Kulture

E mbinatyrshmja përballë racionales: A është bota e “çmagjepsur?”

Mathias Messenholler

Historian, gazetar

Në një botë të dominuar nga shkenca dhe nga teknika, pothuajse gjysma e njerëzimit mendojnë që ndodhin shfaqje jashtëtokësore, shërime të habitshëm, koincidenca profetike. Çfarë na shtyn të pranojmë qetësisht “black out”-e spontanë të ligjeve të natyrës? Cilët motivime antropologjikë, psikologjikë, fetarë, lënë në hije racionalitetin dhe bëjnë t’i hapim zemrën sugjestionimit prej të panjohurës?

Pavarësisht se sa njerëzit mund të dinë për Zotin dhe për shenjtët, për ekzistencën e mrekullive janë të shumtë ata që nuk ushqejnë dyshime: 55 vetë në njëqind besojnë në shfaqjet e mrekullive të tipit fetar, 45 i konsiderojnë të pamundura apo të pamundshme. Për këtë argument është kryer një prej sondazheve më të gjerë në nivel botëror, International Social Survey Programme, që ka ekzaminuar opinionet e 40 kombeve. Ia vlen të nxjerrësh në pah edhe dallimet rajonalë: Në Turqi, pothuajse 93 vetë në njëqind besojnë tek mrekullitë, në Republikën Ceke vetëm 23, në Rusi 51, në SHBA 78, pothuajse e njëjta përqindje e rregjistruar në Itali, Afrikën e Jugut apo Meksikë

mrekulli 1

Rruga e “Orti di San Giorgio” ndodhet në një lagje dekadente të Sirakuzës. Më shumë një shteg se sa një rrugë, me pak gjelbërim, mure ngjyrë gri. Në një barakë në Nr.11 jetojnë Angelo dhe Antonina Iannuso bashkë me nënën, vëllanë dhe motrën e Angelos. Dhoma e çiftit është e vogël: krevati, komodina, tryeza, disa karrike, një legen për t’u larë. Në mur ndodhet një reliev me suva të lyer, Zemra e papërlyer e Marisë. Eshtë një dhuratë për dasmë, në lartësinë e traditës. Antonina nuk është veçanërisht besimtare, Angelo pret më shumë nga sindikatat se sa nga Zoti.

Ashtu siçdo ditë, edhe në 29 gusht 1953, të shtunën, punëtori doli nga shtëpia në mëngjes. Pa qejf. Gjatë gjithë natës Antonina ka vuajtur nga dhimbjet e barkut, dhe aty nga ora tre e mëngjesit ka humbur shikimin. 20-vjeçarja është shtatzënë dhe shtatzania është e vështirë. Por Iannuso nuk mund të mungojë as edhe një ditë në punë. Rreth orës 08.30, bashkëshortes I kthehet shikimi pas një vale të re dhimbjesh. Sheh Marinë në mur dhe mrekullohet. Duket se prej fotos del një lëng. Antonina thërret kunatën, e cila afrohet dhe konstaton: nga sytë e Marisë dalin lot.

Kur kthehet nga puna në mbrëmje, Angelo Iannuso gjen një turmë njerëzish që ka bllokuar hyrjen e rrugës Orti. Njerëzit sa vijnë e shtohen pranë shtëpisë dhe apartamentit të tij. Policët hapin një shteg për ta lënë të hyjë. Edhe ai vetë konfirmon mrekullinë. Në ditët në vijim, mijëra vetë shohin relievin dhe e fotografojnë, mbledhin lotët me topa pambuku. Herë pas here familja ngre portretin tek hyrja e shtëpisë, për të mos lejuar njerëzit të futen brenda.

Vetëm në 1 shtator në orën 11 të mëngjesit, Madonna pushon së nxjerri lotë. Në këtë moment, shqetësimet e Antoninës janë zhdukur tashmë. Në 5 shtator, lutjet drejtuar figurës së Marisë shërojnë nga poliomeliti vogëlushen Enza Moncada, 3 vjeç. Dy ditë më vonë, një tjetër top pambuku i lagur me lotët shëron një pelegrine, Anna Gaudiosa Vassallos nga një sëmundje e mitrës. Besimtarë nga e gjithë Italia nisen në pelegrinazh me destinacion Sirakuzën.

