Analiza

Defiçitet demokratike të Evropës

Deri kur Evropa do të mundet të angazhohet për një të ardhme të përbashkët, demokracia do të vazhdojë të vuajë

Screen Shot 2016-01-16 at 09.34.57

Nga Arthur Goldhammer

Kur një fjalë bëhet sinonim me të Drejtën dhe të Mirën, dhe pritet të drejtojë konsensusin universal, ju mund të jeni i sigurtë se është duke ndodhur nëj lloj mashtrimi në mirëbesim. Mjerisht demokracia është bërë një fjalë e tillë, një nga ato “fjalët e mëdha”, të  cilat Stefën Dedalusi i ka frikë sepse “na bëjnë kaq shumë të pakënaqur”.

Aktualisht, demokracia, ose mungesa e supozuar e saj, po i bën evropianët e të gjitha ngjyrave të pakënaqur. Ankesat ndaj të ashtuquajturit defiçit demokratik të Evropës, vijnë me bollëk si nga e majta ashtu edhe e djathta. Sa për të marrë një shembull, Xhon Hilari, një avokat i Brexit në kampin e majtë, ka shkruar kohët e fundit se “demokracia nuk ka më asnjë kuptim brenda BE-së”, sepse “vullneti i popullit grek u rrënua nga kërkesat e elitave qëndrore”.

Kjo përmbledhje e shpejtë, neglizhon faktin se çështja qendrore në referendumin e verës së shkuar në Greqi, ishte ajo ku qytetarët grekë shprehën vullnetin e tyre mbi detyrimet e vendit ndaj popujve të tjerë të Bashkimit Evropian, ku grekët përbëjnë më pak se 3 përqind. Qeveria greke që e thirri atë referendum, ishte vetë e zgjedhur me pak më shumë se 35 përqind të votave.

“Elitat qendrore”, që dyshohet se suprimuan vullnetin e popullit, vetë nuk kanë ushtruar asnjë kompetencë shtesë, përveç atyre të përcaktuara nga marrëveshjet mes qeverive zgjedhura në mënyrë demokratike të vendeve anëtare të BE-së. Pra qëndrimet e Hilarit janë mes shprehjeve të shumta dhe shpesh kontradiktore të vullnetit popullor që ekziston në çdo demokraci, duke zgjedhur vetëm ato që i shërbejnë kauzës së tij dhe duke injoruar të tjerat.

Shqetësimi i tij i shpallur mbi Greqinë është thjesht instrumental, një manifestim i nacionalizmit britanik dhe jo i solidaritetit ndërkombëtar, pas të cilit zhvillohen maskarada të tilla. Megjithatë Martin Sandbu, një komentator shumë më i balancuar se Xhon Hilari, i bën jehonë sulmit të Hilarit ndaj elitës qëndrore të Evropës.

Në librin e tij të fundit mbi krizën e euros “Jetimja e Evropës”, Sandbu denoncon përpjekjen e  Bankën Qëndrore Evropiane për të mbajtur kryeministrin italian Silvio Berluskoni me angazhimet që ai kishte marrë, në këmbim të ndihmave financiare nga banka. “Ka patur një kohë”—shkruan Sandbu, “kur gjeneralët  morën vetë përsipër të mbrojnë interesat kombëtare nga politikanët e frikësuar. Kjo është më pak e përgjakshme kur këtë e bëjnë bankierët qendrorë, por gati njëlloj e dëmshme për demokracinë”.

Duke lexuar këto dy pasazhe, dikush mund të mendojë se kërcënimi kryesor për demokracinë evropiane vjen nga eurokratët e lartë të Brukselit dhe Frankfurtit, që futin hundët e tyre në vullnetin e popullit. Por një artikull në “Foreign Affairs”, pikturon një tabllo shumë të ndryshme. Udhëheqësit e zgjedhur nga populli në Hungari dhe Poloni, kanë lëvizur me shpejtësi drejt autokracisë, paralajmërojnë autorët, dhe eurokratët kanë dështuar të ndërhyjnë për të parandaluar minimin e demokracisë nga brenda:”Duke mos arritur të kundërshtojnë në mënyrë agresive oreksin e kryeministri hungarez Viktor Orban për sa më shumë pushtet, Bashkimi Evropian sinjalizoi aspirantët autokratët në të gjithë kontinentin, se ata mund të kryejnë sulme të ngjashme mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit, pa u përballur me pasoja të rëndësishme”- duke inkurajuar kështu një goditje të kohëve të fundit ndaj lirisë së shtypit, dhe përpjekjen për të minuar Gjykatën Kushtetuese në Poloni.

Pra, si qëndron puna? A kanë eurokratët përgjegjesi, kur ndërhyjnë për të penguar qeveritë kombëtare të zgjedhura në mënyrë demokratike në emër të së mirës më të madhe, apo janë fajtorë kur dështojnë të ndërhyjnë për të ndalur “aspitantët për autokratë”, të zgjedhur në mënyrë të ligjshme nga shumica të mashtruara?

Ndoshta problemi qëndron tek dështimi i komentatorëve, për të pyetur se çfarë mund t’i duhet Bashkimi Evropian për të funksionuar me shumë sukses si një demokraci. Nëse elitat janë një problem në çdo demokraci, dhe në fakt janë, ato mbeten gjithësesi të domosdoshme. Nëse vullneti popullor s’mund të injorohet, ai nganjëherë ka nevojë të edukohet, ngadalësohet apo  moderohet. Dhe thjesht ekzistenca e zgjedhjeve, të cilat Hilari duket se i cilëson si fillimin dhe fundin e demokracisë, nuk përbëjnë domosdo një garanci se të drejtat e minoriteteve dhe sundimi i ligjit do të respektohen në vende si Polonia dhe Hungaria.

