Analiza

BE dhe sindroma e mbretit të Francës

chappatteTIMOTHY GARTON ASH

Ditën kur u sulmua Bastija në 1789, Mbreti Luigji Xvi shkruante në ditarin e tij, “rien”. Shumë pak udhëheqës europianë do të kishin shkruajtur “asgjë” në iPad-ët e tyre sot, por ka një rrezik real që, në përgjigje të thirrjeve revolucionare në të gjithë kontinentin, ata në fakt nuk do të bëjnë asgjë. “Rien” sot ka një fytyrë dhe një emër. Emri është Juncker. Jean Claude Juncker.

Do të ishte katastrofike nëse përgjigja e liderëve europianë do të ishte të merrnin Junckerin dhe ta bënin president të Komisionit Europian. Luksemburgasi i matur ka qëndruar më gjatë se kushdo tjetër në krye të një qeverie të një vendi anëtar të BE, si dhe ka qenë në krye të Eurogrupit gjatë periudhës më të rëndë të eurokrizës. Ndonëse ka aftësi të konsiderueshme si politikan, ai personifikon gjithçka që votuesit e protestës, nga e majta në të djathtë, nuk besojnë tek elitat europiane. Ai është, si të thuash, Luigji XVI i BE-së.

Rreziku qëndron gjithashtu në atë që do të ndodhë brenda Parlamentit Europian. Zhvillimi më i mundshëm është një lloj koalicioni i madh mes grupeve kryesorë, qendra e majtë, qendra e djathtë, liberalët dhe të paktën disa të gjelbër, për të mbajtur larg partitë antieuropiane. Nëse gjashtë apo më shumë partitë ksenofobe dhe nacionaliste pranojnë udhëheqjen e Marine Le Pen, duke lënë mënjanë dallimet për të krijuar një grup të njohur në parlament, kjo do u japë atyre financime (nga xhepat e taksapaguesve europianë) dhe një pozicion më të fortë në procedurën parlamentare, por sërish jo aq vota sa nevojiten për t’iu kundërvënë një koalicioni të tillë të madh.

Kjo është gjë e mirë? Po, në terma kohëshkurtër. Por vetëm nëse ai koalicion i madh mbështet më pas reformën e BE-së. Duhet të fillojë, simbolikisht, duke refuzuar për të bërë sërish vajtje-ardhjen absurde dhe të rregullt nga zyrat qendrore në Bruksel tek selia e dytë luksoze në Strasburg, me një kosto prej 180 milionë Euro në vit. Por, nëse koalicioni i madh nuk do të arrijë të përmbushë pritshmëritë e europianëve në pesë vitet e ardhshëm, atëherë vetëm sa do të forcojë votën anti BE në raundin e ardhshëm. Pastaj, të gjithë partitë kryesore do të bëhen përgjegjëse për dështimin.

Një arsye për optimizëm në këtë re me përmasa kontinentale është se, për herë të parë që kur nisën zgjedhjet e drejpërdrejta për parlamentin në 1979, pjesëmarrja në votime nuk pati rënie. Pjesëmarrja ndryshon shumë nga një shtet në tjetrin – në Sllovaki ishte afro 13% – por në Francë, për shembull, shumë më tepër votues shkuan të votojnë në krahasim me zgjedhjet paraardhëse. Ajo që proeuropianët e kanë predikuar për kaq shumë kohë, më në fund u realizua: qytetarët europianë u angazhuan aktivisht në procesin demokratik mbarëeuropian. Por, për ironi të fatit, e bënë këtë për të votuar kundër BE-së.