Në fillim të shekullit XX sociologu Max Veber konstatoi se për njeriun modern gjithçka është e përllogaritshme. Teknika dhe shkenca kanë asgjësuar çdo lloj magjie. Veber e quajti këtë koncept “çmagjepsja e botës”: shumë shpejt u shndërrua në një thënie proverbiale dhe duket se përmbledh në mënyrë të përsosur epokën moderne. Madje edhe një teolog protestant si studiuesi gjerman Rudolf Bultmann në vitin 1941 pranoi se asnjë njeri i arsyeshëm nuk mund “të përdorë energjinë elektrike dhe radion, të shfrytëzojë kurat mjekësore moderne dhe në të njëjtën kohë të besojë në botën e shpirtërave dhe te mrekullive të Testamentit të Ri”. George Bernard Shaë, dramaturg dhe fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë, pohonte se ka vërejtur situatën e kundërt: “Dua të them se për sa u takon mrekullive dhe shenjtëve, profetëve dhe magjistarëve, monstrave dhe përrallave të çfarëdolloji, shekulli XIX dhe aq më shumë ai i XX, mund t’i japin pikë shekullit XV”.

Kontrolli i të pashpjegueshmes

Në Vatikan ekziston një autoritet që pretendon mrekullitë, për të lëshuar në këmbim deklaratën e bekimit apo të kanonizimit. Duke aplikuar këtë sistem, deri në vitin 2005 Papët kanë kanonizuar plot 784 shenjtë, 650 prej të cilëve në shekullin XX, 482 gjatë Papatit të Gjon Palit II (1978-2005). Duke shtuar edhe 1338 bekime, në kohën e Vojtilës janë njohur plot 1820 mrekulli. Një rekord historik.

Pavarësisht se sa njerëzit mund të dinë për Zotin dhe për shenjtët, për ekzistencën e mrekullive janë të shumtë ata që nuk ushqejnë dyshime: 55 vetë në njëqind besojnë në shfaqjet e mrekullive të tipit fetar, 45 i konsiderojnë të pamundura apo të pamundshme. Për këtë argument është kryer një prej sondazheve më të gjerë në nivel botëror, International Social Survey Programme, që ka ekzaminuar opinionet e 40 kombeve. Ia vlen të nxjerrësh në pah edhe dallimet rajonalë: Në Turqi, pothuajse 93 vetë në njëqind besojnë tek mrekullitë, në Republikën Ceke vetëm 23, në Rusi 51, në SHBA 78, pothuajse e njëjta përqindje e rregjistruar në Itali, Afrikën e Jugut apo Meksikë. Nga ana tjetër, të habisin vlerat e skandinavëve të ftohtë, nga 24 përqind në Danimarkë, në 37 përqind në Norvegji.

Në nivel global, shumë shoqëri të botës mendojnë se diagnoza e Veberit për një epokë indiferente të racionalitetit apo programi i Bultmannit i një kristianizmi “të çmitizuar” kanë mbetur koncepte të puro intelektualë. Megjithatë, për shumë kohë studimi i fesë tek mrekullitë është kufizuar në ekzaminimin e epokave të kaluara, të njohura si naive. A thua shkenca nuk do të donte të njihte këtë fqinj të fshehur, bashkëkohësin e vet, që banon në portën përballë. Vetëm prej pak kohësh situata ka ndryshuar dhe historianët gjermanë Alexander Geppert dhe Till Kossler e përshkruajnë shekullin XXI si “një epokë mrekullis par excellence”.

Nga se vjen? Çfarë I shtyn njerëz që dëgjojnë radion (dixhitale) dhe ia besojnë jetën e tyre konstruktorëve të avionëve dhe anestezistëve, të besojnë në black out-e spontanë të ligjeve të natyrës? Dhe si funksionojnë mrekullitë?

mrekulli 3Mbi të gjitha, për zakon. Praktikisht të gjithë kulturat pretendojnë ndodhinë e ngjarjeve të panatyrshme. Kristianizmi nuk ngrihet mbi një doktrinë filozofike apo morale, por mbi historinë e një Zoti që u bë njeri, transformoi ujin në verë, eci mbi ujë, shëroi të sëmurët, u ringrit dhe shkoi në qiell mu përpara syve të dishepujve të tij.

