Analiza

Detyrimet që Berlini nuk dëshiron t’i paguajë

Romano Prodi

german eu flag

Pavarësisht deklaratave të shumta, që të bëjnë të mendosh për risi në ekonominë europiane, ditët e fundit kemi parë të përsëritur një gjë që ka ndodhur shumë herë. Së pari, kemi dëgjuar parashikime të zymtëpër të ardhmen e ekonomisë së Bashkimit Europian, mbi të gjitha në zonën e Euros. Ato na kanë kujtuar se kthesa ende nuk duket në horizont dhe që investimet dhe konsumi do të vazhdojnë të jenë “dembelë”. Mesazhi i dytë (edhe ky është përsëritur shpesh në muajt e fundit) është se edhe Gjermania është në vështirësi: në një botë plot me probleme, nuk mund të jetohet vetëm me eksporte.
Mesazhi i tretë, që ka dalë nga udhëheqësit ndërkombëtarë, është se politika ekonomike europiane kritikohet nga qeveri dhe ekonomistë të të gjithë botës dhe ajo konsiderohet e rrezikshme jo vetëm për ne, por edhe për zhvillimin global. Mesazhi i katërt dhe i përsëritur (fatmirësisht ky është pozitiv), është se Mario Draghi do të angazhojë Bankën Qendrore EUropiane, që të bëjë të pamundurën për të ndihmuar rritjen ekonomike, duke rritur pritshmëritë përmes përdorimit të instrumentave që ka në dispozicion, me qëllim që t’i rijapë frymëmarrje ekonomisë europiane, që sot është në një fazë të vërtetë stanjacioni.
Këto sekuenca janë përsëritur disa herë dhe do të kenë ndoshta të njëjtët efekte që kanë patur në të kaluarën: fjalët e Draghit shpëtojnë ekonominë nga kolapsi, ulin normat e interesit dhe të bonove, ulin normën e këmbimit të Euros kundrejt dollarit dhe sjellin gjithashtu rruitje të kuotimeve të aksioneve në të gjithë bursat e vendeve të eurozonës.
Megjithatë, ato nuk munden që, të vetme, të ndihmojnë rimëkëmbjen. Banka Qendrore Europiane mbetet e vetmja strukturë europiane që vepron kundër krizës: një veprim që është në gjendje të shmangë rënien “në greminë”, por që pa një ndryshim në strategjinë e qeverive, nuk mundet të ndihmojë në daljen nga telashet. Deri tani, një ndryshim të tillë politikash nuk e kemi parë asnjëherë. Treqind miliardët e investimeve që janë programuar nga Junckeri për tre vitet e ardhshëm tregojnë rrugën e duhur, por nuk mjaftojnë, mbi të gjitha nëse do të shohim edhe aktin e fundit të një riti tashmë të përsëritur, domethënë refuzimin e miratimit të masave të jashtëzakonshme nga ana e Gjermanisë.
Flas për Gjermaninë sepse tashmë udhëheqja e Europës prej saj është e padiskutueshme. Franca shfaqet gjithnjë e më e çorientuar dhe Britania e Madhe, pas vendimit për organizimin e një referendumi për qëndrimin e saj në BE, po humbet çdo ditë e më shumë pushtet në Bruksel. Të gjithë vendet që më parë mbaheshin në një ekuilibër mes Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe (nga Polonia tek shtetet Balltike, duke kaluar nga Sudeia dhe Portugalia) tashmë rigrupohen nën ombrellën gjermane. Në të njëjtin drejtim është orientuar politika spanjolle e muajve të fundit.
Pra, Gjermania ushtron një pushtet pothuajse të vetmuar: tek presidentët e rinj të Komisionit dhe Këshillit ka dy personalitete që vërtiten përreth orbitës së saj, dhe mbi të gjitha ka një prani shumë të fortë mes drejtorëve, shefave të kabineteve dhe zëvendësve të tyre. Burokracia po përshtatet me raportet e reja të forcës. Edhe amerikanët. Kur lindin probleme mes SHBA dhe Europës, presidenti Obama i telefonon kancelares Merkel dhe jo kryeministrit britanik. Me pak fjalë, Gjermania për shkak të sistemit të saj politik dhe ekonomik, është shndërruar në arbitrin e politikës europiane. Dhe duke qenë se, siç e dimë të gjithë, penalltia jepet kur fërshëllon arbitri, tashmë është Gjermania që u jep notat shteteve të ndryshëm. Edhe për këtë arsye Spanja, e cila është në kushte më të vështira se sa Italia, edhe pse ka vënë në zbatim disa reforma, merr vazhdimisht një notë më të mirë se e Italisë.
Pra, bëhet fjalë për një lidership të qartë dhe tashmë të njohur. Megjithatë, e dimë që në demokracitë moderne, nuk ekziston lidershipi pa përgjegjësi. E kanë treguar qartësisht Shtetet e Bashkuara që, pasi fituan Luftën e Dytë Botërore, iu vunë punës për një rilindje europiane, duke organizuar Planin Marshall.
Vështirësia që kemi sot në Europë qëndron në faktin që opinioni publik dhe bota politike gjermanike refuzojnë të pranojnë vetë konceptin e lidershipit, sepse ky sjell në mendje probleme të të kaluarës si dhe lë të kuptohet në mënyrë të pavetëdijshme në një sforcim të sektorit të mbrojtjes, që Gjermania ka refuzuar gjithmonë që ta bëjë gjatë gjithë periudhës së pasluftës.
Kam menduar disa herë se përkeqësimi i situatës së brendshme ekonomike mund ta shtyjë Gjermaninë që të ushtrojë rolin që i jep lidershipi i saj, duke adoptuar një politikë rimëkëmbjeje në interes të të gjithë vendeve të BE, përfshirë edhe vetë Gjermaninë. Ende e shpresoj, por deri tani gjërat nuk po shkojnë në këtë drejtim, dhe, edhe në debatet e fundit në parlamentin gjerman, pozicionet për këtë çështje nga ana e bavarezëve, demokristianëve dhe socialistëve nuk ndryshojnë në krahasim me të kaluarën.
Pra, është shumë e mundur që Gjermania do të vazhdojë me politikën e saj të kursimit, duke i dedikuar një shifër modeste investimeve publikë, për të cilët në fakt ka shumë nevojë. Investime që janë të domosdoshëm për të rritur vetë zhvillimin e Gjermanisë. Në koherencë me këtë politikë të brendshme, kursimi konsiderohet nga gjermanët një ilaç i përshtatshëm për të shëruar sëmundjet e të gjithë Europës. Një devijim nga kjo strategji tradicionale mund të konsiderohet një lëshim për vendet “dembelë” të periferisë, mes të cilëve pa dyshim akuzohet edhe Italia. Eshtë e qartë se reformat për të cilat flitet kaq shumë në Itali duhet të vihen me shpejtësi në zbatim dhe duhet të vendosim pa kërkuar ulje apo favore. Secili duhet të bëjë detyrat e veta të shtëpisë dhe ne italianët kemi ende shumë mbi tryezë. Megjithatë, kemi të drejtë të kërkojmë që të sigurohen kushtet që, vënia në zbatim e reformave, të jetë sa më e mundur nga pikëpamja politike dhe sociale. Lidershipi gjerman, edhe pse mohohet, ekziston dhe ndihet: ai duhet që detyrimisht të shoqërohet nga një ushtrim paralel i përgjegjësive.

SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button