
Rusia dhe Kina janë dy perandori dhe, si të tilla, janë larg së qeni blloqe monolite. Në Federatën Ruse që drejtohet nga Moska jetojnë popuj me etni, kultura, fe dhe tradita shumë të ndryshme. E njëjta gjë vlen edhe për Kinën, ku përkrah shumicës han (rreth 90–91% e popullsisë), bashkëjetojnë edhe 55 pakica etnike. Historia ka treguar se shtete të tilla, mozaikë të vërtetë shoqërorë, mund të qëndrojnë të bashkuara vetëm përmes figurës së të ashtuquajturit “njeri i fortë”, i cili nga ana e tij duhet të mbështetet në disa shtylla për të mos u përpirë nga luftërat e brendshme për pushtet.
Vladimir Putin dhe Xi Jinping, ndonëse në mënyra të ndryshme dhe për t’iu përgjigjur problemeve të ndryshme, përdorin të njëjtat “paterica”: nacionalizmin dhe agresivitetin.
Rusia: pushteti përmes territorit dhe armëve
Nga njëra anë kemi Rusinë, një vend që historikisht nuk ka qenë kurrë vërtet i pasur, i përshkuar nga një kompleks obsesiv rrethimi dhe nga bindja se fuqia barazohet me kontrollin territorial. Putini e ka përqafuar këtë nevojë, duke u përpjekur të mbulojë plagët e lëna nga shembja e Bashkimit Sovjetik me forcë ushtarake: Çeçenia, Gjeorgjia, Siria dhe sot Ukraina janë pjesë e kësaj strategjie.
Qëllimi ka qenë i dyfishtë: nga njëra anë të rimarrë territore që dikur i përkisnin perandorisë cariste dhe që ende perceptohen si të tilla; nga ana tjetër të ruajë idenë se Rusia është një fuqi e aftë të luajë në të njëjtin nivel, nëse jo mbi, aktorët e tjerë të mëdhenj ndërkombëtarë. Këtij projekti ushtarak, Moska i ka shtuar një retorikë viktimizuese, sipas së cilës Rusia është objektiv i Perëndimit, i cili sipas Kremlinit, ka “tërhequr” ish-republikat sovjetike drejt NATO-s, duke injoruar faktin se ato vetë, sapo u çliruan nga komunizmi, kërkuan me ngulm mbrojtjen amerikane.
Të tregosh me gisht një armik të jashtëm është një nga mënyrat më efektive për të bashkuar një popull. Dhe kjo ka funksionuar: jo vetëm për Rusinë, por edhe për NATO-n, e cila është forcuar ndjeshëm pas nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022.
Kina: pasuri në rritje, por plagë të thella
Nga ana tjetër qëndron Kina, fuqia e dytë ekonomike e botës, një vend që bëhet gjithnjë e më i pasur, por që fsheh pabarazi të thella sociale dhe ekonomike. Urbanizimi i shfrenuar në zonat bregdetare dhe në juglindje bën kontrast me hapësira të mëdha të brendshme, ende kryesisht bujqësore dhe pak të populluara. Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve vazhdon të zgjerohet, ndërsa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si ndërtimi, janë në krizë, mjafton të përmendet rasti Evergrande.
Në planin ushtarak, Xi Jinping synon ndërtimin e një ushtrie që të mund të rivalizojë fuqinë amerikane. Megjithatë, Kina ende nuk ka as kapacitetin logjistik për të konkurruar realisht me SHBA-të, as një elitë drejtuese ushtarake të konsoliduar, sidomos pas spastrimeve të vazhdueshme brenda aparatit shtetëror dhe ushtarak.
Pavarësisht kësaj, Pekini ndjek një linjë të ngjashme me atë të Moskës: kompaktim i shoqërisë përmes nacionalizmit dhe një politikë gjithnjë e më agresive ndaj fqinjëve. Një shembull ekstrem i këtij projekti është represioni ndaj ujgurëve. Në planin ndërkombëtar, fokusi kryesor mbetet Tajvani, të cilin Kina e konsideron pjesë të panegociueshme të territorit të saj. Krahas kësaj, nuk mungojnë përplasjet kufitare me Indinë dhe provokimet detare ndaj Filipineve dhe Japonisë.
Nuk bëhet fjalë për luftë të hapur, por për një qëndrim armiqësor të vazhdueshëm, që lë ende hapësirë për diplomaci. Arsyeja është e qartë: “pakti social” kinez bazohet në premtimin e stabilitetit nga Partia Komuniste dhe një konflikt i madh ushtarak do të rrezikonte vetë themelet e pushtetit të saj.
Një skenar i rrezikshëm për dy perandori tokësore
Rezultati është se si Rusia, ashtu edhe Kina, sot janë të rrethuara nga shtete armiqësore, një skenar makth për perandoritë tokësore. Në rastin më të keq, atë të një përshkallëzimi global deri në një luftë të tretë botërore, forcat e tyre do të shpërndaheshin në dy teatro lufte në skaje të kundërta të globit, përballë një aleance ndërkombëtare të bashkuar nën një ombrellë të vetme: atë të Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë baza ushtarake pranë të dyjave.
Moska dhe Pekini ndodhen kështu në një dilemë ekzistenciale, që kërcënon jo vetëm ambiciet e tyre perandorake, por edhe vetë natyrën e tyre si autokraci. Sepse nacionalizmi agresiv i Xi Jinpingut, ashtu si ai i Putinit, mund të funksionojë vetëm deri në një pikë: pa veprime konkrete, rrezikon të shndërrohet në retorikë boshe, duke lënë pas një boshllëk ideologjik që do të jetë gjithnjë e më i vështirë për t’u mbushur. / Il Giornale – Bota.al





