Analiza

Demokracia 2.0: Ja si epoka dixhitale po e riformëson politikën

Me gjysmën e popullsisë së botës që pritet të jetë online brenda vitit 2019, teknologjia mund të luajë një rol të rëndësishëm në përfshirjen më të madhe të njerëzve në demokraci dhe politikë

Screen Shot 2016-04-15 at 13.06.50

Nga Ben Whitford

Problemi me politikën, ankohej dikur Oskar Uajld, është se ajo “vjedh shumë mbrëmje”. Edhe pse në epokën dixhitale, është gjithnjë e më e lehtë për njerëzit të angazhohen me njëri-tjetrin dhe përfaqësuesit e tyre politikë, pa u larguar ndonjëherë nga shtëpia. Ky është një propozim tërheqës për politikanët:në vitin 2002, kreu i atërhershëm i Dhomës së Komuneve, Robin Kuk, e cilësoi internetin “një mekanizëm pjesëmarrjeje i pa precedent në historinë demokratike”.

Koalicioni i mëvonshëm dhe qeveritë konservatore, i bënë jehonë tekno-optimizmit të Laburistëve të Rinj, duke shtyrë përpara me nismat e qeverisjes elektronike, nga forumet online tek peticionet. Xheremi Korbin është duke e shfrytëzuar rrjetin, ndërsa pak muaj më parë e provokoi Dejvid Kameronin me pyetje të shumëllojta gjatë interpelancës së parë që zhvilloi në me të si udhëheqës i Laburistëve.

Por, pavarësisht përpjekjeve të tilla, iniciativat e Britanisë për e-demokracinë mbeten “të kufizuara dhe kryesisht të pasuksesshme”, sipas studiuesve të Universitetit të Lidsit Xhill Mos dhe Stefën Koleman. Kjo nuk do të thotë se britanikët nuk kanë oreks për të:në fakt, shumë iniciativa kanë patur një përgjigje shumë pozitive.

Sistemi qeveritar i peticioneve në ueb, i filluar në vitin 2011, mblodhi 36.000 peticione nga ana e qytetarëve dhe 6.4 milionë nënshkrime që në vitin e parë online. Por përpjekje të tilla janë dëmtuar, pohojnë Mos dhe Koleman, nga prirja për t’i përdorur mjetet dixhitale si perde vitrinash, dhe ngurrimit nga ana e ligjvënësve për të hequr dorë nga monopoli e tyre mbi pushtetin.

Ndërkaq, vendet e tjera kanë qenë më të suksesshme:në Estoni, qytetarët tashmë kanë qasje në qindra funksione themelore të qeverisë – nga rregjistrimi për të filluar një biznes – nëpërmjet një portali, dhe madje edhe takimet e kabinetit qeveritar gjendet në internet në kohë reale. Estonezët krenohen me qeverisjen nëpërmjet rrjetit, ashtu si vendet e tjera krenohen me programet hapësinore, thotë guruja lokal i teknologjisë Daniel Vaarik. “Gjithçka filloi si një mënyrë për të na dalluar nga shumë vende të tjera post-sovjetike. Papritmas ne mund të kemi këtë fillim të pastër. Ne rrëmbyem mundësinë për të folur mbi të ardhmen, në vend të çështjeve të dhimbshme të së kaluarës”.

Kurora me xhevahir e platformës online të qeverisë në Estoni, është një sistem që i lejon estonezët të votojnë nga kudo ndodhen në botë. Futja e votimit elektronik universal është një lojë e madhe, por me një të tretën e popullsisë që tashmë voton online, është ai diçka ka ia ka vlejtur, beson Vaarik. “Çdo produkt ka periudhën e saj të testimit. Estonia ka zgjedhur të jetë vendi që bën këtë testim”.

Më shumë se një duzinë vendesh po përpiqen të ndjekin shembullin e Estonisë, me Zvicrën, Francën, Australinë dhe Panamanë që aplikojnë sisteme pilot të votimit online për qytetarët që ndodhen në emigracion. Kjo është diçka e madhe, thotë Sebastian Kalderon Bentin, një punëtor panamez në Nju Jork, i cili për vite të tëra qe përjashtuar nga zgjedhjet e vendit të tij, pasi ligji kërkonte që emigrantët të ishin të pranishëm fizikisht për të hedhur votën e tyre.

Megjitatë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, Kalderon qe në gjendje të regjistrohej për të votuar, pasi skanoi kartën e tij të identitetit gjatë një bisedë në Skype me zyrtar të qeverisë, dhe më pas e hodhi votën e tij duke loguar në një faqe interneti të sigurtë dhe klikuar mbi emrin e kandidatit të preferuar.

