Bota

Dorëzimi i republikanëve ka filluar

Screen Shot 2016-03-18 at 09.24.25

Nga Fareed Zakaria

Dorëzimi i republikanëve ka filluar. Pasi e përshkroi Donald Trumpin si të papranueshëm, jokonservator, demagog të rrezikshëm, establishmenti i partisë duket se po bën paqe me njeriun që vazhdon të fitojë primaret.

Faqja e editorialëve të “The Wall Street Journal” argumentoi fuqimisht kundër Donald Trumpit për muaj të tërë, duke thënë se ai është një micgun dhe një katastrofë, si dhe duke paralajmëruar që “nëse Donald Trumpi bëhet zëri i konservatorëve, atëherë konservatorizmi do të hidhet në erë bashkë me të”. Megjithatë këtë javë, ajo përfundoi me një editorial kryesor ku u bënte thirrje republikanëve “të vazhdojnë të shohin nëse Trumpi mund të fillojë të sillet si president… dhe mbi të gjitha, të vendosin se kush mund ta pengojë një presidencë tjetër të së majtës progresiste”.

Edhe Karl Rove ka kaluar muaj të tërë duke denoncuar Trumpin, e nisi duke e quajtur “totalisht idiot” dhe duke përshkruar me hollësi fajet dhe të metat e tij të shumta, si dhe duke parashikuar që, nëse do të ishte ai kandidati, Partia Republikane do ta humbiste Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin, si dhe do të shihte të zvogëlohej në mënyrë dramatike shumica e saj në Kongres. Këtë janë edhe ai e ndryshoi tonin, duke ofruar këshilla të ngrohta dhe miqësore për kandidatin kryesor.

Marco Rubio e ka quajtur Trumpin një mashtrues dhe e ka krahasuar me “të fortët e botës së tretë”. Ai ka thënë se Trumpi “nuk ka ide që të kenë thelb”, “ka kaluar një karrierë të tërë duke ua futur njerëzve që punojnë”, po “përpiqet të shfrytëzojë frikërat e njerëzve” dhe nxit dhunën në mitingjet e tij. Por “në këtë moment”, thotë Rubio, ai ka ndërmend që të mbështesë këdo që do të jetë kandidati i republikanëve. Po kështu edhe John McCain dhe Paul Ryan, i cili ka ndërmarrë hapin e rrallë të ndërhyrjes në fushatë tre herë, për të qortuar Trumpin për idetë dhe retorikën e tij. Edhe Lindsey Grahami, i cili e ka quajtur Trumpin “personin më të papërgatitur për të qenë komandant i përgjithshëm, që kam takuar ndonjëherë”, nuk thotë se nuk do të votojë për të. Në të vërtetë, tani ka vetëm një senator republikan që është i betuar të mos votojë për Trumpin.

Ironikisht, konservatorët sot janë pak a shumë në të njëjtin pozicion si ishin të moderuarit e republikanëve në vitin 1964, teksa Barry Goldwater shkonte pa ndalim drejt kandidimit. Eshtë e vështirë ta kuptosh sot se çfarë kthese ishte ajo për republikanët. Siç e dokumenton Geoffrey Kabaservice në librin e tij “Rule and Ruin”, partia ishte krenuar për qëndrimet e saj progresiste, që nga koha e Abraham Lincolnit. Goldwateri, nga ana tjetër, kundërshtoi vendimin e vitit 1954 të Gjykatës së Lartë për të integruar shkollat, si dhe Ligjin e të Drejtave Civile të vitit 1964. Njëqind vite punë të republikanëve për këto çështje do të hidheshin tutje, mendonin të moderuarit, nëse do të kandidohej Goldwater.

Në shumë drejtime, Trumpi shënon një ndarje edhe më të fortë nga e kaluara, se sa Goldwateri atëherë. Partia Republikane moderne i është përkushtuar tregjeve të lira dhe tregtisë së lirë, konservatorizmit social, një politike të jashtme ekspansioniste dhe disiplinës fiskale. Mos harroni që fjalimi prej ku nisi karriera e Ronald Reaganit, ishte një sulm kundër “Medicare”. Për çdonjërën prej këtyre çështjeve, Trumpi ose nuk bie dakord haptas – si për shembull me abortin – ose ka një të kaluar mosdakordësie.

Gjatë dekadës së fundit, mbështetja e republikanëve për imigrimin dhe tregtinë e lirë ka qënë në rënie. Por kandidimi i Trumpit do ta transformonte partinë në një lëvizje populiste, jakë-blu, nacionaliste, me një element racor – pak a shumë si disa lëvizje të tjera në botën perëndimore. Kjo do të jetë një pari shumë e ndryshme nga ajo e Reaganit, apo e Ryanit.

Kur isha në shkollë, na u kërkua të studionim me shumë vëmendje një ese të vitit 1955 mbi politikën amerikane, të studiuesit V.O.Key. Teza e Keyt ishte se pak a shumë në çdo brez, ka një palë zgjedhje që ndryshojnë grupimet e votuesve që ekzistonin më parë, në një mënyrë që zgjat me vite, në mos dekada. Studiuesit debatojnë se cilat ishin zgjedhjet që sollën reshtimin e ri të politikës amerikane. Përgjithësisht bien dakord se zgjedhjet e 1932 ishin të tilla, pasi bashkuan koalicionin e Marrëveshjes së Re të Franklin Rooseveltit, me liberalët veriorë, etnikët urbanë dhe të bardhët e jugut nga një shumicë demokrate. Ndërsa Key sheh ato të vitit 1928 si zgjedhje kritike, pasi i paraprinë koalicionit të vitit 1932.

Këto të këtij viti mund të hyjnë në histori si një palë zgjedhje të tilla, zgjedhje që prishin rendin e vjetër, por ndoshta pa krijuar një të ri. Në këtë drejtim, duket sikur është viti 1964, edhe ato një palë zgjedhje që sollën një reshtim të ri të politikës, duke i zhvendosur të bardhët e jugut në drejtim të Partisë Republikane. Atëherë, gjithashtu kishte energji shumë të madhe, votues të rinj, si dhe një kandidat që i emociononte mbështetësit. Edhe atëherë, establishmenti nuk mundi të ketë kurajën dhe unitetin për të kundërshtuar kandidatin kryesor, i frikësuar që të vepronte përballë energjisë dhe përkushtimit të forcave të reja populiste.

Kështu, partia shkoi e përçarë në zgjedhje në nëntor – dhe humbi 44 shtete.

The Washington Post – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button