Analiza

DESHMIA/Kallashë dhe gjarpërinj, kështu shpëtova nga Boko Haram

Sakinah është një prej gjashtëdhjetë vajzave që u arratisën nga “burgu” i militantëve islamikë të Boko Haram. Ajo rrëfen ditët e saj të ferrit. “Atë natën vërshuan në fshatin tim dhe duke qëlluar në ajër, na rrëmbyen të gjithave. Më pas uri, rrahje dhe lot”

Stupri e torture tra mitra e serpenti così sono fuggita da Boko HaramNuk ka më frikë Sakinah, por më shumë e shastisur prej asaj që i ka ndodhur ditët e fundit në savanën e frikshme të verlindjes së Nigerisë, e burgosur e militantëve të Boko Haramit, përpara se të arrinte që të arratisej bashkë me gjashtëdhjetë vajza të tjera. “Nuk mendoj se ai yni ishte një akt heroizmi: ne vepruam thjeshtë prej instiktit të mbijetesës”, rrëfen vajza që ishte rrëmbyer në qershor bashkë me dhjetëra gra dhe vajza të tjera nga ana e luftëtarëve të sektit islamik në Kummabza, një fshat disa dhjetëra kilometra larg nga Chibok, ku në mesin e muajit prill po këta xhihadistë kishin rrëmbyer më shumë se dyqind nxënëse të një shkolle të mesme, duke zbuluar kështu para botës konfliktin që prej vitesh mban mbërthyer këtë vend ku ka pllakosur mjerimi dhe dhuna.

Sakinah thotë: “Kujtimi më i tmerrshëm? Pak orë pas rrëmbimit, na futën në një pyll të mbushur me gjarpërinj helmues: dy prej tyre u kafshuan nga gjarpërinjtë, dhe pas shumë vuajtjesh, vdiqën të dyja”. Vajza thotë se edhe orët dramatike të rrëmbimit do i mbeten në kujtesë për aq sa do jetë gjallë. “Atë natë, më shumë se 50 burra të armatosur vërshuan në fshatin tim, me kamionë, duke tundur në ajër kallashnikovë, duke u vënë zjarrin shtëpive dhe vrarë këdo që ndeshnin. Sulmi zgjati të paktën tre ditë, në fund të të cilave na kishin rrëmbyer dhe marrë me vete”. Vetëm të premten që kaloi, pasi u lirua, Sakinah arriti të kuptojë se pas atij sulmi falangat islamike kishin vrarë 30 burra, dhe 30 të tjerë, për më tepër shumë të rinj në moshë, ishin rrëmbyer edhe ata për t’i rekrutuar si fëmijë-ushtarë, apo si skllevër seksi. Një tjetër gjë që Sakinah e injoronte deri dje, është që fshati i saj Kummabza është djegur i tëri. Ata pak vetë që i mbijetuan furisë xhihadiste u desh të vendosen në fshatrat fqinjë, apo në Kamerun.

Më tej, vajza shton: “Na kanë trajtuar si kafshë. Mjaftonte një fjalë më shumë, për t’u rrahur me shkopinj e me shkelma. Kemi vuajtur nga uria dhe etja, ndërkohë që ata hanin nga mëngjesi në darkë, para nesh, sikur të donin të na bënin të ndienim më thellë shtrëngimin e urisë. Tre gra dhe dy fëmija u sëmurën, ndoshta prej ujit të infektuar që na jepnin për të pirë. Ishin kaq të dobëta, saqë fatkeqësisht nuk mundën të arratisen bashkë me ne”.

Kur e pyesim nëse luftëtarët kanë abuzuar seksualisht me ndonjë prej tyre, Sakinah nuk përgjigjet, nga turpi, apo sepse kujtimi i asaj që ka pësuar është ende shumë i freskët dhe i dhimbshëm për t’u rrëfyer. Por në heshtje, thotë kreu i militantëve anti Boko Haram që e shoqëron, fytyra e vajzës mbushet me lotë. Në të kaluarën, të tjera gra të rrëmbyera kanë dëshmuar se janë përdhunuar prej njerëzve të Boko Haramit, një konfirmim i faktit që pjesëtarët e këtij sekti më shumë sillen si cuba të ligj, se sa si luftëtarë të Allahut. Për përdhunimet e xhihadistëve afrikanë flet edhe një studim i kohëve të fundit i Human Rights Watch.

Po si ia kanë dalë të arratisen nga kthetrat e një grupi kaq famëkeq? “Ishte shumë e lehtë: krejt papritur nuk ishte askush që të na mbikëqyrte, dhe ne thjeshtë u larguam nga vendi ku po na mbanin”, shpjegon Sakinah, e cila nuk mund ta dinte që në ndërkohë, njerëzit që i mbanin të burgosur kishin kryer një sulm në një kazermë dhe një komisariat në qytetin e Damboas, dhe që shumë prej tyre kishin mbetr të vrarë.

Por, në duart e Boko Haram janë ende 219 nxënëset e gjimnazit që u rrëmbyen natën e 14 prillit në Chibok. Dhe çdo ditë që kalon shuhet shpresa që ato të mund të çlirohen, pasi tashmë ato mund të jenë shpërndarë si plaçkë lufte. corriere.it

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button