Por pjesëmarrja dixhitale nuk është vetëm rreth zgjedhjeve. Në Finlandë, aktivistët e të drejtave të homoseksualëve kremtuan një fitore të rëndësishme në vitin 2014, pasi më shumë se 1.100 njerëz përdorën një platformë online, të quajtur Ministria e Hapur, për të hartuar legjislacionin që përcakton martesën neutrale gjinore. Një peticion në mbështetje të projekt-ligjit mblodhi më shumë se 160.000 nënshkrime – 3 herë më shumë sesa numri i nevojshëm për ta çuar para parlamentit finlandez, ku u shndërrua me shpejtësi në një ligj.

Edhe në Brazil më shumë se 10.000 njerëz kanë kontribuar me anë të platformave online për hartimin e Marco Civil të vitit 2014-së, një projekt-ligj novator mbi të drejtat e përdoruesve të internetit në vend, ndërsa është shpallur një fushatë për të ndërtuar konsensusin mbi çështjet e mprehta të politikave publike.

Një qasje premtuese, e bërë popullore në Amerikën Latine dhe që tashmë po hedh rrënjë edhe në veriun global, është buxhetimi me pjesëmarrje, një sistem në të cilin qeveritë vendore lejojnë qytetarët të shprehen se si të shpenzohen fondet publike. Ky sistem shpesh përfshin forumet online dhe qasjet dixhitale tek të dhënat financiare, por është mbështetur tek ndërveprimet e drejtpërdrejta, ku njerëzit përcaktojnë së bashku si të përdorin burimet e komunitetit të tyre.

“Kjo ka të bëjë me dhënien njerëzve një pushtet të vërtetë mbi paratë”- shpjegon Xhosh Lerner, drejtor i Projektit të Buxhetit me Pjesëmarrje, i cili prezantoi konceptin në SHBA në vitin 2009. Prej atëhere, të paktën 100.000 njerëz në Shtetet e Bashkuara janë bërë bashkë për të shpërndarë 98 milionë dollarë. Një projekt i tillë ka ndihmuar qytetin e Valejos në Kaliforni, për të shmangur falimentimin, pasi zyrtarët e votuar në vitin 2012 lanë mënjanë 3.28 milionë dollarë për shpenzimet që do të menaxhoshin nga qytetarët.

Buxhetimi me pjesëmarrje, mund të jetë shumë efektiv. Studimet në Brazil kanë zbuluar se në më shumë se 7 vjet, programet ndihmuan në dyfishimin e e numrit të fëmijëve në arsimin fillor, reduktuan vdekshmërinë foshnjore deri në 20 përqind, dhe shkaktuan një rritje prej 50 përqind të të ardhurave nga taksat. Një përfitim i shtuar:politikanët që mbështetën buxhetimin me pjesëmarrje, kishin rreth 10 përqind më shumë gjasa të rizgjidheshin. “Njerëzit e pëlqejnë kur kur politikanët ndajnë pushtetin në mënyrë kuptimplotë me ta”- thotë Lerner.

Kjo është diçka që zyrtarët britanikë dhe evropianë do të bënin mirë ta mbanin mend, thotë Bruno Kaufman, kreu i Iniciativës dhe Institutit të Referendumeve në Evropë. Tek e fundit, thotë ai, demokracia pjesëmarrëse nuk ka të bëjë me peticionet on-line dhe bisedat në rrjetet sociale, por me trajtimin e njerëzve si të rritur të përgjegjshëm, dhe duke u dhënë atyre informacion dhe fuqinë që ata kanë nevojë për të marrë vendime mbi komunitetet e tyre.

Kjo është një rrugë me dy kalime. Qytetarët kanë të drejtë të kenë një rol të drejtpërdrejtë në mënyrën se si drejtohen komunitetet e tyre, argumenton Kaufman, por edhe një përgjegjësi për ta marrë seriozisht angazhimin demokratik. Edhe në epokën dixhitale, ajo kërkon një vendosmëri individual për ta kthyer pasionin në progres, dhe për të siguruar që pjesëmarrja të mos degjenerojë thjesht në populizëm.

Kjo nënkupton se forma të reja të pjesëmarrjes në dispozicion të demokracive të shekullit të XXI nuk janë vetëm një mundësi – ato janë gjithashtu një sfidë, për qytetarët kudo ata ndodhen, për të vazhduar përpjekjen për ndërtimin e një shoqërie më të mirë. “Nuk është e mjaftueshme që ju të përmbushn i detyrën 1 herë në çdo 4 vjet duke shkuar të votoni”-thotë Kaufman. “Ju duhet të jeni në krye të detyrës gjatë gjithë kohës”.

“P-News” – Ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button