Ndërhyrja e të mbinatyrshmes nuk mund të jepej në mënyrë më drastike dhe plastike (për të mos folur për krijimin dhe rikthimin e ardhshëm apokaliptik të Jezusit).

Në sytë e bashkëkohësve të lashtësisë kjo histori dukej si ekstravagante. Sepse bota e perëndive të tyre ishte më e shumëllojshme dhe e ngjashme me njeriun se sa e bënte Zoti i vetëm e i gjithëpushtetshëm i hebrenjve dhe të krishterëve. Si grekët, ashtu edhe romakët zotëronin një shumëllojshmëri definicionesh për të mbinatyrshmen, monstrat, bukuritë e admirueshme, shenjat dhe ndihmat hyjnore, bëmat heroike. Natyra dhe metafizika shkonin në harmoni tek perandorët romakë që konsideroheshin gjysmëperëndi, si dhe në terapitë mjekësore. Mrekullia, në aspektet e saj të shumtë, i përkiste përditshmërisë tamam si altari shtëpiak. Kontraste të fortë me normalitetin në stilin e Jezusit, që shëronte të sëmurët me një fjalë të vetme apo ringjallte të vdekurit, ishin të rezervuar për legjendat apo për artin, apo gjithësesi për besimet popullorë. Kur kristianët e parë u nisën në mision me këto historira, kundërshtarët e tyre të kënduar i kritikuan se përhapnin mashtrime apo truqe. Pavarësisht kësaj, feja e re u përhap mes popullsive të perandorisë romake, dhe bashkë me të termi i “mrekullisë” pagëzuar prej baballarëve të Kishës: në një moment të caktuar, ky Zot ndërpret rendin e gjërave që ai vetë ka krijuar. Por, vetëm ky Zot ama.

Edhe nëse një perandor pagan si Mark Aureli mblidhte në Romë priftërinj nga e gjithë bota për të mos iu kundërvënë asnjë hyjnie, shumë shpejt të krishterëve iu desh të luftojnë kundër të gjithë konkurentëve të tjerë. Nga ana e tij, komuniteti i Jezusit hidhte poshtë praktikat magjike si mashtrime, vepra të djallit dhe supersticionit, ose bënte të vetat: shumë shpejt Kisha mësoi të adaptonte traditat pagane me ritet e krishterë. Jo pak vende pelegrinazhi kanë një traditë parakristiane. Xheloze për monopolin e vet, Kisha bëri hapin e parë të madh për të shpjeguar të pashpjegueshmen dhe për ta mbajtur nën kontrollin e vet.

Përdhosje dhe metafora të shenjta

Hapi i dytë ndodhi me revolucionin shkencor të shekullit XVII, që kishte projektin ambicioz të zbulimit të mistereve të natyrës me një analizë jo të parandaluar dhe me kombinime matematikorë: pikërisht ajo që në dukje ishte kundër rregullave i shtynte natyralistët që të gjenin shpjegime. Do të kishin preferuar të eleminonin tërësisht mrekullinë duke u kufizuar në konsiderimin e Zotit vetëm në rolin e tij të krijuesit, si një orëndreqës që sheh të kryhet vepra e tij. Që nga ai moment, gjithçka ndodhi si në përalla: çdo mrekulli e zbuluar fsheh një tjetër, e cila ka edhe më shumë efekt për arsye se shkenca nuk arrin të gjejë një përgjigje të menjëhershme. Në këtë kontekst, avantazhi i besimit tek mrekullitë qëndron në faktin që jo çdo gjë që ndodh e ka një shpjegim. Feja pikas kështu atë që është e pashpjegueshme dhe e shfrytëzon. Që do të thotë: është feja që krijon mrekullinë, dhe jo natyra misterioze. Vetëm atje ku “nuk ka shpjegime të gatshëm, por një legjendë”, thoshte Robert Pfaller, profesor vienez i filozofisë, “paraqitet mundësia për një mrekulli”. Mrekullia ka më shumë nevojë për fenë nga sa ka feja nevojë për mrekullitë.

