
Pas 16 viteve në pushtet, Viktor Orbán u rrëzua. Në bregun e majtë të Danubit, përballë Parlamentit të Budapestit që ngrihet imponues në anën tjetër, skena dhe qendra e komandës së Péter Magyar-it ishin gati që para se të diheshin rezultatet. Skenografia ishte qartësisht ajo e një triumfi. Dhe triumf ndodhi.
“Hungarezët bënë përsëri histori. Do të jemi aleatë të fortë të BE-së dhe NATO-s, do të korrigjojmë gabimet e së kaluarës”, tha Péter Magyar pas mbylljes së votimit, me sytë e drejtuar nga kupola dhe kullat e parlamentit që për 16 vite kishin ruajtur pushtetin e Viktor Orbánit. Ai, me partinë e tij Tisza, fitoi sfidën ndaj pushtetit që e kishte braktisur dy vite më parë dhe sot, me këtë fitore, ajo shndërrohet në diçka më shumë se një hakmarrje: është fillimi i një epoke të re për Hungarinë, për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe për ekuilibrat gjeopolitikë në rajon.
Vonë në mbrëmje erdhi shpallja: “Kemi një mandat të fortë, tranzicioni do të jetë paqësor, sot kemi çliruar Hungarinë, hungarezët kanë zgjedhur Europën”, tha Magyar, ndërsa turma brohoriste në një zë: “Ruszkik haza! Ruszkik haza!” – “Rusët jashtë!”, slogani historik i revoltës së vitit 1956 kundër sovjetikëve.
Me një pjesëmarrje që iu afrua 80 përqindëshit, më e larta që nga rënia e komunizmit, pothuajse gjashtë milionë hungarezë votuan në zgjedhje që u shndërruan në një referendum kundër sistemit të shtetit iliberal të “babait-padron” të Hungarisë. Një fitore e qartë dhe e fortë, me shumicë absolute, që shënon fillimin e një Hungarie tjetër.
Mbrëmë, përballë Danubit, është Tisza – lumi që përshkon Hungarinë lindore dhe është i njohur për përmbytjet e papritura – që vendos ritmin.
“Po del nga shtrati”, thonë hungarezët ndërsa përditësohen rezultatet: zonë pas zone, qark pas qarku, harta ngjyroset me një emër të vetëm, atë të Péter Magyarit. Që në mes të numërimit bëhet e qartë: Tisza kalon 50% të votave të listës dhe dy të tretat e vendeve.
Brenda Balna-s, hapësira e madhe prej xhami buzë lumit, atmosfera është e pezullt. Mbështetësit e Viktor Orbánit dëgjojnë në heshtje, pothuaj pa besuar. Nuk ka turmë të madhe, nuk ka brohoritje si zakonisht. Vetëm disa duartrokitje të shpërndara. Pastaj fjalët që shënojnë fundin: “Rezultati është i dhimbshëm, por i qartë, i urojmë fitoren partisë fituese”. Është hera e parë në 16 vite që Orbán thotë një gjë të tillë. Ai shton se në mbi 30 vite në krye të Fidesz-it “kemi përjetuar vite të vështira dhe të lehta, të bukura dhe të trishta”. Menjëherë më pas rikthehet në tonin e zakonshëm: “Nuk do të dorëzohemi kurrë”. Por ata në rreshtin e parë vërejnë shprehjen e humbjes dhe një ngritje supesh, sikur të thoshte: “Çfarë tjetër mund të bëja?”.
Jashtë, nëpër sheshe, skena është krejt ndryshe. Në Budapest dhe në qytetet e tjera, ku Tisza kryeson edhe në zona tradicionalisht armiqësore, nata ka tingullin e çlirimit. Nuk shpërthen menjëherë, por rritet ngadalë, si ndërgjegjësimi se diçka është thyer vërtet. Në Borsod, Zala, Veszprém, kandidatët e opozitës fitojnë me diferenca të mëdha, shpesh mbi 55-60%. Edhe ministrat në detyrë bien njëri pas tjetrit. Sistemi, i ndërtuar për të qenë i papërshkueshëm, tregon dobësi pikërisht aty ku dukej më i fortë: në zonat rurale.
