Bota

DESHTIMI I MADH / Ja si “e luajti” Merkeli, pushtetin e saj në Europë

Sipas Der Spiegel, për shkak të politikave të saj për çështjet e migrimit, Kancelarja e ka izoluar Gjermaninë si asnjë paraardhës i saj. Rruga ballkanike u mbyll kundër vullnetit të saj dhe shumë udhëheqës europianë janë të zhgënjyer prej hapjes së saj me Turqinë

Screen Shot 2016-03-16 at 09.32.33

“Ishte një kohë kur marrëdhëniet mes Kancelares gjermane dhe presidentit të Këshillit europian, Donald Tusk ishin më të pëlqyeshme. Kur Angela Merkeli hynte në sallat e pallatit të Këshillit Europian në Bruksel, Tusku përulej thellësisht dhe ia shtrëngonte duart me ngrohtësi. Pastaj ia puthte faqet kaq fort, saqë Merkeli, kaq shumë e mësuar me formalitetet, merrte një shprehje të shpejtë konfuzioni dhe befasie përballë ish kryeministrit polak”.

Këtë histori e rrëfen revista gjermane Der Spiegel, një prej më populloreve në Gjermani. Megjithatë, bëhet fjalë për një histori të kaluar, të një kohe kur Kancelarja shihej si e vetmja udhëheqëse e padiskutueshme e një Europa të tërhequr prej Gjermanisë. Megjithatë, sipas Spiegel, ajo Europë nuk ekziston më. Dhe bashkë me të, edhe udhëheqja e Angela Merkelit, e cila tani duket të jetë më e izoluar. Dhe këtë e nxjerr në pah, mes të tjerave, edhe sjellja e Donald Tuskut. Nuk është më i ngrohtë dhe plot respekt, por i ftohtë, formal, i shkëputur.

Në fakt duket se Tusk ka pushuar së telefonuari Kancelaren. Mesazhet e tij për Merkelin tashmë publikohen në llogarinë e tij në Tuiter. Prej ku ka falënderuar publikisht vendet ballkanike për faktin që ua mbyllën kufijtë refugjatëve, duke “implementuar kështu një pjesë të strategjive për përbalimin e krizës së migrantëve”. Duke shprehur kështu një mendim diametralisht të kundërt, në krahasim me atë të Kancelares gjermane, që deri në fund u përpoq ta shmangë mbylljen e rrugëkalimit në fjalë, duke këmbëngulur se Greqia duhej ndihmuar dhe jo përjashtuar.

Nëse në një moment, pozicioni i qeverisë së Merkelit dukej se ishte shumicë në Europë, sot nuk është më kështu. Rezistenca që vjen nga vendet e Europës Lindore, në krye të të cilës është kryeministri hungarez, Viktor Orban, është pasuar nga disa vende të Europës perëndimore: kancelari austriak, Verner Faymann ka shpallur se do të pranonte vetëm një numër të kufizuar azilkërkuesish në ditë, duke shkaktuar një reagim të inatosur prej homologes së tij gjermane. Tani, edhe një institucion europian kaq prestigjoz sa DOnald Tusk ka vendosur t’i kthejë shpinën mikes së vjetër, Angela. E cila sot gjendet në pakicë. Dhe që, sipas Spiegel, ka provokuar një izolim ndërkombëtar të Gjermanisë, i cili nuk ka precedentë në epokën tonë.

NJE EKUILIBER I RI EUROPIAN

Gjermania dhe Franca nuk janë më udhëheqëse të Europës. Rënia e popullaritetit të qeverive të tyre dhe të zgjedhjeve të tyre politike, kanë shkaktuar një reagim të fuqishëm, si tek aleatët, ashtu edhe tek kundërshtarët. Austria është bashkuar në një aleancë joformale me vendet e grupit Vishegrad, me miratimin e heshtur në Donald Tuskut. Në frontin e brendshëm, Angela Merkelit i duhet të përballet me një rritje të fortë të kundërshtimeve në të djathtë, që përfaqësohen kryesisht nga Alternative fuer Deutschland, partia e cila në zgjedhjet e fundit rajonale u rendit si forcë e tretë kombëtare, pas CDU dhe SPD. Por goditja e vërtetë për shumicën kristian-demokrate vjen nga Bavaria, ku aleatët e saj të CSU janë tejet kritikë kundrejt veprimeve të qeverisë në çështjen e migrantëve dhe mbështesin haptas pozicionet e Orbanit. Në këtë situatë, Merkeli nuk mund të shfaqet më përpara syve të partnerëve europianë, si titullare pothuaj absolute e konsensusit të qytetarëve të vet, por tashmë shihet si udhëheqëse e një koalicioni, konsensusi i të cilit po bjerret me shpejtësi.

