Në një ditë të ftohtë që e detyroi të zhvendosë ceremoninë e betimit si presidenti i 47-të brenda ambienteve të mbyllura, Trump planifikon një stuhi urdhërash ekzekutive të forta, mbi çështje si emigracioni, prodhimi i energjisë, atletët transgjinorë dhe faljen e të dënuarve për ngjarjet e 6 janarit.
Kjo shfaqje force ka vendosur tonin për mandatin e tij të dytë, i cili do të bazohet në personazhin e tij autoritar dhe vizionin për një presidencë të gjithëpushtetshme.
Por, përpara se të merrte detyrën, presidenti në largim Joe Biden përdori vetë një pushtet të jashtëzakonshëm ekzekutiv që reflektonte një moment të pasigurt kombëtar, duke dhënë falje paraprake për shërbyesit publikë që mund të ishin objektiva të premtimeve të Trump, për hakmarrje ndaj kundërshtarëve të tij.
Lista përfshin Mark Milley, ish-ekspertin kryesor të sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci, dhe anëtarë të Kongresit e stafit që shërbyen në komisionin hetimor për trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Faljet, të cilat Biden theksoi se nuk nënkuptojnë fajësi, u shtrinë gjithashtu te oficerët e policisë që dëshmuan para panelit hetimor.
Trump u përgatit për inaugurimin e tij të dytë me një miting fitoreje të dielën në Uashington, DC, i cili përfundoi me një spektakël që do të kishte habitur breza të tërë presidentësh, duke kërcyer me grupin Village People dhe këngën e tyre hit të viteve 1970 “YMCA” — himni i tij politik.
Kjo qasje e tij informale theksoi sesi ish-manjati i pasurive të patundshme, figura e tabloidëve dhe ylli i reality TV-së është shndërruar në një figurë kulturore mes miliona admiruesve të tij.
Ajo magji e MAGA-s (Make America Great Again) është gjithashtu e rrënjosur në qëndrueshmërinë e Trump — pas mbijetesës nga dy përpjekje për atentat, dy shkarkime nga detyra, katër akuza penale dhe një dënim. Kthimi i tij në pushtet, duke përdorur të njëjtin proces demokratik që u përpoq të shkatërronte për të mos lënë zyrën pas zgjedhjeve të 2020-ës, e bën rikthimin e tij një nga më të habitshmit në historinë amerikane. Ky është gjithashtu një paralajmërim i errët për mënyrën sesi një president me tendenca imperialiste mund të përdorë pushtetin.
Trump nuk është më një devijim populist e nacionalist në një vijë të gjatë presidentësh pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët operuan me supozime të ngjashme për rolin e Amerikës në botë. Fitorja e tij në nëntor, duke e bërë atë presidentin e dytë që fiton dy mandate jo të njëpasnjëshme, e bën atë një figurë historikisht të rëndësishme — pavarësisht se çfarë ndodh gjatë katër viteve të ardhshme.
Dhe Trump arriti dy fitore të mëdha që përpara se të merrte detyrën. Së pari, tre pengje u liruan të dielën në Izrael nga Hamas si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza, që po i atribuohet ardhjes së tij të afërt në detyrë. Së dyti, Trump, të paktën për momentin, shpëtoi TikTok-un, i cili përkohësisht u mbyll për të respektuar një ndalim federal të vendosur për shkak të frikës se faqja e mediave sociale mund të manipulohej nga Kina.
Secila nga këto arritje demonstroi aftësinë e Trump për të ndërthurur lidershipin me një ndjenjë spektakli dhe preferencën e tij për përdorimin personal dhe improvizues të pushtetit presidencial. Që pas fitores në zgjedhjet e nëntorit, ai ka ndryshuar dinamikat politike brenda vendit dhe në skenën globale.
Megjithatë, si në rastin e TikTok-ut ashtu edhe në Lindjen e Mesme, “fitoret” fillestare të Trump të dielën do të zëvendësohen së shpejti nga negociata dhe vendime shumë më komplekse që do të kërkojnë angazhim të thellë presidencial dhe mençuri strategjike afatgjatë — cilësi që nuk i ofroi gjithmonë gjatë mandatit të tij të parë. / bota.al