Atëherë, çfarë po u thoshin europianët udhëheqësve të tyre? Mesazhi i përgjithshëm u përmblodh në mënyrë të përsosur nga karikaturisti Chappatte, me një grup protestuesish që mbanin lart një pankartë ku shkruhej: “Të palumtur” – dhe njëri prej tyre që bërtiste me megafon në drejtim të kutisë së votimit. Janë 28 shtete anëtarë dhe 28 varietete të të Palumturit. Disa prej partive të suksesshme të protestës janë vërtetë në të djathtën ekstreme: në Hungari, për shembull, Jobbik mori 3 vende dhe më shumë se 14% të votave. Shumica, si britanikja Ukip tërheqin votues majtas dhe djathtas, me parulla të tilla si “na riktheni vendin tonë” dhe “shumë të huaj, pak vende pune”. Por në Greqi, vota e protestës shkoi tek Syriza e majtë.

Simon Hix, një ekspert i parlamentit europian, ka identifikuar tre shkolla kryesore të palumturisë: europiano veriorët jashtë eurozonës (britanikët, danezët), europiano veriorët brenda eurozonës (ata gjermanë që i dhanë disa vende partisë antieuro AtD) dhe europiano jugorët brenda eurozonës (portugezët dhe grekët).

Kjo lë jashtë europiano lindorët, të cilët janë të palumtur në mënyrën e tyre. Dhe fakti që të Palumturit vijnë nga drejtime të ndryshëm e bën të vështirë të adresosh problemin. Endrra e votuesve të Syrizas është njëkohësisht makthi i votuesve të Alternative fuer Deutschland.

Megjithatë, një gjë e kanë të gjithë të përbashkët: frika për shanset e jetës së fëmijëve të tyre. Deri afro 10 vjet më parë, supozohej përgjithësisht që gjërat do të bëheshin më mirë për brezin e ardhshëm të europianëve. “Europa” ishte pjesë e një historie më të madhe progresi. Por një sondazh i Eurobarometrit në fillim të këtij viti zbuloi se më shumë se gjysma thonë që jeta për fëmijët e tyre në BE do të jetë më e vështirë se e tyrja.

Tashmë ka një brez të diplomuarish europianë që ndiejnë se janë zhvatur nga një e ardhme më e mirë, që ishin bërë te besonin. Ata janë anëtarë të një klase të re: prekariatit.

Në një moment kaq dramatik për të gjithë projektin europian, ia vlen të rikthehesh në origjinë, në Kongresin e Europës të vitit 1948, kur avokati veteran i PanEuropës, Richard Coudenhove-Kalergi iu drejtua themeluesve të tjerë: “Le të mos harrojmë, miqtë e mi, se Bashkimi Europian është një mjet dhe jo një qëllim”. Kjo është e vërtetë sot, po aq sa atëherë. Bashkimi Europian nuk është një qëllim në vetvete. Ai është një mjet për të realizuar qëllimin e përmirësimit të jetës së qytetarëve të tij.

Kështu që, tani kemi nevojë për t’u fokusuar radikalisht tek ofrimi i këtij përmirësimi për qytetarët. Mjaft me ata debate institucionalë të pafund. Pyetja nuk është “më shumë apo më pak Europë”. Pyetja është: më shumë nga çfarë dhe më pak nga çfarë? Për shembull, na duhet më shumë nga tregu i përbashkët për energjinë, telekomunikacionin, internetin dhe shërbimet, por na duhen më pak politika të udhëhequra nga Brukseli për peshkimin dhe kulturën.

Duhet ndërmarrë çdo politikë që krijon qoftë edhe një vend të ri pune për një europian aktualisht të papunë. Cdo centimetër shirit i kuq që nxjerr të papunë dikë duhet grisur. Kjo nuk është kohë për Junckers. Ky moment kërkon një komision europian të të gjithë talenteve, udhëhequr nga dikush me aftësi të provuara si Pascal Lamy apo Christine Lagarde, tërësisht të dedikuar ndaj detyrës për bindjen e legjioneve të të Palumturve se ka një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, dhe që kjo është në Europë.

Kjo duhet të ndodhë. Por a do të ndodhë? Kam një ndjenjë të frikshme se historianët e ardhshëm do të shkruajnë për zgjedhjet e majit 2014: “Kjo ishte këmbana e alarmit që nuk arriti ta zgjojë Europën”.

Leave a Reply

Back to top button