Analiza

Demokraci pa besim

Nga Ivan Krastev

Demokraci pa besimEdhe si koncept, edhe si realitet, demokracia po i nënshtrohet një shndërrimi të thellë. Revolucioni social dhe politik, nga Woodstock-u tek Wall Street-i i viteve 1970 dhe 1980; revolucionet e “fundit të historisë” të vitit 1989; revolucioni dixhital i viteve 1990; revolucioni demografik; dhe revolucioni në trurin politik, që po shpaloset mu para syve tanë, për shkak të zbulimeve të reja në shkencën e trurit dhe ekonominë e sjelljes, i kanë bërë qytetarët më të lirë se kurrë më parë. Por këto revolicione, në të njëjtën kohë ia kanë gërryer pushtetin votuesit demokratik. Të drejtat tona nuk sigurohen më prej pushtetit tonë kolektiv si votues, por i nënshtrohen logjikës së tregut financiar dhe marrëveshjeve kushtetuese në fuqi. Votuesit mund të ndryshojnë qeveritë, por për ta është megjithatë pothuajse e pamundur që të ndryshojnë politikat ekonomike. Elitat janë shkëputur prej besnikërive ideologjike dhe kombëtare, për t’u bërë lojtarë globalë, duke e lënë shoqërinë në guaskën e thyer të shtetit-komb. Ka pasur një rënie të theksuar të besimit të publikut në punën e institucioneve publike. Ky mosbesim nuk është një rezultat i përkeqësimit të shërbimeve publike. Vjen, përkundrazi, ngaqë votuesit e ndiejnë se e kanë humbur pushtetin – ose nga zhgënjimi i tyre me demokracinë.

Disa prej teoricienëve më të mprehtë të demokracisë moderne, përfshirë këtu Pierre Rosanvallon-in në librin e tij brilant, Counter Democracy, ngulin këmbë se ne jemi alarmuar më kot me rënien e besimit tek institucionet demokracisë përfaqësuese. Ata thonë se mosbesimi është element kritik i sistemit politik dhe se demokracia nuk ka aq të bëjë me besimin, sa ç’ka të bëjë me organizimin e mosbesimit. Me një fjalë, ne jetojmë në një kohë kur qytetarët e zakonshëm do të jenë në gjendje të kontrollojnë, në mënyrë eficiente, punën e pushtetit ekzekutiv dhe kur votuesit do të jenë në gjendje të dëbojnë nga pushteti maskarenjtë; por megjithatë, po këta votues-qytetarë duhet të pranojnë se nuk u përket atyre që ta vendosin se në çfarë lloj shoqërie do të jetojnë.

Demokraci pa besim1Po ju, a besoni ju në këtë demokraci të mosbesimit? A mund t’i gëzojmë ne të drejtat tona, pa gëzuar të drejtën për të bërë zgjedhje politike reale? Unë nuk besoj, dhe me këtë libër të shkurtër do të përpiqem të shpjegoj përse.

Ky libër nuk synon të jetë polemikë, as manual për zgjidhje problemesh. Eshtë një reflektim që duhet lexuar për kënaqësinë e çështjeve që ngre, jo për dobinë e përgjigjeve të sakta që ofron. Eshtë i shkruar si një pjesë xhazi, me një ton skepticizmi të gëzueshëm: skeptik ndaj nekrologjive tashmë të botuara për demokracinë, si dhe ndaj entuziasmit se demokracia mund të sillet në jetë përmes fuqisë së papërballueshme të imagjinatës teknologjike. Eshtë një improvizim rreth një teme të demokracisë dhe të besimit. Për ta thënë thjesht: A mund të mbijetojë demokracia pa besimin? (Ivan Krastev është president i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje, Bullgari dhe anëtar i përhershëm në Institutin e Shkencave Humane në Vienë. Ai është anëtar themelues i Bordit të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë)

Shkëputur nga parathënia e Librit “I besojmë mosbesimit (A mund të mbijetojë demokracia kur ne nuk u besojmë liderëve tanë?)”, me autor të Ivan Krastev. Libri është botuar në gjuhën shqipe nga Instituti Shqiptar i Medias

Leave a Reply

Back to top button