Ajo kishte shtënë në dorë të ashtuquajturën dosja “Lamtumirë” – një listë agjentësh sovjetikë që kishin detyrë të vidhnin dhe klononin programe kompjuterikë amerikanë, me qëllim që të ndërtonin impiante kimikë, raketa hapësinore, sisteme armatimi dhe më shumë. PLani i CIA ishte të “ushqente” agjentët me teknologji të gabuara, që përfshinin një bombë logjike brenda një sistemi kontrolli që rusët përdorën për Gazsjellësin Trans-Siberian. Më vonë kjo shkaktoi rritje të madhe të presionit në tubacione, duke sjellë shpërthime të fortë dhe me kosto të larta.

Radio “Evropa e Lirë”

Ndërkohë që sovjetikët e shtrëngonin gjithnjë e më shumë kontrollin e tyre mbi Europën Lindore, SHBA u përpoq të luftojë në frontin politik duke përdorur fjalët si armë. CIA rekrutoi me mijëra agjentë të huaj që simpatizonin perëndimin, me qëllim që të transmetonin ndjenjat antikomuniste në tetë gjuhë të ndryshme për 30 milionë dëgjues, cdo ditë.

Radio “Evropa e lirë” i nisi transmetimet në 1949. CIA shpenzoi 400 milionë dollarë për këtë projekt, duke u fshehur prapa një organizate të quajtur Komiteti Kombëtar për një Europë të Lirë. Efekti ishte i fortë. Në vitin 1956, një fjalim i fshehtë i mbajtur nga udhëheqësi sovjetik, Nikita Hrushovi ku ai e quante Stalinin një megalloman sadist u transmetua për disa muaj resht. Ajo e fuqizoi rezistencën antikomuniste, duke i shtyrë punëtorët polakë të rebelohen dhe të kërkojnë kushte më të mirë. Por ata u shtypën prej fuqisë sovjetike.

Në po atë vit, Radio “Evropa e Lirë” u bëri drejtpërdrejtë thirrje hungarezëve që të ngrihen kundër sovjetikëve. Ajo shpjegonte si të përgatisnin bomba Molotov dhe u kërkoi protestuesve të dëmtonin linjat hekurudhore dhe sistemet e komunikimit. Zoltan Thury, folësi hungarez i stacionit, premtoi se SHBA do të dërgonte ndihmë. Ndihma nuk erdhi kurrë. Sovjetikët vranë dhjetëra mijëra protestues hungarezë dhe dërguan shumë të tjerë në kampe. CIA mohoi që transmetimet kishin premtuar ndihmë, por e vërteta doli në transkriptime 40 vjet më vonë.

Kuba

Fidel Kastro erdhi në pushtet si Kryeministër në Kubë në 1 janar 1959. Amerikanët shpresuan se Kastro do të ishte në gjendje të ndërtonte një demokraci në Kubë, por gaboheshin. Deri në fund të vitit, amerikanët e panë komunizmin të vendosur tek pragu i derës dhe Richard Bissell, zëvendës drejtori i operacioneve në CIA, urdhëroi që Kastro të rrëzohej nga pushteti.

Ai donte që CIA të stërviste dhe armatoste imigrantë kubanë si dhe t’i vendoste ata në një betejë kundër regjimit të Kastros. Ai bëri edhe lëvizje të fshehta për të gjetur një vrasës për të vrarë Kastron. Një punonjës restoranti duhej të helmonte akulloren që do të konsumonte udhëheqësi kuban, por shërbimi i fshehtë i tij e gjeti helmin të ngrirë në frigorifer. Do të bëheshin më shumë se 600 përpjekje për t’i dhënë fund jetës së Kastros, si pjesë e operacionit “Mongoose”, me planin që varionin nga eksplozivë në puro deri tek vendosja e toksinave në kostumin e tij të zhytjes. Të gjithë dështuan.

