Bota

Drejtuesit e 7 think tank-eve / Ja pesë hapat që duhen ndërmarrë për zgjidhjen e krizës

Drejtuesit e 7 think-tankeve dhe fondacioneve evropiane, të grupuar në partneritetin Vizioni Evropian, ofrojnë përmes kësaj letre të hapur drejtuar udhëheqësve të vendeve të BE, sugjerimet e tyre për futjen në rrugën e zgjidhjes të krizës së refugjatëve dhe disa sfidave të mëdha që ajo ka krijuar për kontinentin e vjetër

Screen Shot 2016-03-19 at 09.27.42

“Bruegel”

Udhëheqësit evropianë, kanë nevojë të zbatojnë zgjidhje të përbashkëta evropiane për krizën e refugjatëve. Vetëm këto të fundit mund jenë të besueshme dhe efektive në zvogëlimin e vuajtjeve në rritje njerëzore të refugjatëve, si dhe trazirave sociale dhe politike. Kjo krizë paraqet një sfidë serioze, si për mirëqenien e refugjatëve ashtu edhe të shoqërive europiane.

Në vitin 2015, më shumë se 1.5 milionë emigrantë kanë hyrë në Bashkimin Evropian. Nga Italia në Poloni, dhe nga Greqia në Gjermani, vendet përballen me sfida të pafundme në përgjigje të kërkesave për ndihmë humanitare, azil dhe integrim. Sfidat që lidhen me integrimin si strehimi, mësimi i gjuhës, gjetja e një pune dhe mirëqenia sociale janë tashmë të frikshme.

Dështimi për t’i menaxhuar ato si duhet, paraqet një kërcënim serioz për kohezionin social dhe stabilitetin politik. Vendet evropiane kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’i analizuar dhe vlerësuar sfidat afatgjata që krijoi kriza aktuale. Tanimë është koha për të vepruar – jo individualisht dhe në kurriz të të tjerëve, por së bashku dhe në frymën e solidaritetit evropian. Kjo është arsyeja pse Vizioni Evropian – një partneritet ndërmjet 7 Think-Tankeve dhe fondacionesh në Evropë – do të përqëndrojë këtë vit përpjekjet e saj në ofrimin e zgjidhjeve praktike për krizën e tanishme të refugjatëve, dhe shkaqet e saj rrënjësore.

Ne, shtatë nënshkruesit, duke shkruar në cilësinë e kapaciteteve individuale, shohim një nevojë urgjente për një qasje të përbashkët evropiane, përkrah përpjekjeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, nuk ka konsensus mes vendeve anëtare se si t’i përgjigjen krizës, dhe as mbi objektivat që do të arrihen apo metodat që do përdoren.

Por, mosmarrëveshjet në substancë duhet tani të tejkalohen. Duke u bazuar në diskutimet e deritanishme, ne propozojmë një agjendë gjithëpërfshirëse në nivel të BE-së, me 5 dimensione të mëdha. Së pari, është e rëndësishme të kontrollohen kufijtë e jashtëm të BE-së në mënyrë që vetëm refugjatët të cilët i ikin luftës dhe persekutimit, dhe që kanë të drejtë legjitime për të kërkuar azil, të mund të hyjnë dhe potencialisht të mbeten në BE.

Natyra e brishtë e kufijve të jashtëm të BE-së, nënkupton një humbje të papranueshme të kontrollit në sytë e shumë qytetarëve të BE-së, çka ka krijuar shpresa të rreme tek emigrantët e parregullt që përpiqen të hyjnë në union. Kontrolli i kufijve të zonës Shengen, duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e BE-së dhe e të gjitha shteteve anëtare, e koordinuar nga institucionet evropiane me një staf profesional si edhe me mbështetjen financiare të shteteve anëtare në periferi të BE-së. Rivënia nën kontroll e kufijve të jashtëm të BE-së, është thelbësore për të ruajtur të hapur kufijtë e brendshëm.

Së dyti, përtej zbatimit të marrëveshjes mbi të cilën është rënë dakord për zhvendosjen e 160.000 refugjatëve nga Greqia dhe Italia, BE-ja duhet të krijojë një sistem që shpërndan një numër shumë më të madh refugjatësh në të gjithë unonin, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pikat e nxehta në BE dhe në vendet fqinje si Turqia, Jordania apo Libani.

