
Presidenti Donald Trump i tha CNN në një intervistë telefonike nëntë-minutëshe të hënën në mëngjes se ushtria amerikane po “e shkatërron” Iranin, por se “vala e madhe” ende nuk ka ardhur.
“Po i shkatërrojmë”, i tha Trump gazetarit të CNN, Jake Tapper. “Mendoj se po shkon shumë mirë. Është shumë e fuqishme. Kemi ushtrinë më të mirë në botë dhe po e përdorim atë.”
Trump trajtoi një sërë temash në intervistë, duke përfshirë kohëzgjatjen e pritur të konfliktit, habinë e tij nga hakmarrja e zgjeruar e Iranit dhe planin e pritur të trashëgimisë së vendit.
Donald Trump: Dallga e madhe do të vijë
I pyetur nëse SHBA-të po bëjnë më shumë përtej sulmit ushtarak për të ndihmuar popullin iranian të rimarrë kontrollin e vendit të tyre nga regjimi, Trump tha: “Po”.
“Po bëjmë vërtet. Por tani për tani duam që të gjithë të qëndrojnë brenda. Nuk është e sigurt atje jashtë.”
Dhe do të bëhet edhe më pak e sigurt, tha presidenti. “Ne as nuk kemi filluar t’i godasim fort. Vala e madhe as nuk ka ndodhur. Ajo e madhja do të vijë së shpejti.”
‘Surpriza më e madhe’ deri më tani
Deri më tani, tha presidenti, “surpriza më e madhe” kanë qenë sulmet e Iranit kundër vendeve arabe në rajon: Bahreini, Jordania, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Ne u habitëm”, tha Trump. “Ne u thamë atyre, ‘pa merak, merremi ne’, por tani edhe ata duan të luftojnë. Dhe po luftojnë në mënyrë agresive. Ata do të ishin shumë pak të përfshirë dhe tani këmbëngulin të jenë të përfshirë.”
Për udhëheqësit arabë, presidenti i tha CNN: “Unë i njoh këta njerëz. Ata janë të fortë dhe të zgjuar.”
Iranianët, tha ai, “qëlluan në një hotel, qëlluan në një pallat. Kjo i zemëroi. Ata na duan, por po shikonin. Nuk kishte asnjë arsye që ata të përfshiheshin.”
Për sulmet e Iranit ndaj tyre, ai tha se “kjo ishte ndoshta surpriza më e madhe”.
Trump theksoi kërcënimin bërthamor iranian si një problem të madh në rajon për njëfarë kohe. “Duhet ta kuptoni, ata jetonin nën atë re të errët për vite me radhë. Kjo është arsyeja pse nuk mund të kesh kurrë paqe”, tha ai.
“Nuk mundëm të bënim një marrëveshje me këta njerëz”
Presidenti tha se ekipi i tij u përpoq të negocionte me iranianët, por “nuk mundëm të bënim një marrëveshje me këta njerëz”. Çdo ofertë e re, tha ai, u prit me një tërheqje nga ofertat e mëparshme.
Iranianët nuk do të pranonin të ndalonin pasurimin e uraniumit, tha Trump.
“Ata kishin gjithë atë material të pasuruar. Ata u përpoqën ta ribënin atje, por ishte në një gjendje kaq të keqe, mali praktikisht ishte shembur”, tha Trump.
Trump tha për veprimin e tij ushtarak: “Kjo është mënyra” për t’u marrë me Iranin.
“Nuk kemi pse të shqetësohemi për marrëveshjet.” Ai vuri në dukje historinë e gjatë të vendit në shkaktimin e shkatërrimeve në rajon pas revolucionit të vitit 1979.
“Kthehuni 37 vjet prapa, në të vërtetë 47 vjet, afro 50, shikoni se çfarë ka ndodhur dhe të gjitha vdekjet. Njerëz në ushtri që ecin pa këmbë, ecin pa krahë, me fytyrat e tyre të shkatërruara”, tha ai.
Trump tha se i kërkoi ekipit të tij një listë të të gjitha sulmeve iraniane ose të mbështetura nga Irani kundër SHBA-së dhe aleatëve dhe interesave të SHBA-së.
Të gjitha sulmet e Iranit ndaj SHBA
“Gjatë 47 viteve të fundit, thashë, ‘më jepni të gjitha sulmet’. Nëse do t’jua thoja të gjitha, do të flisja ende,” tha ai.
Operacioni i fundit ushtarak është pjesë e një fushate afatgjatë për të eliminuar kërcënimin iranian, tha Donald Trump. “Ne e eliminuam Soleimanin herën e fundit,” duke iu referuar sulmit me dron amerikan më 3 janar 2020 kundër gjeneralit të madh iranian Qasem Soleimani. “Ai ishte një gjeneral tepër i dhunshëm dhe i egër.”
Sulmi kundër Soleimanit “ishte një veprim i madh,” tha presidenti Donald Trump. “Nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë mund të mos e kishit Izraelin sot. Izraeli mund të mos ekzistonte.”
Pastaj “kishim Midnight Hammer – shumë të rëndësishëm,” tha presidenti, duke iu referuar sulmeve amerikane të qershorit 2025 në objektet bërthamore iraniane. “Ata ishin një muaj larg nga të paturit e një arme bërthamore.”
Duke kritikuar marrëveshjen e armëve bërthamore të Presidentit Barack Obama, presidenti tha se “ishte marrëveshja bërthamore e Iranit sepse i dha të gjithë fuqinë Iranit. Ata do të kishin pasur një armë bërthamore tre ose katër vjet më parë. Ata do ta kishin përdorur atë kundër Izraelit. Ata ndoshta do ta kishin përdorur atë kundër nesh”.
“Ajo marrëveshje ishte aq e keqe”, tha Donald Trump, “saqë ishte një rrugë drejt një bombe”.
Në bisedimet e fundit, iranianët “nuk ishin të gatshëm të na jepnin atë që kërkuam. Ata duhet ta kishin bërë”. “Pra, po shkon mirë”, tha Trump, përpara se të mbyllte telefonin. / CNN – Bota.al