Fiasko që shkaktoi më shumë siklet ishte pushtimi i Gjirit të Derrave gjatë të cilit Bissell bëri një numër premtimesh, i pari ndër ta një zotim për të bindur presidentin Kennedy që të dërgonte forca ajrore në 15 prill 1961 për të shkatërruar avionët kubanë. Por në vend të kësaj, Bissell uli nga 16 në 8 numrin e bombarduesve që do të fluturonin mbi pistat kubane. Kjo e la Kastron me fuqinë e mjaftueshme të zjarrit për të goditur paramilitarët e mbështetur nga CIA. Kubanët e tij luftuan fort dhe në 20 prill SHBA u detyrua të dorëzohet. Forcat e Kastros kishin vrarë 114 anëtarë të brigadës kubane dhe kapur rob 1189.

Dy vjet më vonë, kur Kennedy u vra në 22 nëntor 1963, drejtori i atëhershëm i CIA-s, Richard Helms nuk i tha komisionit Uarren – i ngritur për të hetuar vrasjen e presidentit – asgjë në lidhje me planet për të vrarë Kastron. Mund të kish patur një efekt në konkluzionet e Komisionit që, pavarësisht kundërshtimeve, arriti në përfundimin se Lee Harvey Osvald kish vepruar i vetëm. Kastro, i cili u bë president në vitin 1976, qëndroi në detyrë deri në shkurt 2008.

Vietnami

NSA e kish lidhur SHBA me luftën e Vietnamit duke raportuar në mënyrë të rremë një sulm kundër luftanijeve amerikane nga ana e varkave të vietnamezo veriorëve në 4 gusht 1964, në atë që u bë i njohur si incidenti i Gjirit të Tonkinit. Por ishte CIA që udhëhoqi operacionin më të errët të luftës – Programin Feniks – që synonte të shkatërronte infrastrukturën e Partisë së Lao Dong, që përfshinte edhe rrëmbimin e mijëra civilëve që besoheshin se ishin të lidhur me vietkongët dhe dërgimin e tyre në qendrat e marrjes në pyetje, ku tortura ishte rutinë.

programi vazhdoi mes viteve 1965 dhe 1972. Më shumë se 20 mijë nga 80 mijë personat e mbledhur u ekzekutuan. Oficeri i ngarkuar i CIA-s – Uilliam Colby – i tha kongresit “se janë bërë shumë gjëra që nuk duheshin bërë”.

CIA ishte kryesisht e paefektshme në Vietnam. Ajo nuk arriti të penetrojë në qeverinë vietnamezo veriore dhe nuk e kuptonte mënyrën vietnameze të jetesës. Zakonisht këshillat e CIA-s “holloheshin” rrugës: përshembull analisti i shërbimit të fshehtë, George Allen dëshironte të paralajmëronte kundër bombardimeve konstantë nga SHBA pasi këta rrisnin vendosmërinë e vietkongëve, por pjesët negative ishin fshirë dhe presidentit Lyndon Johnson iu paraqit një raport më pozitiv.
Kjo situatë ekzistonte që përpara përfshirjes së plotë të SHBA. Një raport i CIA-s i paraqitur në 17 prill 1863 thoshte: “Ne besojmë se përparimi i komunistëve është frenuar dhe situata është përmirësuar”. Ishte e rremë. CIA i ndryshonte raportet sipas volisë dhe me kalimin e viteve qeveria dërgonte gjithnjë e më shumë trupa.

Lufta kundër terrorizmit

2996 vetë gjetën vdekjen në 11 shtator 2001, kur SHBA u godit nga sulmi më i rëndë terrorist në histori. Gishti u drejtua menjëherë tek organizata terroriste Al Kaeda, që udhëhiqej nga Osama bin Laden. Presidenti Bush foli për “luftë kundër terrorizmit”, duke u betuar se do të luftonte grupet terroristë dhe vendet që strehonin terroristë. Më vonë, kjo coi në pushtimin e Afganistanit dhe Irakut – falë raporteve të shërbimeve të fshehtë në lidhje me armët e shkatërrimit në masë.

