
Një ekip psikologësh nga Northwestern University (SHBA) ka shqyrtuar bindjen e përhapur se dështimi është diçka e shëndetshme, sepse i shtyn njerëzit të kuptojnë gabimet e tyre dhe t’ia dalin në përpjekjen pasuese. Por studiuesit kanë vërtetuar se nuk është gjithmonë kështu: në shumicën e rasteve, dështimi bën që njerëzit të mos provojnë më, nga frika se mos dështojnë përsëri. Me fjalë të tjera, nuk mësohet gjithmonë nga gabimet.
Mbivlerësimi i aftësisë për të “mësuar nga dështimi”
Ekipi i psikologëve ka analizuar të dhënat e 11 studimeve të ndryshme (me gjithsej 1.800 pjesëmarrës) dhe ka zbuluar se njerëzit kanë prirjen të mbivlerësojnë aftësinë për të përmirësuar veten pas një dështimi.
Për shembull, shumë besojnë se shumica e studentëve do ta kalojnë një provim universitar pasi janë rrëzuar herën e parë, ose se personat që kanë pësuar një infarkt do të përmirësojnë ndjeshëm stilin e tyre të jetesës pas ngjarjes.
Për ta testuar këtë edhe në praktikë, studiuesit kanë intervistuar një grup infermierësh, duke pyetur se sa mendonin se kolegët e tyre kishin mësuar nga gabimet e së kaluarës. Pothuajse të gjithë ishin të bindur se përvojat negative i kishin ndihmuar të përmirësoheshin, por të dhënat reale të spitalit ku ata punonin nuk e konfirmonin këtë.
Dështimi mund të jetë një mësues i mirë, por vetëm kur njeriu e përballon me vetëdije dhe pa frikë. / bota.al





