Bota

Demokracia, një garë e distancave të gjata – Nga Havier Solana

Screen Shot 2015-07-25 at 18.03.34Nga Havier Solana

Madrid – Rezultati i suksesshëm i negociatave mbi programin bërthamor të Iranit, ofron një shpërblim të shkëlqyer, për ata që kanë besim tek diplomacia. Marrëveshja – e përfunduar pas më shumë se një dekade bisedimesh – thekson vlerën e këmbënguljes në trajtimin e ngërçeve që duken të pakapërcyeshme, dhe jep shpresë për më shumë iniciativa të tjera, që do të jenë të nevojshme, për të sjellë një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Bashkimi Evropian, i cili nisi bisedimet, duhet të jetë krenar për përpjekjet e tij. Dhe roli i Shteteve të Bashkuara ishte i spikatur, nga puna e pandërprerë e Sekretarit të Shtetit Xhon Kerri, madje edhe përmes pengesave, për t’i dhënë fund bllokadës 35-vjeçare ndërmjet vendit të tij dhe Iranit, dhe deri tek nxitja thelbësore e presidentit Barak Obama për të përfunduar negociatat.

Gjithashtu, presidenti iranian Hasan Ruhani, duhet të lavdërohet për vendosmërinë e tij për të përfunduar nismën që ai vetë e filloi më shumë se një dekadë më parë, kur shërbente si Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit.

Ruhani dhe unë jemi takuar në vitin 2003, të ulur përballë njëri-tjetrit në bisedimet e para bërthamore, kur ekipi ynë negociator përbëhej vetëm nga evropianët. Zgjedhja e Mahmud Ahmadinexhad si president i Iranit në vitin 2005, i nxorri nga shinat ato bisedime dhe përfundimisht çoi në vendosjen e sanksioneve.

Por unë pashë asokohe, sesa i vendosur ishte zoti Ruhani, për të arritur një marrëveshje. Dhe në fakt, kur Ruhani pasoi Ahmadinexhad në detyrë në vitin 2013, u çel një derë. Ruhani më ftoi në gusht të atij viti, në ceremoninë e marrjes së detyrës së presidentit. Gjatë asaj vizite, unë pata takime me të si dhe udhëheqës të tjerë të lartë iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm, dhe më vonë negociatorin kryesor në bisedimet e Vjenës, Muhamed Zarif. Unë shpejt vërejta se me këta njerëz në krye të Iranit, një marrëveshje do të ishte e mundur.

Marrëveshja – e njohur ndryshe si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës për Veprim (JCPOA) – kufizon programin bërthamor të Iranit për qëllime paqësore, në këmbim të heqjes së të gjitha sanksioneve ndërkombëtare në vend. Për 15 vitet e ardhshme, Irani nuk do të lejohet të pasurojë uraniumin në më shumë se 3.67 përqind (për të ndërtuar një bombë bërthamore, kërkohet uranium i pasuruar në masën minimale 85 përqind).

Pasurimi do të lejohet vetëm në centralin bërthamor të Natanzit – dhe jo në bazën nëntokësore të Fordout. Ndërkaq Teherani do të duhet të reduktojë stoqet e tij të uraniumit, të pasuruar në masën 3.67 përqind në më pak se 300 kilogramë. Për më tepër, marrëveshja do ta detyrojë Iranin të zvogëlojë në mënyrë progresive për dhjetë vitet e ardhshme, numrin e centrifugave të cilat përdoren në procesin e pasurimit.

Po kështu, reaktori i ujit të rëndë në Arak, do të duhet të ridezenjohet për të prodhuar vetëm radioizotope për qëllime mjekësore dhe industriale, apo edhe për kërkime në përdorime të tjera paqësore të energjisë bërthamore, me karburantin nuklear të prodhuar që dërgohet jashtë vendit.

Më e rëndësishmja, Irani është angazhuar të zbatojë Protokollin Shtesë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, duke siguruar qasjet tek të gjithë përbërësit e programit të tij bërthamor për 15 vitet e ardhshme. Ndërkaq agjensia do të monitorojë prodhimin e centrifugave për 20 vjet. Marrëveshja u bë e mundur nga fakti se bashkëbiseduesit e Iranit – 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermania, qenë në gjendje të ruanin një qëndrim të përbashkët gjatë një procesi që ka vazhduar për më shumë se 10 vjet.

Kjo ishte e vërtetë edhe gjatë shtytjes së bisedimeve, kur një debat mbi sanksionet kundër tregtisë së armëve konvencionale dhe raketave balistike nga Irani, kërcënoi të hapte një të çarë midis partnerëve. Ndërsa Rusia dhe Kina, deklaruan se nënshkrimi i një marrëveshjeje do të bënte çdo lloj sanksioni ligjërisht të pajustifikueshëm, SHBA-ja kërkoi të qetësojë sa më shumë të ishte e mundur, frikën e fqinjëve të Iranit.

Konsensusi mes partnerëve negociues – një nga pikat e pakta të marrëveshjes që kishte lidhje me Lindjen e Mesme – ishte vendimtar në bindjen e Iranit për t’i marrë seriozisht bisedimet. Dhe, në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Rusisë dhe SHBA-së dhe Evropë, e cila ka rezultuar në një bllokadë politike kronike në Këshillin e Sigurimit në OKB, aftësia e palëve për të mbetur të bashkuar, justifikon një optimizëm më të madh për të ardhmen.

Në fakt, ky pakt ia vlen të merret veçanërisht në konsideratë, nëse bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe të BE-së, mund të jetë i dobishëm për të ecur përpara për çështje të tjera. Perëndimi dhe Rusia, ndajnë interesa të përbashkëta në stabilitetin e Lindjen e Mesme, ashtu si edhe Kina, e cila është veçanërisht e shqetësuar mbi sigurinë e linjave të saj energjetike.

Ajo që mbetet më e nevojshme – dhe më e vështirë për t’u arritur – është një afrim mes Iranit dhe Arabisë Saudite. Shumë nga konfliktet në Lindjen e Mesme, i kanë rrënjët e tyre në tensionin midis sunitëve dhe shiitëve islamikë. Bashkëpunimi ndërmjet sunitëve dhe shiitëve do të jetë jetik, për të mposhtur ekstremizmin e Shtetit Islamik, si dhe për të kapërcyer boshllëqet midis luftëtarëve në Siri, Irak, Jemen, dhe Liban.

Irani nga ana e tij duhet të demonstrojë, se është një lojtar i përgjegjshëm në rajon – jo thjesht një përkrahës i pushtetit shiit. Rivendosja e lidhjeve mes SHBA-së dhe Iranit pa dyshim do ketë pasoja në Izrael dhe Palestinë.

Edhe pse marrëveshja me Iranin objektivisht e bën Izraelin më të sigurtë, kryeministri Benjamin Netanjahu e konsideron atë një gabim historik. Për të qetësuar ndjesinë e braktisjes nga aleati i tij tradicional, SHBA mundet gabimisht të ndalë përkrahjen për iniciativat e njohjes së shtetit të Palestinës në muajt e ardhshëm.

Por është thelbësore që BE-ja, e cila financon institucionet e përkohshme të Palestinës, të mos zbusë vendosmërinë e saj për t’i bërë ato të përhershme. Marrëveshja historike me Iranin, është vetëm një nga paktet e shumta që do të kërkohen, për të sjellë paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme. Pengesa e parë është kapërcyer. Ne tani duhet të vrapojmë sërish, për pjesën tjetër të garës.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Diplomacy’s Long-Distance Race

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button