Disa mrekulli legjendare të shekullit XX nuk kanë qenë ngjarje fetare në kuptimi klasik. Në vitin 1914 francezët ndalën përparimin e ushtrisë gjermane me “mrekullinë mbi Marna”; gjashtë vjet më vonë Polonia shpalli fitoren e saj kundër Armatës së Kuqe si “mrekullia e Vistolës”; në Luftën e Dytë Botërore miliona gjermanë u kapën pas “armës së mrekullisë” së Hitlerit; katastrofa u pasua nga “mrekullia ekonomike”: pak a shumë në të njëjtën periudhë revolucioni sovjetik shpalli progresin teknik si mrekullinë e “vërtetë”. Sigurisht, formula propagande, metafora. Por më të forta se sa një lojë e padëmshme fjalësh. Kur politika përdor termin “mrekulli”, ajo luan me vetëdije apo në mënyrë të pavetëdijshme me ndjenjat fetare. Nuk është për t’u habitur, mbi të gjitha në një epokë që historiani kozmopolit Eric Hobsbaum e ka quajtur “shekulli i ekstremeve”, i shënuar prej revolucionesh, betejash mes konceptimeve të ndryshëm për botën, një luftë atomike, utopi të mëdha dhe pasiguri e dëshpërim.

Në çdo rast, shekulli u demonstrua “racional” të paktën në zgjedhjen e mjeteve të veta teknike. Në Nëntëqindën dominuan bindja e vendosur tek superioriteti i kombit, fitorja mbi socializmin, superioriteti natyror i racës dominuese, që janë të gjitha varietete të fesë së laicizuar. Duke transformuar ngjarje profane në metafora të shenjta, tezat politike që u referohen mrekullive legjitimojnë raportet e forcës. Parimi është gjithmonë abuzimi emotiv. Mrekullitë hedhin në erë çfarëdolloj argumentimi objektiv. Atje ku verifikohet diçka e supozuar si e pamundur, skeptiku të jep përshtypjen e një njeriu jobesues, që shet mend, e që duhet bërë të heshtë. Mrekullitë, nga ana tjetër, verifikohen më të shpeshta në praninë e përplasjeve të forta ideologjike. Një shikim i dytë i politikës së shenjtërimit të Vatikanit tregon mbi të gjitha që është e drejtuar për nga Azia Lindore dhe Amerika Latine. Pra, rajone ku katolicizmi është në konkurencë të fortë me fetë e tjera. Dhe ku, siç është formuluar nga Geppert dhe Kossler, mirëpret në mënyrë sistematike “shenjtë popullorë me kontakte lokalë”. Besimtarët nuk habiten. Zoti shkon në ndihmë të Kishës së ty ku dhe kur është e nevojshme. Siç ndodhi në vitin 1953 në Sirakuzë.

Në kërkim të një domethënieje

Në javët pas shfaqjes së lotëve, çdo ditë me mijëra vetë shkonin në Siçili, bëhet fjalë për më shumë se një milionë pelegrinë nga e gjithë Italia, madje edhe nga jashtë vendit. Mes tyre, shumë të sëmurë: fytyrat e mbushura me djersë dhe lotë luteshin për ndihmën e Madonës. Shumë shpejt nisën lajmet për shërime të pabesueshëm.

Për Kishën zyrtare bëhej fjalë për një armë me teh të dyfishtë. Nuk ka asgjë më të vështirë për të menaxhuar se sa një mrekulli të ndodhur para një publiku të madh. Mund të përdoret për qëllime propagande, por ekziston rreziku i pallogaritshëm i humbjes së kontrollit mbi besimtarët entuziastë dhe të vihesh në lojë apo kompromentohesh prej sharlatanëve.

