BotaMAIN

Dosje të tjera Epstein. Por të mbushura me retushime

Mes Princit Andrew, Clinton, Jackson dhe Jagger dalin edhe emrat e 1.200 viktimave

Publikimi i mijëra imazheve dhe dokumenteve të ashtuquajtura “Epstein files” nuk duket se ka sjellë zbulime të reja tronditëse, por gjithsesi ka ndezur një stuhi të fortë politike dhe mediatike. Vëmendja është përqendruar sërish te ish-presidenti amerikan Bill Clinton, i shfaqur në disa fotografi së bashku me Ghislaine Maxwell, ish-partneren dhe bashkëpunëtoren e Jeffrey Epstein, e dënuar me 20 vite burg.

Në një prej imazheve, Clinton shihet duke notuar në një pishinë të mbyllur me Maxwell dhe një grua tjetër, fytyra e së cilës është e errësuar. Në një tjetër fragment, ish-presidenti shfaqet ulur në një kolltuk, ndërsa një vajzë e re sërish me fytyrë të mbuluar, i hedh krahun mbi shpatulla.

Një zëdhënës i Clintonit deklaron se në atë periudhë ish-presidenti nuk kishte asnjë dijeni për krimet e financierit pedofil, duke akuzuar Shtëpinë e Bardhë se po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga marrëdhëniet që Donald Trump kishte me Epstein.

«Shtëpia e Bardhë nuk i ka mbajtur të fshehura këto dokumente për muaj të tërë për të mbrojtur Clintonin, por për të mbrojtur veten nga ajo që do të vijë më pas», deklaron Angel Urena. «Ka dy kategori njerëzish në këtë histori: ata që nuk dinin asgjë dhe i ndërprenë marrëdhëniet me Epsteinin përpara se krimet e tij të dilnin në dritë, dhe ata që vazhduan ta frekuentonin edhe më pas. Ne i përkasim grupit të parë. Të gjithë, veçanërisht mbështetësit e MAGA-s, presin përgjigje, jo kurbanë politikë».

Dokumente të publikuara, por fort të censuruara

Departamenti amerikan i Drejtësisë publikoi dje një tjetër paketë dokumentesh, pas asaj të së premtes mbrëma. Sipas një analize paraprake të NBC News, në to nuk përmendet emri i presidentit aktual amerikan. Trump, për momentin, shmang çdo koment, duke u kufizuar në postime për politikën e brendshme dhe boksin në rrjetet sociale.

Mes mijëra faqeve të publikuara, sipas ligjit të miratuar nga Kongresi dhe i nënshkruar nga vetë Trump, gjenden fotografi dhe video, një listë telefonike jashtëzakonisht e gjatë dhe, mbi të gjitha, emrat tërësisht të censuruar, të 1.200 vajzave dhe grave të reja të abuzuara nga Epstein dhe bashkëpunëtorët e tij. Pikërisht këto retushime masive, së bashku me kontrollin e rreptë të shpërndarjes nga administrata amerikane, ushqejnë skepticizmin mbi faktin nëse ky publikim do të mjaftojë për të shuar teoritë e konspiracionit për një mbulim të nivelit të lartë.

Kritika nga të dyja palët politike

Shumë demokratë dhe disa republikanë theksojnë se publikimi aktual është shumë larg asaj që parashikon Epstein Files Transparency Act. Deputeti republikan Thomas Massie e quan metodën e ndjekur «një shkelje të rëndë si të frymës, ashtu edhe të shkronjës së ligjit», ndërsa lideri i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, thekson se «ky nuk është një proces transparent».

Në disa raste, dokumentet janë pothuajse tërësisht të zeza. Një dosje prej 119 faqesh me titullin “Grand Jury – NY” është plotësisht e censuruar, ndërsa shtatë faqe që rendisin 254 “masazhatore” kanë të mbuluar çdo emër, shoqëruar me shënimin: «censuruar për të mbrojtur informacionet e viktimave të mundshme».

Zëvendësministri i Drejtësisë, Todd Blanche, shpjegon se janë identifikuar mbi 1.200 viktima që duhet të mbrohen dhe premton se publikimi do të përfundojë në javët në vijim. «Përveç fshirjes së emrave të viktimave, kemi censuruar çdo material që mund të çojë në identifikimin e tyre», thekson ai. Megjithatë, sipas analistëve, dokumentet e publikuara përbëjnë vetëm rreth 1% të materialit total që zotëron zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

“Transparencë”, sipas Shtëpisë së Bardhë

Për Shtëpinë e Bardhë, publikimi i dosjeve është provë e transparencës së administratës. «Është presidenti më transparent në histori, shkruan zëdhënësja Abigail Jackson, dhe me këtë hap ka bërë më shumë për viktimat se ç’kanë bërë ndonjëherë demokratët». Mes materialeve të publikuara ka edhe shumë fotografi që nuk ishin parë më parë.

Emra të njohur si Prince Andrew, Michael Jackson dhe Mick Jagger shfaqen në dokumente, por pa akuza të drejtpërdrejta, një tjetër element që e bën këtë kapitull të ri të “Epstein files” më shumë një burim pyetjesh sesa përgjigjesh përfundimtare. / bota.al

Back to top button