Analiza

Dita kur Europa u përplas me një “mur betoni”

Nicholas Walton

Gazetar, shkrimtar

Dita kur Europa u pwrplas me njwDisa mund ta kujtojnë si momenti kur Bashkimi Europian nisi të shpërbëhet. Të tjerë, thjeshtë si momentin kur udhëheqësit e Europës, individualisht dhe kolektivisht, vendosën që të përplasen me kokë pas një muri betoni. Pavarësisht se si do të shihet, samiti i muajit të kaluar i BE-së që nisi në Ypres kishte aromë simbolizmi të 1914-ës, kur liderët europianë bënë gafën dhe u zhytën në një luftë që pak e donin.

Për të huajt, mund të nevojitet pak shpjegim. Por në thelb është një garë force mes atyre që mbështesin akumulimin e më shumë kompetencave në institucionet e BE, dhe atyre që besojnë se i gjithë projekti europian ka nevojë të rishikohet.

Ata që janë në favor të reformave morën një goditje në zgjedhjet e fundit europiane, në të cilat pati një rritje të forcave populiste, pothuajse në të gjithë kontinentin. Por më pas, filloi grindja misterioze për postet kryesorë europianë – presidenti i ekzekutivit, pra Komisionit.

Në vend të lejonin liderët europianë që të gjenin dikë për pozicionin, pjesëtarët e Parlamentit Europian thanë se do ta bënin ata përzgjedhjen. Cilido grup në parlament që do të kishte më shumë vende, do të shihte kandidatin e bllokut të vet të merrte postin (Spitzenkandidaten). Kjo, argumentuan ata, do të fuste demokraci në proces, do të ndihmonte për një ndërgjegjësim politik paneuropian, dhe do të ndalte një rënie alarmuese të pjesëmarrjes në votime.

Fatkeqësisht, debatet televizivë me disa Spitzenkandidaten patën një shikueshmëri, që do të fuste në siklet edhe serialin televiziv “Luksemburgu ka talente”. Dhe kur mbaruan zgjedhjet, anëtarët e Parlamentit Europian kërkuan që Spitzenkandidaten-it të bllokut të djathtë, bartësi standart i status quo-së dhe ish Kryeministër i Luksemburgut, t’i jepej pozicioni i fuqishëm i kryekomisionerit europian – e gjitha në emër të demokracisë.

Ditët dhe javët që kur u shpall vendimi nuk kanë qenë shumë të këndshme. Kryeministri britanik, David Cameron mori menjëherë qëndrim kundër Junckerit, një lëvizje që u shndërrua nga shpresëplotë në të pashpresë, për aq kohë sa iu desh Kancelares gjermane, Angela Merkel, që të ndryshonte mendje përballë trysnisë së brendshme. Një nga një, aleatët e Cameronit në favor të një Europe më të reformuar nisën të bëjnë atë që donte Merkeli, dhe kur të 28 liderët u takuan në Ypres, Cameroni ishte tashmë në një pakicë donkishoteske prej vetëm dy votash, bashkë me Hungarinë.

Zgjedhja e Junckerit është fatkeqësi për çdo shtet.

Cameroni është viktima më e dukshme. Kundërshtimi i tij i ashpër ndaj Junckerit e shndërroi të gjithë debatin në një argument mes projektit europian, dhe atyre refuzuesve të lodhshëm përtej Kanalit. Taktikat e tij ishin naive, ai përfundoi i dezertuar nga aleatë potencialë reformistë si Suedia dhe Holanda, dhe qëndrimi i tij me siguri nuk do të ndihmojë për marrëdhënien me Junckerin në të ardhmen. Kjo ka rëndësi, sepse Cameroni ka premtuar një referendum për qëndrimin apo daljen nga BE-ja nëse fiton zgjedhjet e ardhshme, dhe nuk ka dyshim që shpresonte ta shfrytëzonte këtë hapësirë manovrimi për disa reforma jetike në Bashkimin Europian, përpara zgjedhjeve. Tani, përveç njëfarë admirimi brenda vendit për qëndrimin e tij, ai e ka shtyrë Britaninë edhe më pranë derës së daljes.

Kjo gjë i alarmon proreformatorët e tjerë. Një BE pa Britaninë do të jetë më pak e prirur të ndryshojë, dhe qendra e gravitetit e Unionit do të zhvendoset në jug. Duke patur këtë gjë në mendje, vendet reformistë po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të rindërtuar ura të forta me Britaninë, sidomos duke patur parasysh që shumica e tyre ishin po aq hezitues për të parë Junckerin në krye të Komisionit, sa edhe Britania. Ajo që bashkon këtë grup, me ata që do të ishin më të prirur ta shihnin Britaninë të dështonte (mendoni Francën dhe aleatët e saj) është një shqetësim i thellë, i shkaktuar prej vetëdijes së e gjitha në praktikë u vendos nga Gjermania.

Në fakt, e vërteta është se çështja Juncker ishte një demonstrim i hapur i fuqisë së Gjermanisë. Dihet që eurokriza e theksoi gjithnjë e më shumë rëndësinë e Berlinit. Por ky episod e ka bërë këtë edhe më të qartë, ndërkohë që nga ana tjetër ka përkeqësuar frustrimin tashmë të dukshëm tek disa shtete jugorë të Europës, të cilët shumica fajësojnë Gjermaninë se u ka imponuar masat e kursimit.

Shkurt, BE ka parë tashmë një rritje të fuqisë dhe kompetencave për një Parlament Europian që duket se pëlqen shumë të akumulojë pushtetin në Bruksel, ka parë që posti kryesor t’i jepet një mbështetësi të kahershëm të diçkaje si Shtetet e Bashkuara të Europës, si dhe ka parë të rriten shanset e daljes së Britanisë. Dhe ndërkohë që Cameroni dhe Merkeli mund të dalin më keq nga kjo seri ngjarjesh, rritja e zhgënjimit prej një lidershipi gjithnjë e më distant rrezikon të hedhë në erë të gjithë projektin.

Ditët e errëta të krizës së Euros nxitën shumë kritikë që të pyesin nëse Bashkimi Europian ishte në gjendje të vepronte si një entitet koherent dhe përgjegjës. Ngjarjet e javëve të fundit vetëm sa e kanë forcuar argumentin e tyre. /CNN/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button