“Dreri i trotuarëve” është një nga romanet më të njohura të Diana Çulit. Është romani që trajton dashurinë e Fredit dhe Verës në vitet 1970, kur dhe trysnia e regjimit të kohës ishte mjaft e madhe. Në vijim ju sjellim një nga fragmentet më të bukura të këtij romani, të cilin nëse nuk e keni lexuar ende, bëni mirë ta lexoni e ta bëni pjesë të bibliotekës suaj.
“E kaluara ishte një kujtim i mundimshëm tashmë dhe jeta e vërtetë ishte grumbulluar e shtrydhur në këto javët e fundit. Sikur të kishte mundësi mbinatyrore, sikur të binte në një gjumë të rëndë, e sëmurë, dhe t’u kthehej përsëri dy muajve të shkuar! Atëherë do të dinte ta hidhte hapin ndryshe. Po sa “sikur” që prodhon ndërgjegjja pas një faji, që ai faj të mos kryhet… Do të ishte më mirë të mos qenë fare këto “sikur”, sepse atëherë edhe pendimi nuk do të ishte aq brejtës…
Papritur e pa kujtuar, si t’i ishin hapur sytë për herë të parë, Vera përsëriti me vete fjalën pendim, që i kishte ardhur në mendje si rastësisht. Ishte penduar, kjo ishte e keqja më e madhe. Jo për dashurinë që kishte pasur me Fredin, aty s’e kishte pasur veten në dorë, por për format dhe natyrën që kishte marrë kjo dashuri. Ishte nisur prej saj si nga pika qendrore e botës dhe nuk kishte menduar gjë tjetër. Kishte menduar vetëm se, përderisa e donte atë njeri me gjithë zemër e me gjithë shpirt, atëherë s’kishte pse të bëje skena ndershmërie, të cilat i ishin dukur falsitet dhe hipokrizi. Por, nuk kishte menduar asfare për pasojat e mundshme, për rrezikun që i kanosej në çdo hap, paralajmërimet dhe përvojat e të tjerëve nuk i kishte marrë parasysh, se i qe dukur që ata s’dinin gjë c’ishte dashuria e vërtetë. Dhe tani dashuria e vërtetë e saj kishte marrë pamjen e një rruge pas Pazarit të Ri, të një apartamenti ku duhet t’i binin ziles në shtatë e gjysmë të darkës, hajdutçe, duke kthyer kokën herë pas here prapa mos e shihnin që hynte në shtëpinë e një gruaje me emër të keq, se mos e kuptonin përse shkonte kjo vajzë e re tek ajo grua, se mos e ndiqnin për ta kapur ata njerëz që ilegalisht ajo do ta ndihmonte të shpëtonte prej asaj gjendjeje fizike alarmante…
Mbuloi fytyrën me duar dhe u mundua të mbante lotët. Nuk duhet të qante. Duhet të bëhej e fortë…”.