Propozime të ndryshme kanë qarkulluar, për korrigjimin e defekteve kronike institucionale të BE-së. Grupi ‘Glienicke’, i përbërë nga 11 ekonomistë, juristë, dhe shkencëtarët politikë gjermanë, ka propozuar në vend të bashkimit të plotë politik një “qeveri ekonomike”, të mbikëqyrur ose nga anëtarë të Parlamentit aktual Evropian ose deputetë të zgjedhur nga parlamentet e ndryshme kombëtare të shteteve anëtare.

Formula e fundit, do të ketë virtytin e sjelljes së politikës evropiane në një shoqërizim më të ngushtë me politikën në nivel kombëtar. Një grup i ngjashëm francez, i përbërë nga intelektualë dhe aktorë të shoqërisë civile, duke përfshirë ekonomistin Tomas Piketi, ka skicuar atë që e quan një “arkitekturë të re demokratike” për Evropën. Një nga idetë e tij, është krijimi i një dhomë të dytë në Parlamentin Evropian, në të cilën shtetet do të përfaqësohen në një farë mënyre “përmes parlamenteve të tyre kombëtare“.

Të dyja grupet besojnë se në qoftë se Evropa vuan nga një defiçit demokratik, atëherë përgjigja është e qartë “më shumë demokraci”, në formën e organeve më përfaqësues. Por asnjë prej tyre nuk përballet me shkakun e vërtetë të ngërçit kontinental, që siç e shprehu i ndjeri Stenli Hofman më shumë se 20 vjet më parë në librin “Sizifi Evropian”, qëndron në faktin se “organizimi i saj bizantin… është një kompromis ndërmjet të papërshtatshmes dhe të pamundurës”.

Është e pamundur që shtetet të heqin mjaftueshëm dorë nga sovraniteti i të tyre, në mënyrë që qytetarët të fillojnë ta mendojnë veten si qytetarë të Evropës, dhe ku fati i tyre nuk varet nga ajo që zgjedhin qeveritë kombëtare, por çfarë qëllimi kolektiv parashikojnë për veten e tyre si evropianë.

E pamjaftueshme është mënyra në të cilën ata janë përpjekur të kompensojnë dështimin e tyre, për të kryer kapërcimin drejt një super-shteti federal, duke manovruar me vendimet e rëndësishme mbi një teknokraci, e cila e ka bindur veten mbi drejtësinë e politikave të saj,

por që nuk ka asnjë detyrim për të bindur njerëzit që janë subjekt i tyre.

Kur demokracitë shkojnë keq, njerëzit së bashku me elitat e tyre duhet të mbajnë një pjesë të fajit. Ku kanë dështuar popujt e Evropës? Përgjigja është e qartë. Ata kurrë nuk kanë qenë në gjendje të vendosin, nëse preferojnë të rrinë veçmas apo së bashku. Hezitimi i tyre për t’u angazhuar për një të ardhme të përbashkët, është i kuptueshëm.

Ata e përgjakën njëri-tjetrin për shekuj me radhë në luftëra vëllavrasëse. Urrejtjet e tyre të përbashkëta janë mishëruar në stereotype të ndryshme gjuhësore. Pas shkatërrimeve të papara të Luftës së Dytë Botërore këto armiqësi u varrosën, sepse të gjithë u pajtuan se një rrënim i tillë nuk mund të përsëritej. Qëllimet e vjetra të supremacisë kombëtare, rreth të cilit ishin bashkuar sistemet politike të paraluftës duheshin shtypur, dhe premtimi i bashkëpunimit ekonomik përtej kufijve, u duk se siguroi për një kohë një zëvendësues të përshtatshëm.

Mundësinë e ofruara nga nevoja e rindërtimit të pasluftës, siguruan një nivel zhvillimi të mjaftueshëm për të justifikuar sakrificat e kufizuara të sovranitetit, që u kërkuan dhe dhanë pa shumë qejf. Por hapi i ardhshëm, drejt bashkimit të vërtetë politik, ka qenë i vështirë për t’u hedhur, dhe kërkesat e bashkëpunimit ekonomik nën një mjedis gjithnjë e më konkurrues global kanë ringjallur tensionet e vjetra, pa sugjeruar ndonjë qëllim të ri të arritshëm, që nga ana e tij të mund të justifikojë ndonjë sakrificë të mëtejshme.

Sikurse e vuri në dukje Aleksis dë Tokëvil gati dy shekuj më parë, demokracia përfshin një akt të vështirë të balancimit të përkohshëm, ”zhdukjen e pasioneve dhe heshtjen e nevojave të së tashmes, për hir të së ardhmes”. Deri kur Evropa të mund të shpikë idenë e një të ardhme të përbashkët, të aftë të shuajë dyshimet e ndërsjella dhe mllefin e së tashmes, demokracia do të vazhdojnë të vuajë, jo për shkak të defiçitit të zërit popullor apo një teprimi të arrogancës së elitës, por për shkak se ajo nuk ofron asnjë bazë, mbi të cilën mund të ndërtohet konsensusi.

Shënim: Arthur Goldhammer është shkrimtar në degën e Qendrës për Studime Evropiane në Universitetin e Harvardit./ “American Prospect”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button