Qielli i Budapestit mbushet me brohoritje dhe fishekzjarre. Të rinj të dehur këndojnë në rrugë, makina që i bien borive pa pushim. Péter Magyar e përjeton fitoren me kujdes: kërkon qetësi, fton të mos ketë provokime dhe flet për “pranimin me dinjitet të verdiktit të popullit”. Rrugët rreth sheshit Kossuth Lajos, ku ndodhet Parlamenti, janë të mbushura me mijëra njerëz, kryesisht të rinj, që festojnë rezultatin. Dikush vrapon me një balonë në formë zebre, simbol i korrupsionit të regjimit të Orbánit. Shkallët lëvizëse të metrosë ndalojnë për shkak të mbingarkesës, ndërsa shumë njerëz përpiqen pa sukses të bashkohen me festimet në anën tjetër të lumit. “Nuk duam t’i përkasim Rusisë, duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian”, bërtet një vajzë e kapur pas një statuje.
Kur numrat konsolidohen – 138 vende për Magyar, duke kaluar pragun e dy të tretave, kundrejt 54 të Orbánit – fitorja merr gjithë peshën e saj historike. Nuk është vetëm një ndryshim qeverie. Është fundi i një sistemi që për 16 vite ka rishkruar rregulla, ekuilibra dhe gjuhë. Dhe që tani, për herë të parë, gjendet në anën tjetër: atë të opozitës.
Pragu i dy të tretave është vendimtar sepse në Hungari përkthehet në pushtet kushtetues. Një shumicë e tillë i jep partisë fituese kompetenca shumë të gjera ligjore, përfshirë mundësinë për të rishkruar ligje themelore dhe për të çmontuar reformat e sistemit të Orbánit. Dhe pikërisht kjo e bën këtë fitore të ndryshme nga të tjerat: mundësia reale për të rindërtuar arkitekturën e shtetit.
Në 16 vitet e fundit, Viktor Orbán e ka përdorur pikërisht këtë prag për të forcuar sistemin e tij: ndryshime kushtetuese, kontroll mbi institucionet, riformatim i rregullave të lojës. Sot, me të njëjtin instrument, Péter Magyar mund ta çmontojë atë nga brenda. Sipas cilave parime do ta bëjë, mbetet për t’u parë, edhe pse në Bruksel ka një frymëmarrje lehtësimi. Fitorja e Tisza-s mund të ndryshojë pozicionin e Hungarisë në BE, duke zhbllokuar fondet e ngrira dhe duke hequr vetot që kanë paralizuar Unionin në çështje kyçe, nga Ukraina te politikat e përbashkëta.
Ndër fituesit indirektë të natës është edhe Mi Hazánk Mozgalom, një formacion i ekstremit të djathtë që konfirmohet si forcë e tretë me rreth 6% të votave dhe një grup të vogël deputetësh. I lindur nga një ndarje edhe më radikale e Jobbik-ut, Mi Hazánk ndërton mbështetjen mbi një linjë të fortë nacionaliste, anti-BE, anti-migracion dhe hapur kundër politikave të mbështetjes për Ukrainën.
Por për ekuilibrat e parlamentit do të ketë kohë. Nata e Budapestit ka nevojë të festojë. Në fund, grupe të vogla të rinjsh qëndrojnë në ajrin e freskët buzë lumit. Turma shpërndahet ngadalë dhe lumi i madh – “shtylla kurrizore e Mitteleuropës”, siç e quante Claudio Magris – duket sikur kujton se çdo pushtet që mendon se është i palëvizshëm, në të vërtetë përshkohet nga rryma të thella. / La Stampa – Bota.al