Administrata Bush i kushtoi shumë rëndësi një Vlerësimi të Inteligjencës Kombëtare me titull “Programi në vazhdim i Irakut për armët e shkatërrimit në masë”, që CIA e kishte analizuar për tre javë, përpara se të konkludonte se Sadam Huseini kishte armë të tilla. Në të vërtetë, burimet e CIA-s ishin të paktë dhe nuk mund të kishte siguri. Në vitin 2013, programi BBC Panorama zbuloi se kishte patur dy burime të besueshëm brenda qeverisë së Sadamit të cilët kishin siguruar se nuk kishte armë të tilla. Këta burime u kontrolluan nga CIA, por informacionet e tyre u injoruan. Dosja me shumë pasaktësi u publikua në 24 shtator 2002, duke i dhënë SHBA justifikimin për të shkuar në luftë në 20 mars 2003.

Shumë shpejt, skepticizmi në lidhje me armët e shkatërrimit në masë erdhi duke u shtuar, por pretendimet nuk u ndalën. Në 11 gusht 2003, ish shefi i CIA-s, George Tenet bëri një deklaratë ku thoshte se i qëndronte raportit të shtatorit 2002. “historia e gjykimit tonë për programet e armatimit të Irakut është e qartë dhe e qëndrueshme”, tha ai. Por në Irak nuk u gjetën armë të tilla.

GODITJE DHE GABIME

Greqi

Në vitin 1947, shtrengimet financiare e detyruan qeverinë britanike që të ndalë mbështetjen për ushtrinë greke në luftën e saj civile kundër krahut ushtarak të Partisë Komuniste Greke. Frenat i mori në duar SHBA, duke dërguar miliona dollarë dhe mbështetje ushtarake për Greqinë. Kjo e ndihmoi qeverinë greke që të mundte komunistët në 1949. CIA krijoi një stacion të madh në Athinë dhe punoi ngushtësisht me krerët antikomunistë të ushtrisë dhe shërbimit të fshehtë grek. Ajo krijoi lidhje të forta me Greqinë dhe mbështeti juntën greke, e udhëhequr nga agjenti i rekrutuar prej CIA-s, George Papadopoulos, pas grushtit të saj të shtetit në vitin 1967.

Japoni

Nobusuke Kishu kish qenë anëtar kabineti gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas humbjes, ai u akuzua si kriminel lufte, por u lirua në 1948, duke shprehur ndjenja të forta antikomuniste. CIA nuk e pati problem ta përzgjedhë si Kryeministër të jashtëm të Japonisë. Kishu donte të shpërbënte partinë Liberale dhe të krijonte një Parti Liberal Demokrate të krahut të djathtë. CIA i ofroi fonde dhe mbështetje si dhe e ndihmoi të rekrutonte anëtarë të partisë që do të shërbenin edhe si informatorë. Kishu e mori detyrën në shkurt 1957. Partia Liberal Demokrate ka qenë në pushtet që atëherë, përvec dy periudhave shumë të shkurtëra: 1993-1994 dhe 2009-2012.

Iran

Kryeministri iranian, Mohammed Mossadeq ishte zgjedhur demokratikisht në vitin 1951. Brenda pak kohësh ai kish nisur të rishtetëzonte prodhimin e naftës, duke ia marrë nga duart britanikëve atë që atëherë ishte Kompania Anglo-Iraniane e Naftës. Kryeministri britanik, uinston Churchill kërkoi ndihmë nga SHBA për të rrëzuar Mossadequn. SHBA ra dakord pasi shqetësohej se mos Irani binte në duar të sovjetikëve. CIA infiltroi në median iraniane dhe amerikane, duke vendosour lajme kundër Mossadequt. Shpenzoi para për të korruptuar mullahët dhe politikanët si dhe rekrutoi banda të fortësh për të mos lejuar tubimet që mbante Partia Tudeh e Iranit. Trysnia u rrit shumë dhe në vitin 1953 Mossadeq dhe qeveria e tij u rrëzuan në një grusht shteti.