Shtetet anëtare jo të gatshme për të pritur refugjatët, mund të zgjedhin për të dhënë një kontribut kryesisht financiare për sistemin. Duhet të krijohet një Fondi i Solidaritetit mbi Emigrantët, për të menaxhuar këtë sistem kompensues. Përpjekjet e Turqisë për të zvogëluar kalimet në detin Egje, duhet të përputhen me një gatishmëri në mesin e shteteve anëtare të BE-së për të pranuar refugjatët në mënyrë të rregullt.

Përfundimet nga mbledhja e fundit e Këshillit Evropian, duket se lëvizin në drejtimin e duhur. Masa e tretë duhet të jetë përmirësimi, standardizimi dhe përshpejtimi i proceseve për kërkesat për azil. Sa më shpejt që refugjatët të mësojnë se mund të qëndrojnë, aq më shumë energji mund të investohen në integrimin e tyre në shoqëritë e vendeve pritëse dhe në bashkimin familjar.

Sa më shpejt të merret një vendim, aq më i drejtë dhe më i realizueshëm është kthimi mbrapsht i atyre që u është refuzuar kërkesa për azil, në respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut. Dhe anëtarët e BE-së, nuk mund të përballojnë të kenë standarde shumë të ndryshme në dhënien e statusit të azilit. Sipas të drejtës ndërkombëtare, s’mund të ketë një kufizim të përcaktuar për numrin e atyre të kanë të drejtë për të kërkuar azil.

Si një masë të katërt, ne rekomandojmë zgjerimin e përpjekjeve në nivel evropian për të përmirësuar kushtet e jetesës së refugjatëve që qëndrojnë në vendet e afërta me vendet e tyre të origjinës. Shumë refugjatë duan të kthehen në shtëpitë e tyre, sa më shpejt që situata të bëhet e sërish e sigurtë. Ata s’duhet të nxiten të ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm drejt Bashkimit Evropian, vetëm për shkak të kushteve të padurueshme tek vendet ku ata janë duke strehuar.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare duhet të punojnë fuqishëm për t’i dhënë fund konflikteve të dhunshme, që janë shkaqet kryesore të krizës. Evropa duhet të investojë shumë në mënyrë të veçantë tek procesi i paqes në Siri. BE-ja duhet gjithashtu të rrisë ambicjet dhe burimet e Politikës së saj të Fqinjësisë, me një fokus tek ndihma për stabilizimin e rajonit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mundësitë ekonomike në lagjen jugore.

Por veprimi është i nevojshëm edhe në nivel kombëtar, veçanërisht tek vendet e BE-së, ku një numër i konsiderueshëm refugjatësh kanë marrë ose presin të marrin azil. Shpërndarja e refugjatëve nëpër komuna dhe rajone, duhet të jetë e drejtë dhe të ndodhë me mbështetjen e duhur dhe burimet nga qeveritë qëndrore sa i përket arsimit dhe trajnimit për mësimin e gjuhës vendase. Njohja e kompetencave profesionale dhe mbështetja për t’u qasur në tregun e punës, duhet të jenë në dispozicion në një fazë shumë të hershme.

Brenda shoqërive tona, ne kemi nevojë për një dialog ndërmjet mes refugjatëve dhe shoqërive mikpritëse. Duhet të bëhet e qartë se respektimi i të drejtave të njeriut, vlerave demokratike dhe normave kulturore, është i domosdoshëm për një qëndrim afatgjatë në vendin përkatës pritës evropian. Përfaqësues nga shtatë vende evropiane, me politika të ndryshme kombëtare në raport me krizën e refugjatëve, fondacionet dhe think-tanket e Vizionit Evropian, po punojnë së bashku për të çuar përpara idetë e reja, dhe i dhënë formë një debati të informuar, si dhe për të theksuar përfitimet e zgjidhjeve të përbashkëta evropiane, me të cilat përballet aktualisht kontinenti.

Evropa është mjaftueshëm e fortë për të menaxhuar sfidat e migrimit, por vetëm nëse liderët politikë veprojnë tani me përgjegjësi, si dhe përdorin burimet në dispozicion të tyre, duke përfshirë mbështetjen për shoqërinë civile që është e angazhuar në këtë fushë. Ne s’duhet t’i lëmë hapësirë publike populistëve dhe nacionalistëve që ofrojnë premtime të rreme. Vetëm një zgjidhje evropiane do të jetë e realizueshme dhe e qëndrueshme.

Nënshkruar: Aart De Geus, Artur Santos Silva, Guntram Ulf, Miko Kosonen, Piero Gastaldo, Robin Niblett dhe Iv Bertonçini

Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button