Shkence

Duhet të vdesësh. Eshtë matematike!

Një mister i jetës, i zgjidhur prej dy biologëve. Ekuacionet na thonë se për organizmat shumëqelizore si ne njerëzit, fati është i vendosur

Plakja duket të jetë një fakt i pashmangshëm i jetës, të paktën tonës, dhe megjithatë kjo katastrofë globale e qelizave tona, nuk e ka penguar gjithë njerëzimin të ndjekë ëndrrën e pavdekësisë. Ja pra, kjo është arsyeja e ekzistencës së miteve të burimit të rinisë së përjetshme apo eliksirit të jetëgjatësisë, por mbi të gjitha, kjo është arsyeja për fitimet strategjike të kompanive që shesin “kremëra rigjeneruese”, apo ato që premtojnë të mbajnë të vdekurit ose pjesë të tyre në temperatura shumë të ulëta, në pritje që shkenca të gjejë një ilaç për shkaqet e vdekjes së tyre.

Ujëra mrekullish, kremëra, i ftohtë ekstrem … Deri më tani, gjithçka ka qenë e kotë. Ndërsa sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, tani një demonstrim matematikor shpjegon pse kjo është thjesht e pamundur.

EVOLUCIONI KA THENE TASHME: JO

Biologët evolucionistë kanë filluar të shuajnë shpresën e jetës së përhershme (në këtë tokë, të paktën) me dy parime themelore shkencore: hijen e përzgjedhjes dhe ndryshimet në veprimin e gjeneve, në rini dhe në pleqëri. Premisa e të gjitha diskutimeve është çuditërisht e thjeshtë:

Qëllimi përfundimtar i evolucionit është që të përzgjedhë individë të cilët janë riprodhuar më mirë se të tjerët, dmth ata që lënë më shumë pasardhës

Hija e përzgjedhjes identifikon fazën në të cilën, seleksionimi natyror nuk vepron më mbi mutacionet që ndodhin në moshë të vjetër, kur individët janë riprodhuar. Edhe pse mutacionet e natyrshme të ADN-së janë negative, në fakt, ato nuk ndikojnë tek pasardhësit e individit, i cili ka lindur tashmë: prandaj, nuk janë më “objekt i interesit” i seleksionimit natyror dhe nuk bllokohen.

Veprimet e ndryshme të gjeneve në faza të ndryshme të jetës janë një fenomen i quajtur pleiotropia antagoniste: ajo që ndodh është që, në qoftë se disa prej gjeneve kanë një efekt pozitiv në rinin (dhe kështu rrisin suksesin riprodhues) seleksionimi natyror ka tendencë që t’i ruajë ato.

Dhe nëse po këto gjene kanë një veprim negativ në pleqëri … keq për të moshuarit, të cilët e gjejnë veten me pjesë ADN-je nga veprimi i kundërt.

Matematika e vdekjes

Këto ishin premisat, plus një demonstrim matematikor i elaboruar nga dy studiues në departamentin e ekologjisë të Universitetit të Arizonës, si dhe departamentin e biologjisë evolucionare. Studiuesit vërejnë se në organizmat shumëqelizorë, qelizat duhet të bashkëpunojnë për të mbajtur gjallë tërë trupin: duke vepruar kështu, disa qeliza mund të eliminohen se nuk riprodhohen më shumë, nuk arrijnë që të riparojnë ndonjë dëm dhe për këtë arsye nuk janë më funksionale.

Në mesin e atyre që janë riprodhuar ka disa që, në bazë të mutacioneve që gjithmonë ndodhin kur qelizat ndahen, nuk janë “pjesë” e këtij bashkëpunimi: shumohen në mënyrë të pakontrolluar dhe mund të bëhen kancerogjene.

Duke ndërtuar një model matematik të popullatave të qelizave, të dy studiuesit kanë treguar se, herët a vonë, qelizat i nënshtrohen një nga dy fateve të trishtë: mungesës së funksionalitetit, ose rritjes së pakontrolluar. Të parat vdesin për shkak të moshës, të dytat e bëjnë trupin të vdesë nga tumoret ose sëmundjet e tjera. Rezultati: Ekuacionet tregojnë se për organizmat shumëqelizore, si ne, vdekja është e pashmangshme. / Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button