Ndërkohë që Madona në shtëpinë e Iannusos vazhdonte të qante, kardinali Baranzini emëroi një komision investigimi. Në 1 shtator policia shoqëroi pesë njerëz të shkencës në rrugën e Orti. Ata morën disa lotë që dilnin nga pjesa e majtë brenda e figurës, një centimetër kub. Në pjesën e pasme, relievi ishte i lagur, boja në pjesën e ekspozuar nuk paraqiste anomali as edhe kur shihej me lente zmadhuese. Komisioni në fillim dhe më pas ekspertët e konsultuar në faza të mëvonshme përjashtuan mundësinë që të bëhej fjalë për një iluzion optik, për një kondensim sipërfaqësor, për “djersitje” të suvasë, apo për një gënjeshtër.

Një analizë zbuloi se lëngu kishte të njëjtën përbërje kimike si lotët e njeriut.

Vetëm pasi mori relacionet, në 19 shtator kardinali Baranzini kërkoi transferimin e portretit të Madonës, të lustruar me bojëqiell, të kuqe, të bardhë e rozë, në një vend të shenjtë të improvizuar në sheshin Euripidi.

Kur shërimet nisën të rriten në numër, kardinali dërgoi ekspertë të tjerë të asistuar nga një komision mjekësor, për të rindërtuar të kaluarën e sëmundjeve, filtruar shërimet spontanë dhe të refuzonin shërime eventualë imagjinarë apo të stimuluar. Baranzini bëri të pamundurën për të siguruar mrekullinë e tij. Në të njëjtën kohë u angazhua për t’i dhënë një kuptim. Në fakt, Madona kishte lotuar në heshtje. Për cfarë? Përse në Sirakuzë, përse në atë moment?

Mbrëmjen e 8 shtatorit kardinali iluminoi popullatën: Madona kishte qarë sepse biri i saj ishte fyer, aty dhe atëherë, prej një sjelljeje të frymëzuar nga djalli. Të gjithë e dinë se për cfarë fliste. Në zgjedhjet e qershorit, demokristianët kishin humbur shumicën absolute, në Sirakuzë pushteti i kish kaluar një koalicioni të përbërë nga komunistë dhe socialistë.

Dhe lagja e punëtorëve përreth rrugës Orti ishte një prej bastioneve të tyre: sic thotë rrëfimi zyrtar i ofruar më vonë “me ardhjen e barit të keq komunist lagja u kontaminua me të kuqe”. Vec të tjerash, aty sapo ishte vendosur edhe një komunitet baptist. Dhe për të përfunduar, edhe vetë Angelo Iannuso, i “infektuar” prej ideve të së majtës, kishte marrë pjesë në manifestime sindikaliste. Kështu, Baranzini e transformoi lotimin në një manifest antikomunist.

Mënyra e procedimit dhe interpretimi i kardinalit nuk ishin të pazakontë. I pazakontë është në fakt tempizmi me të cilin ai krijoi faktet. Që në dhjetor kleri sicilian deklaroi se donte të ndërtonte një vend të shenjtë për portretin. Baranzini fliste hapur për faktin që Sirakuza do të mund të bëhej një prej destinacioneve kryesorë të pelegrinazhit Marian, si Lourdes apo Fatima.

Edhe Vatikani mbeti i impresionuar nga dokumentimi shterues që iu bë këtij rasti. Apo nga presionet e Baranzinit, që tashmë nuk lejonin më të bëje hapa pas. Në tetor 1954 Papa Piu XII shpalli zyrtarisht si mrekulli lotimin e Madonës së Sirakuzës.

Politika romane e mrekullive u përball shumë shpejt me një rezistencë të fortë në brendësi të radhëve të saj. Me kalimin e shekujve, kleri shpesh herë është ankuar për padenjësinë intelektuale të kësaj strategjie, të predispozimit të saj për mashtrim, për ambicien dhe lakminë e karakterit profan.

Në vitin 1955 një prift shkruante se këmbëngulja me të cilën Madona shfaqet kohët e fundit është shkatërrimtare, madje është i bindur që “shfaqjet e Madonës, që tani bëjnë shumë zhurmë, nuk janë të Madonës, domethënë të Zotit”.

