Psikologji

Duaji ata që të duan, sepse mund të mos i kesh për shumë kohë pranë…

Në ditët e sotme ne të gjithë vuajmë për dashuri, sepse kanë ardhur kohëra të tilla që dashuria ka kaluar në plan të dytë. Sot mendohet të punohet e të fitohet sa më shumë. Kur arrin të fitosh shumë, kupton se të ka kaluar koha për të dashur njerëzit që të kanë dashur. Disa prej tyre mund të jenë larguar nga ty. Disa të tjerë mundet edhe të kenë ndërruar jetë. Ajo që bie në sy, është se në çdo rrugë që zgjidhet për të korrur sukses, shpesh të errësohen sytë dhe nuk e kupton se paraja kurrë s’mund ta zëvendësojë vlerën e dashurisë. Mund të kesh lekë dhe të jesh pafundësisht i trishtuar, sepse vetmia qëndron përherë mbi çdo gjë luksi që mund të sigurojë paraja.

Nëse sot ke pranë njerëz që të duan e japin jetën për ty, duaji. Kushtoji atyre kohë dhe vëmendje, sepse jeta ka plot të papritura. Mund t’i humbasësh dhe në ndërgjegjie do të të mbetet përherë pendesa se kurrë nuk ke bërë gjënë e duhur me ta. Gjeje kohën, telefonoji dhe pyeti si janë. Dil me ta, organizo diçka ndryshe nga rutina juaj e përditshme. Bëni gjëra të papritura, sepse gjërat që bëhen spontanisht vijnë me më shumë argëtim dhe të surprizojnë më tepër.

Mos u magjeps nga aroma e kartmonedhave. Ato sot mund t’i kesh e nesër jo, kujt po ia ndjen. Do ta gjesh një mënyrë se si të bësh sërish lekë, ndërsa me njerëzit është më e vështirë. Është shumë e vështirë të fitosh besimin e dikujt që të ka dashur dhe është larguar nga ty. Mund të fitosh faljen e tyre, ama për besimin duhet kohë, sepse një zemër e lënduar, apo një mendje e zhgënjyer vështirë se mund të riparohen lehtë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Ndaj, bëj kujdes me vendimet që merr. Duaji ata që japin jetën për ty, sepse bota po vuan për dashuri të tilla. Mos i shpërdoro, përderisa ke fatin t’i përjetosh!

Leave a Reply

Back to top button