Motivuese

Disa histori frymëzuese nga “Humans Of New York”. Lexojini, mund të gjeni veten

  1. U divorcova, kur vajza ime ishte shumë e vogël. Ndaj, ajo ka qenë gjithë jeta ime, që kur ishte pesë vjeçe. Jemi vetëm ne të dyja. Unë shkoj në punë, kthehem nga puna, dhe ajo është sërish në shtëpi. Ndoshta tani pak më rrallë, sepse është 18 vjeçe dhe del pak më shpesh, por gjithsesi unë e di që dikush po më pret në shtëpi. Ajo është gati të nisë universitetin në Chicago dhe unë ndihem tepër e frikësuar që ajo do të përballet me botën e madhe dhe të egër jashtë shtëpisë. Mirëpo, po aq sa kam frikë, aq kam edhe siguri se ajo do ta gjejë rrugën e duhur në çdo moment. Do ta njohë më mirë veten e saj dhe kjo gjë më lumturon. Më lumturon sepse mendoj se të dyja na presin mundësi të mëdha në jetë. Gjithmonë i kam bërë të kuptojë se ajo është prioriteti im kryesor, dhe kjo është shndërruar në një formë justifikimi. Një justifikim për të mos udhëtuar, për të mos njohur mundësi të reja. Një justifikim për të mos shfrytëzuar mundësitë e reja. Për shumë kohë mendoja se po të thoja “Jo” për diçka, kjo gjë më bënte një mama më të mirë. Por tani, nëse unë them “Jo”, do të thotë se nuk kam guxim të përballem me diçka.

  1. Kur isha e re, u dashurova me një burrë me ngjyrë, të cilin mamaja ime nuk e pëlqente. Ajo më thoshte se nëse vazhdoja me të, do të vdiste nga ndonjë infarkt në zemër. Por gjithsesi, ne u martuam. Pasi bëmë dy fëmijë bashkë, rrethanat erdhën të tilla që ne u divorcuam. Pas divorcit, mamaja më kujtoi çfarë më kishte thënë dhe më tha se nuk i pëlqente aspak ideja e divorcit. Sipas saj, kjo gjë tregonte dhe një herë një marrëdhënie të dështuar që unë nuk dita ta ndërtoja që në fillim. Marrëdhënia jonë filloi të ftohej me kalimin e kohës. Ne mezi flisnim një herë në javë dhe bisedat tona ishin përherë të njëjta. Doja t’i bëja të kuptonte se po jetoja një jetë interesante, që më pëlqente, por ajo përherë më shihte si një të mangët. Tani ajo është 89 vjeçe. Dy vjet më parë u diagnostikua me Alzhaimer, sëmundje e cila e ka bërë akoma më të rëndë me fjalët që thotë, tashmë pa i menduar. Për mua, vazhdon akoma të mendojë se nuk vlej…”.

  1. Është e vështirë të kërkosh për ndihmë, sepse supozohet që ti je mamaja dhe nuk duhet të shprehesh asnjëherë me fjalët: “Kam nevojë për ndihmë për të qenë një mama”. E mbajta vajzën time për nëntë muaj. E dija se do të vinte. E ndieja si një detyrë se duhet të isha unë që të kujdesesha për të dhe nuk duhet t’i kërkoja të tjerëve për të ndaluar jetët e tyre që të më ndihmonin mua. Por erdhi një moment kur unë, duke bërë rolin e mamasë për 24 orë përgjatë gjithë javës, u lodha. Çdo gjë po më stresonte dhe kjo përbënte problem edhe për marrëdhënien me bashkëshortin tim. Arritën gjërat deri aty, sa në vend që të kërkoja për ndihmë, shprehesha me fjalët: “Pse nuk po më ndihmon?”, nëse dikush më shihte e nuk më ndihmonte…

Leave a Reply

Back to top button