Bota

Disa këshilla me shumë kreativitet, se si të përballesh me Korenë e shokut Kim

Nga David Ignatius

Administrata Trump shpesh flet për politikën ndaj Koresë së Veriut sikur të jetë një celës që ndizet dhe fiket.

Presidenti Trump deklaroi të martën se Shtetet e Bashkuara do të “shkatërronin tërësisht” Korenë e Veriut për të mbrojtur veten dhe aleatët e saj. Por Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis pohoi me këmbëngulje të nesërmen që ka “ende një përpjekje të udhëhequr nga qasja diplomatike”.

Diku në këtë labirint të deklaratave publike – përfshirë njoftimin e së enjtes për sanksione të reja ekonomike mbi Korenë e Veriut – ekziston një politikë e nuancuar amerikane. Por opsionet në dukje binare janë në mënyrë të çuditshme të ngjashme me qëndrimin bërthamor të Luftës së Ftohtë, kur zgjedhjet e vetme duket të jenë një konflikt me humbje masive të jetës – ose  dorëzimi ndaj kërkesave të kundërshtarit.

Për t’i shpëtuar këtij kordoni, strategët në vitet ’70 dhe ’80 filluan të krijonin armë të reja konvencionale dhe bërthamore, dhe përfundimisht, mbrojtje raketore. Një rishqyrtim i ngjashëm krijues është i nevojshëm tani.

Ne gjithmonë mund të shpresojmë se strategjia e administratës Trump do të funksionojë: Ndoshta kërcënimi i Trump për Phenianin e “zjarrit dhe tërbimit” do ta bindë Kinën që të ndalë dërgesat e naftës; ndoshta Koreja e Veriut do të hyjë në negociata; ndoshta një marrëveshje e përkohshme e paqes do të stabilizojë situatën kështu që të fillojnë bisedimet për “statusin përfundimtar” për denuklearizimin eventual të gadishullit Korean dhe tërheqjen e trupave amerikane.

Ky është rezultati më i mirë, sigurisht. Dhe gjasat janë përmirësuar nga ajo që Trump e përshkroi të enjten si sanksione të reja bankare “shumë të guximshme” nga Kina. Por, për të qenë të kujdesshëm, zyrtarët e SHBA-ve dhe aleatët e tyre duhet të marrin parasysh që kjo strategji nuk do të funksionojë. Ata duhet të planifikojnë mundësi të tjera, me një racionalitet të ftohtë që është e kundërta e talljes së ‘nxënësit të shkollës’ në lidhje me “Rocket Man”.

Zyrtarët e SHBA-së duhet së pari të vendosin se sa serioz është në të vërtetë kërcënimi nga Koreja e Veriut për Amerikën. Nëse qytetet e mëdha janë në rrezik dhe sjellja e çrregullt e Kim Jong Un nuk mund të shmanget, atëherë ndoshta Shtetet e Bashkuara duhet të planifikojnë me të vërtetë të denuklearizojnë Korenë e Veriut me forcë.

Nëse Shtetet e Bashkuara adoptojnë këtë strategji maksimale, do të fillonte aktivizimi i forcave që, sipas vlerësimeve maksimale, do të kërkonin të paktën dy muaj përgatitjesh. Japonia dhe Korea e Jugut do të fillonin programe intensive të mbrojtjes civile për të mbrojtur popullsinë e tyre dhe për të minimizuar viktimat civile.

Sponsored by Revcontent

Përmirësoni Variçet Në Shtëpi! Pa Nevojën E Ndërhyrjes Kirurgjikale!

Ky është një skenar makthi, por nëse besoni se Kim është vërtet drejtues i një makthi, atëherë duhet të mendoni për të pamendueshmen. Kryeministri japonez Shinzo Abe duket se po bën pikërisht këtë. Opinioni i tij në Neë York Times të hënën ishte më i sjellshëm sesa retorika e Trump, por jo më pak i fortë. Ai kërkoi “presion të bashkërenduar” kundër “një kërcënimi të pashembullt, të rëndë dhe të afërt nga Koreja e Veriut”.

Supozoni që të merrni një pamje më pak drastike për Kim dhe të konkludoni se objektivi i vërtetë i qëndrimit të tij të çuditshëm është Kina. Ai ka qartësisht frikë nga ndikimi i Pekinit: Ai vrau brutalisht xhaxhain dhe gjysëm vëllain, të cilët thuhej se ishin të afërt me Kinën. Testet e tij raketore dhe bërthamore sfidojnë Trumpin, por më shumë edhe paralajmërimet e përsëritura që ai ka marrë dhe injoruar nga presidenti kinez Xi Jinping.

Nëse ne e shohim Kim si një kërcënim rajonal, sesa një global, atëherë ndoshta përgjigja e duhur është një strategji inteligjente që fillon me realitetin e ndarjes së tij me Kinën – dhe e fillon nga aty. Në vitin 2003, Kina pezulloi furnizimet e naftës për disa ditë (duke fajësuar një problem në mosfunksionim e supozuar të tubacionit) dhe Koreja e Veriut filloi shpejt negociatat.

Në fushën e operacioneve të inteligjencës, gjithmonë është e mundur që një tubacion të mund të “keqfunksionojë” përsëri ose vështirësi të tjera paralizuese mund të lindin për Phenianin dhe udhëheqësin e saj.

Supozoni, në vend të kësaj, se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj vendosin që Koreja e Veriut nuk ia vlen risqet e veprimeve ushtarake ose të fshehta. Po pastaj? Për të qenë cinikisht i sinqertë, duhet të pranojmë se ndonjëherë është më pak e kushtueshme të korruptojmë një kundërshtar sesa të shkojmë në luftë. Çfarë “shpërblime” do të merrte Kim që të binte dakord të ndalonte programin e tij të testimeve?

A ekziston një opsion “i ngrirjes”, siç sugjerohet nga Robert Einhorn i Institutit Brookings, që do të ndalonte eskalimin, të parandalonte përhapjen dhe stabilizonte situatën – por do të lente denuklearizimin për të ardhmen e largët?

Së fundi, a ka masa mbrojtëse që mund të reduktojnë ndjeshëm kërcënimin e Koresë së Veriut? Për dekadën e fundit, planifikuesit ushtarakë kanë qenë duke provuar një “ndërhyrje në fazën e ngritjes”, e cila mund të shkatërrojë raketat e Koresë së Veriut në minutat e para pas lançimit.

Pentagoni ka nisur një program të ri për të ndërtuar një lazer të lehtë dhe të fuqishëm, të mbartur në dronë të mëdhenj, që mund të vërtiten jashtë hapësirës ajrore të Koresë së Veriut. Lazerët nuk do të jenë të gatshëm deri më 2023, më së shpejti.

Por sikur të mendonim për një version më të thjeshtë që do të gjuante raketa të shpejtë nga dronët ekzistues? Disa planifikues të Pentagonit thonë se një sistem i tillë mund të vendoset së shpejti.

Presidenti Xhon F. Kennedy zgjidhi shkëlqyeshëm krizën kubane të raketave në vitin 1962 duke menduar jashtë kutisë së vogël të opsioneve. Mendimi i ngjashëm krijues është shumë i nevojshëm tani me Korenë e Veriut./The ëashington Post – Lexo.al/

Leave a Reply

Back to top button