Bota

Disa orë pas votimit, avionët britanikë bombardojnë Sirinë


brit

Avionë britanikë kanë marrë pjesë në sulmet e tyre të parë në Siri, disa orë pasi deputetët e Britanisë së Madhe votuan në favor të goditjes së pozicioneve të ISIS atje. “Tornadot e Forcave Ajrore Mbretërore sapo u kthyen nga ofensiva e tyre e parë mbi Siri dhe kanë kryer atje sulme”, bëri të ditur sot në mëngjes një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë.

Katër avionët u ngritën nga baza ajrore Akrotiri në Qipro, dhe në shënjestër vunë një vendburim nafte në lindje të Sirisë.

Gjatë ditës Ministria pritet të japë më shumë detaje për operacionin.

Ligjvënësit britanikë votuan 397 me 223 në favor të sulmeve në Siri, pas një debati që zgjati dhjetë orë.

Pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris, Franca i kërkoi koalicionit të udhëhequr nga SHBA që të rrisë ofensivën ushtarake kundër ISIS-it.

Tani që Britania ka pranuar të shtojë numrin e sulmeve nga ajri, që më parë i kryente vetëm në Irak, vëmendja kthehet nga parlamenti i Gjermanisë, i cili pritet gjithashtu të miratojë angazhimin ushtarak kundër grupit terrorist.

Sipas planit të Gjermanisë, vendi i udhëhequr nga kancelarja Angela Merkel do të aktivizonte 1200 trupa në përpjekjet anti ISIS, por në një rol mbështetës – jo luftime të drejtpërdrejta.

Presidenti i SHBA, Obama, e mirëpriti vendimin e britanikëve dhe tha se koalicioni “do të punojë për t’i integruar ata sa më shpejtë në operacionet tona”.

Thirrja e Cameron

Kryeministri David Cameron e nisi debatin dje duke thënë se ISIS është kërcënim për popullin britanik, gjë që vërtetohet pjesërisht nga prerjet e kokave të pengjeve britanike në Lindjen e Mesme, si dhe mizori të tjera. “Nuk është çështja a duam të luftojmë terrorizmin. Çështja është si ta bëjmë më mirë”, tha Cameron.

Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar përballet “me një rrezik themelor për sigurinë tonë”. Më tej, Cameron ngriti pyetjen: “A do të punojmë me aleatët tanë për ta zbehur dhe eleminuar këtë rrezik, apo do të rrijmë duarkryq dhe të presim që ata të na sulmojnë?”

Leave a Reply

Back to top button