Sipas Der Spiegel, muret kundër imigrantëve që në muajt e fundit janë rritur si kërpudha në të gjithë Europën lindore dhe të mesme, nuk shërbejnë vetëm për të ndalur fluksin, por edhe politikat e Gjermanisë. Duke u shndërruar kështu në simbol të rezistencës antigjermane.

ÇESHTJA TURKE

Duke ftuar Europën që të pranojë këdo që ikën prej luftërave dhe varfërisë, Angela Merkeli e ka bërë çështjen morale, shenjë kryesore dalluese të identitetit të saj. Moral që megjithatë i është kthyer kundër, qyshkurse ka filluar të jetë mbështetësja kryesore e Turqisë. Ndërkohë që nga njëra anë Gjermania kritikon pengesat kundër imigrantëve, në emër të solidaritetit dhe të drejtave të njeriut, nga ana tjetër ajo bëhet zëdhënëse e një vendi që po transformohet vazhdimisht në një diktaturë të përgjakshme. Duke mbyllur të dy sytë përballë shkeljes së çdo të drejte të pakicave etnike dhe kundërshtuesve ndaj qeverisë së Orbanit.

Marrëveshjet që Merkeli po negocion personalisht me Ankaranë parashikojnë shprehimisht shkeljen e ligjeve europiane, si dhe çdo të drejtë të migrantëve që, sipas pothuaj të gjithë vëzhguesve, do të përdoreshin si mall këmbimi në tratativat mes të dy palëve. Një element ky, jo pak kompromentues për kë justifikon linjën e vet të veprimit, me emergjencën humanitare dhe që akuzon për racizëm, ata që nuk reshtohen në krah të vendimeve të saj. Edhe për këtë arsye, po vihet në diskutim roli i saj udhëheqës. Kur në verën e vitit që kaloi, Merkeli shpalli pozicionin e saj të hapjes ndaj imigrantëve, popullaritetii saj ndërkombëtar ishte i fortë dhe i qëndrueshëm, sot nuk është më kështu. Dhe disa marrje pozicionesh të fortë, sjellin risqe që më parë nuk ekzistonin.

Sipas Spiegelit, Merkeli është një hipokrite. Dhe asgjë nuk e shfaq më shumë hipokrizinë e saj, se sa beteja për mbylljen e rrugës ballkanike. Me vetëm disa qindra imigrantë që hyjnë përditë, Gjermania do të ishte përfituesja më e madhe e kësaj situate. Por pranimi i mbylljes do të ishte pranim i humbjes së linjës së saj. Gjë që ka ndodhur, por pranimi publikisht do të sillte kompromentim të rolit të saj politik. Për këtë arsye, ekzekutivi i saj po mbron fuqimisht pozicionet fillestare. Ndërkohë që pjesa tjetër e Europës shkon në një tjetër drejtim. “Rruga ballkanike tashmë është mbyllur”, ka thënë Tusk. Një fakt i kryer, që Merkeli nuk e pranon sepse nuk dëshiron të pranojë dështimin e saj, shkruan Spiegel.

Der Spiegel nuk përdor fjalë të zbutura: Angela Merkeli ka dështuar në realizimin e Europës së saj. Cmimi i politikave të saj nuk është vetëm fuqizimi i forcave politike të të djathtës populiste dhe fragmentimi i shoqërisë gjermane. Dështimi i saj i madh është se prodhoi një Europë, e cila nuk është më e bashkuar. /Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button