Lufta e Gjirit

CIA luajti një rol të madh në Luftën e Gjirit në vitet 1990 – 1991. Oficeri i saj Charles Allen besonte se presidenti Hussein do të pushtonte Kuvaitin dhe një ditë para se të ndodhte, CIA paralajmëroi se një sulm ishte shumë pranë. “Bagdadi pothuajse beson se është i justifikuar një sulm ushtarak për të rimarrë ‘territorin e tij të grabitur’ dhe të drejtat e naftës”, raportonte ai. Kur shpërtheu lufta, CIA prodhoi mijëra informacione dhe raporte që i ndau me ushtrinë. Ajo parashikoi gjithashtu me saktësi përdorimin e raketave Scud. Në 28 shkurt 1991, SHBA bashkë me një koalicion prej 34 kombesh ia doli të dëbojë trupat irakene nga Kuvaiti.

Kongo

Gjatë një takimi presidentin e SHBA, John F. Kennedy në 21 shtator 1960, Drejtori i CIA-s, Alen Dulles diskutoi pikat e nxehta të globit duke përfshirë Kongon, që udhëhiqej nga kryeministri i zgjedhur demokratikisht, Patrice Lumumba. Ai paraqiti antikomunistin Joseph-Desire Mobutu si të preferuarin e tij për udhëheqës të ardhshëm të Kongos. Kur Lumumba u vra në 17 janar 1961, Mobutu zurin vendin e tij si shef i shtabit të ushtrisë pas një grushti shteti dhe SHBA mbështeti regjimin e tij autoritar. Ai u bë një aleat i vendosur i CIA-s, e cila punoi me të përgjatë një tjetër grushti shteti në 1965, pas të cilit ai mori kontrollin e plotë. Mobutu qëndroi në pushtet deri në vitin 1997.

Rezistenca polake

CIA mbështeti një grup rezistence polake të quajtur Lëvizja për Liri dhe Pavarësi, duke i dhënë miliona dollarë ndihma, përfshirë armë dhe radio. Por CIA nuk e dinte që sovjetikët e kishin thyer prej kohësh lëvizjen por vazhduan t’i bëjnë amerikanët të besojnë se ajo ekzistonte. Sovjetikët e pranuan me gëzim këtë mashtrim në radion polake në vitin 1951.

11 shtatori

Nëse amerikanët u zunë në befasi kur japonezët bombarduan Pearl Harbourin, me sa duket asnjë mësim nuk kishin nxjerrë në 11 shtator 2001, kur terroristët rrëmbyen avionë për të sulmuar Kullat Binjake dhe Pentagonin. CIA e dinte që udhëheqësi i al Kaedës, Osama bin Laden donte të sulmonte SHBA, por nuk dinte ku, dhe si, deri kur ndodhi.

Korea

Libraria e CIA-s e quan Luftën e KOreve “një pagëzim me zjarr”. Ishte testi i saj i parë. Lideri autokrat i Koresë së Veriut, Kim Il-sung mori mbështetje nga Stalini dhe Mao për të sulmuar Jugun, por pavarësisht grumbullimit të ushtrisë në 1950, CIA nuk mendonte që pushtimi do të ndodhte. Dhe mbeti e befasuar kur Korea e Veriut pushtoi dhe pothuaj i mposhti forcat koreano-jugore.

Një marrëdhënie e rremë

Në vitin 1994, ambasadorja e SHBA, Marylin McAfee folu kundër abuzimeve të qeverisë së Guatemalës. CIA vuri përgjues në dhomën e saj të gjumit dhe zbuloi “përkëdheli” drejtuar Carol Murphyt, sekretares së saj, gjë që shkaktoi akuzat e rreme për një marrëdhënie. Të rreme sepse Murphy ishte edhe emri i qenit të saj. /All about history/

www.bota.al

Screen Shot 2015-03-20 at 7.48.28 PM

Leave a Reply

Back to top button