Analiza

Ditët e politikës, dhe orët e të vërtetës

Nga Cristofaro Sola

Ne, nuk po jetojmë ditë të zakonshme. Politika është e trazuar, dhe jo vetëm në Itali. Nëpër Evropë, po fryn një erë që elitat qeverisëse këmbëngulin ta injorojnë. Klasat sunduese, e kanë gabim kur zgjedhin të strukin kokën në rërë si struci, duke shpresuar që era e ndryshimit do t’i kursejë.

Raca e padronëve të Evropës, e formuar në vitet e Mastrihtit, dhe në ëndrrën e vendosjes së kontinentit nën juridiksionin ekskluziv të një rregullatori juridik dhe ekonomik, dominues ndaj shteteve kombëtare, po dështon në mënyrë të pashmangshme.

“Dielli” i së ardhmes së globalizimit, që duhej të plotësonte nevojat e masave deri tek individët e thjeshtë, u shndërrua me shpejtësi në një Perëndi shkatërrues, rrezet e dëmshme të të cilit, në emër të utopisë liberal-merkatiliste, kanë zhuritur jetën, ekonomitë, komunitetet, narrativat, dijet, identitetet.

Si rregull, fenomenet shoqërore të spektrit më të gjerë, shfaqen më së pari duke treguar efektet e tyre të mundshme, dhe pastaj metabolizohen brenda institucioneve politike. Më 26 maj, qytetarët e BE-së do të shkojnë në votime, për të ripërtërirë Parlamentin Evropian. A do të jetë pjekur koha, për një rotacion paretian të elitave, në një sens populist?

Sinjalet janë të pasigurta, por ato po shkojnë në të njëjtën drejtim. Shihni Italinë: Kur kanë mbetur pak më shumë se 30 ditë nga votimet, loja elektorale është reduktuar në një përballje midis varianteve të ndryshme të populizmit: Versioni sovranist i Lidhjes së Mateo Salvinit dhe prirjes “të kapim ç’të mundim” të lëvizjes Pesë Yjet.

Po forcat europeiste majtiste dhe ato të moderuara? Heshtin ose nuk thonë asgjë vendimtare, për të nxitur elektoratin t’u shkojë pas. Të majtët dhe të moderuarit e të djathtës, po përjetojnë të njëjtën dramë. Pasi kushtëzuan për gjysmë shekulli skenën politike, ata janë sot pa ide, zgjidhje, dhe ç’është më e keqja, pa vizione të qëndrueshme për të ardhmen e qytetërimit perëndimor.

Paaftësia e tyre për të lexuar të tashmen me lente kritike, është e qartë. Përtej kufirit, tablloja nuk është më ndryshe. Zgjedhjet e fundit, e dëshmojnë atë. Në Finlandë, partia e krahut të djathtë  “Finlandezët e Vërtetë”, në Evropë aleate me Lidhjen e Salvinit, gëzon shumicën relative në parlament me 17.5 % të votave, e dyta pas Partisë Social Demokratike, që mori 0.2 % më shumë.

Në Francë, pavarësisht se establishment mban lart mbështetjen për presidentitin francez Emanuel Makron, një pro-evropian i spikatur, protestat kundër tij të Jelekëve te Verdhë nuk po zbehen, teksa drejtuesja e Tubimit Kombëtar, Marin Lë Pen, vazhdon të punojë me krahun radikal neo-golist të “Les Républicains”.

Spanja do të votojë të dielën e ardhshme, për të rinovuar parlamentin e vet. Sondazhet, thonë se në krye është Partia Socialiste Spanjolle (PSOE), në dëm të të moderuarve të Partisë Popullore. Edhe e majta e “Podemos”, ka humbur terren, së bashku me liberalët ultra-evropianë të “Ciudadanos”.

Befasia do të jetë “Vox”, lëvizja e ekstremit të djathtë, nacionaliste dhe euroskeptike, e cila pas shfaqjes së saj në skenën kombëtare, po fiton me shpejtësi mbështetjen e spanjollëve. Në Suedinë shumë të avancuar, në shtatorin e vitit të kaluar, votimi për parlamentin kombëtar, ndonëse pa fitoren e Socialdemokratëve, u karakterizua nga rritja e madhe e “Demokratëve Suedezë”, një lëvizje ultra-konservatore, euroskeptike, e konsoliduar si partia e tretë në vend, në kurriz të partisë së moderuar.

Pastaj, është paradigma e zgjedhjeve të fundit në Ukrainë. Mund të thuhet : Po, Ukraina nuk është në Bashkimin Evropian! Megjithatë, ajo ndihmon për të ndier erën lindore. Në zgjedhjet e fundjavës që shkoi, sfidanti Volodimir Zelenski, mundi presidentin në largim Petro Poroshenko.

Rezultati, që vuri në silket shumë njerëz në Evropë, bëri bujë në mbarë botën. Zelenski nuk është një politikan, por një komedian profesionist, absolutisht i papërvojë në administrimin e çështjeve publike. Ai fitoi duke folur me popullin e tij rreth luftës kundër korrupsionit, dhe fuqisë së oligarkëve që e rrënuan vendin.

Suksesi i tij, sugjeron një ngjashmëri të madhe me epikën italiane të Beppe Grilos, dhe lëvizjes Pesë Yjet të themeluar prej tij. Zelenski, paraqiti “programin e tij të gjerë”, që në të vërtetë përkthehet në mungesën e qartësisë së ideve rreth asaj se çfarë duhet bërë.

Por, njerëzit nuk kanë interes për këtë, ata e votuan atë vetëm për shkak të premtimit që i bëri kombit, se do ta çlirojë vendin nga zgjedha e oligarkëve, që e mbajnë Ukrainën nën morsën e tyre.

Tani, nëse vazhdohet të mos kuptohet se sa i madh është dallimi midis elitave eurokratike/globaliste dhe njerëzve që jetojnë në kontinent, nuk do të kihet sukses në kuptimin e intensiteti të valës sizmike, që rrezikon të shkatërrojë shumë nga institucionet politike të BE-së. Për shumë analistë, një përparim elektoral, edhe nëse është numër i rëndësishëm i lëvizjeve populiste, nuk do të ishte e mjaftueshme për të ndryshuar balancat e konsoliduara të pushtetit, për të tjerët një ”tërmet politik” në përmasa evropiane, mund të ishte madje i shëndetshëm.

Në fund të “panairit”, në demokraci vlejnë votat. Ato të 26 majit të ardhshëm, duhet të analizohen me kujdes, ashtu si trajtat e fundit të një filxhani kafeje. Meqë flitet për fatin e një qytetërimi, një orakull improvizues nuk do të prishte punë.

“Opinione.it” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button