Bota

Dilemat e Moskës përballë konfliktit saudito-iranian

Vladimir Putin at his inauguration in 2012

Nga Nikolay Kozhanov

Konflikti saudito-iranian, do të detyrojë Moskën të bëjë një zgjedhje të vështirë:qëndrojë me partnerin e saj iranian, apo të hiqet mënjanë dhe mbetet dukshëm neutrale. Sido që Rusia të vendosë të reagojë ndaj zënkës në vazhdim midis Arabisë Saudite dhe Iranit, pasojat mbi synimet e Kremlinit në Lindjen e Mesme do të jenë negative.

Nga njëra anë, qëndrimi i heshtur do të ndikonte në dinamikën e marrëdhënieve ruso-iraniane, e cila kohët e fundit ka patur një rritje cilësore. Moska investoi përpjekje diplomatike dhe ekonomike në përmirësimin e dialogut me Teheranin, duke përfshirë edhe hapjen e një linjë kreditimi. Ajo nuk mund të përballojë humbjen e këtyre dividentëve, duke patur parasysh privimet e tmerrshme ekonomike.

Autoritetet ruse janë të dëshpëruara në mbajtjen e Iranit brenda sferës së saj të influences, dhe shmangien e çdo lloj kthese drejt perëndimit. Pa forcat tokësore iraniane që luftojnë kundërshtarët e regjimit të Asadit, do të jetë e vështirë që Kremlini të arrijë qëllimet e tij në Siri – Rusia ka nevojë për mbështetjen ushtarake dhe politike të Iranit, për të detyruar opozitën siriane dhe sponsorët e saj, të negociojnë me Bashar Al-Asadin.

Heshtja e Moskës në grindjen diplomatike mes Teheranit dhe Riadit, do t’u siguronte kundërshtarëve të afrimit ruso-iranian, në mesin e reformatorëve iranianë si dhe politikëbërësve rusë pro-perëndimorë, dëshmi të mëtejshme se të dyja vendet nuk janë në gjendje të ndërtojnë ndonjë lloj partneriteti efektiv.

Nëse megjithatë, Moska merr anën e Iranit, kjo do të ndikojë tek marrëdhëniet e Rusisë me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit (GCC)  të udhëhequr nga Arabia Saudite- paratë e të cilës cilësohet ende nga Kremlini si një burim potencial investimesh në ekonominë ruse. Mbështetja financiare dhe bekimi politik i Riadit dhe Abu Dabit, është i rëndësishëm për zbatimin e suksesshëm të projekteve të përbashkëta me Egjiptin, si krijimi i një zone të përbashkët industriale apo zhvillimin e industrisë bërthamore në Egjipt.

Aleanca ruso-iraniane, minon përpjekjet diplomatike të Moskës për të zgjidhur krizën siriane,  duke i bërë sauditët më pak të gatshëm për të biseduar me Rusinë, dhe efektivisht e tërheqin këtë të fundit në mesin e një konfrontimi të gjerë sunito-shiit, çka i lejon forcat politike anti-ruse në Lindjen e Mesme ta portretizojnë Kremlinin si një armik të botës sunite.

Ky do të jetë një kërcënim serioz, jo vetëm për pozicionin e Rusisë në rajon, por edhe për sigurinë e brendshme të saj, në kushtet kur komuniteti mysliman prej 15 milionë njerëzish, i përket kryesisht rrymës sunite. Grupime selefiste në Gji, i kanë përshkruar rusët si kryqtarët e rinj, të paktën që nga fillimi i luftës civile në Siri.

Moska mori një paralajmërim në tetor të vitit 2015, kur rreth 50 klerikë saudite nënshkruan një deklaratë të hapur, që bënte thirrje për xhihad kundër Rusisë. Kjo ka krijuar një sfond ideologjik për bashkimin e forcave radikale në Siri, si dhe siguron motivim për përkrahësit e islamit radikal në Këshillin e Gjirit, për intensifikimin e mbështetjes së tyre financiare për islamikët brenda Rusisë.

(Heshtja ruse ndaj përballjes diplomatike mes Teheranit dhe Riadit, mund të jetë ndërkaq një përpjekje për të përmirësuar imazhin e Moskës në botën sunite. Ky imazh është dëmtuar rëndë, pas fillimit të bombardimeve ruse kundër opozitës siriane, ku islamikët radikalë u bënë një nga objektivat kryesore të forcave ajrore ruse në vjeshtë të vitit të kaluar.)

Duke mbështetur Teheranin, Moska me gjasë do dëmtonte marrëdhënie me “partnerin e saj të  heshtur” në Lindjen e Mesme – Izraelin – qëndrimi i të cilit ndaj aneksimit të Krimesë, sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, si dhe ndërhyrjes së forcat ajrore ruse në Siri, përputhet me interesat e Rusisë.

Deklaratat e fundit të zyrtarëve izraelitë, shfaqën shqetësim në lidhje me bashkëpunimin në rritje ruso-iraniane në Siri dhe përtej. Më herët, Izraeli pati toleruar marrëdhëniet e afërta ndërmjet Moskës dhe Teheranit, për aq kohë sa ato nuk konsideroheshin si një kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit.  Megjithatë, kohët e fundit, zyrtarët izraelitë kanë filluar të shprehin hapur shqetësimin se qeveria ruse, mund të fillojë të mbyllë sytë ndaj lëvizjeve anti-izraelite të Teheranit.

Edhe pse këto spekulime duket se kanë pak bazë, mbështetja aktive ruse ndaj Teheranit në përballjen e tij me Arabinë Saudite, me siguri që do të konsiderohet në Izrael si provë e mëtejshme e rritjes së aleancës ruso-iraniane. Ekziston ndërkaq edhe një dilemë, në lidhje me imazhin e Rusisë në skenën ndërkombëtare.

Putini përpiqet shumë për të ruajtur imazhin e një udhëheqësi, që nuk i lë në baltë partnerët e tij, por Kremlini gjithashtu e pozicionon tradicionalisht veten si mbrojtësi kryesor (nganjëherë i vetmi) i së drejtës ndërkombëtare. Irani është një partner. Megjithatë, sulmi ndaj ambasadës saudite në Teheran qe një shkelje e qartë e normave ndërkombëtare.

Nga kjo pikëpamje, mbështetja e një vendi me një qëndrim shpërfillës ndaj të drejtave të diplomatëve të huaj, s’mund të jetë në interes të Moskës. Autoritetet ruse e kuptojnë vështirësinë e situatës së tyre. Për rrjedhojë, ata janë duke u përpjekur të dredhojnë ndaj saj, dhe shmangur si neutralitetin e plotë, ashtu edhe  farkëtimin e një aleance të fortë me Teheranin.

A ka alternative të tjera? Menjëherë pas fillimit të konfliktit midis Iranit dhe Arabisë Saudite në fillim të janarit, Rusia shprehu gatishmërinë e saj për të luajtur një rol ndërmjetësues midis Riadit dhe Teheranit. Kjo do t’i mundësonte Kremlinit, shmangien e një katastrofë të mëtejshme diplomatike dhe diskretitimin e imazhit të tij ndërkombëtar.

Mjerisht, kjo nismë ka pak shanse për sukses:sauditët thjesht nuk i besojnë Rusisë. Ata e konsiderojnë atë një aleate besnike të Iranit. Përveç kësaj, Riadi është i interesuar për izolimin dhe jo ri-integrimin e Teheranit. Pra, Moska duhet të zgjedhë midis dy opsioneve të këqija –  dhe ku që dyja përfshijnë humbjen e investimeve dhe ndikimit.

“Chattam House” – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button