Në konkurencën protestante, që nuk njeh rregulla, pasioni për të “pabesueshmen” jep frute të tjerë. Që nga shekulli XVIII disa teologë të iluminuar likuidojnë madje edhe mrekullitë e Jezusit si mashtrime, madje vetë ringjalljen si “marrëzi universale”. Por, në brendësi të komuniteteve, ky mendim nuk ka ngjitur asnjëherë, përkundrazi, sidomos tek ata evangjelistë amerikanë, një degë e protestante vecanërisht besnike ndaj Biblës.

Këtu, me efekte publicitarë më efikasë se kurrë, dëbohen demonët, shërohen të sëmurët, pretendohet të merren përgjigje për lutjet. Si funksionon? Shumë edukativ nga këndvështrimi psikologjik është ajo që thotë antropologia Tania Luhrmann në studimin e saj mbi Vineyard Christian Felloëship of Sarah, në Palo Alto, California. Disa vite më parë, Sarah po shëtiste me disa bashkëdishepuj, e lumtur, plot entuziasëm, kur mbetjet e një zogu bien mbi këmishën e saj: “Zoti më ka dhënë një shuplakë” sepse ndihem e pavarur, interpreton Sarah.

Glasa zogu si ndërhyrje hyjnore. Pa kontrollin e një autoriteti eklesiastik, besimi në mrekullitë bie shpesh në qesharaken. Duke zbuluar kështu një strukturë paranojake. Besimtari sheh atë që do të shohë, dhe më saktë në lidhje logjike superiore, duke anuluar gjithë pjesën tjetër. Si për shembull, që Zoti i Sarah vihet për të korrigjuar humorin e saj, por nga ana tjetër shfaqet krejt i pandjeshëm ndaj genocidit që ndodh pothuajse në të njëjtën kohë në Darfur.

Përkime dhe numra të mëdhenj

Shembulli zbulon një vetëdije të spikatur të vetvetes. Mund të shërbejë për të kompensuar atë “pafuqi nariziste” diagnostikuar nga Zigmund Frojdi për njeriun modern, i vetëdijshëm që është Toka që rrotullohet rreth Diellit dhe jo e kundërta, që specia jonë nuk është unike, biologjikisht është kushëri i majmunit, që as edhe intelekti ynë nuk reagon dhe vendos i lirë, por manipulohet nga e nënvetëdijshmja.

Kur flet për mrekullitë, sipas Frojdit, njeriu rebelohet ndaj mungesës së rëndësisë së vetvetes. Në një univers të ndërtuar prej forcave, ligjeve dhe probabiliteteve fizikë, asgjë tjetër.

Në interpretimin e Sarah manifestohet një reagim mbrojtës. Dhe besimi i saj është një rast i izoluar, por ilustron një kategori të tërë fenomenesh të shpjeguar si “të mbinatyrshëm”, sipas të njëjtit parim. Ky parim funksionon sipas “rregullit të numrave të mëdhenj”. E njëjta gjë vlen për “ndjesinë e vdekjes”. Dikush mendon për një të njohur, dhe pak minuta më vonë i vjen një telefonatë për t’i thënë se ai ka vdekur. Një përkim tronditës.

Por psikologu kalifornian Michael Shermer ka përllogaritur që, duke konsideruar afro 300 milionë banorët në SHBA, ky përkim mund të verifikohet 77 herë në ditë. Edhe për shpëtimet prej mrekullive, skenari është i ngjashëm. I varrosuri për së gjalli i nxjerrë i paprekur pas disa ditësh, fëmija i mbijetuar pasi ka rënë nga kati i gjashtë, supersticioni për një tragjedi ajrore: bëhet fjalë për një shoqërim të pamundur të ligjeve kompleksë të natyrës që, duke konsideruar numrin në rritje të aksidenteve të përditshëm, verifikohet me një probabilitet të caktuar.

Pastaj i takon vëzhguesit të zgjedhë mes ndërhyrjes hyjnore apo matematikës, pro apo kundër një legjende domethënëse. Duke marrë parasysh që ndjesia e lumturisë dhe prirja e njeriut për të perceptuar mbijetesën e tij në mënyrë më të thellë se sa vdekjen e tjetërkujt, flasin në favor të mitit.

Shuarjet spontane

Çështja ndërlikohet kur bëhet fjalë për shërimet e mrekullive. Mjekësia klasike prej kohësh i ka klasifikuar si produkt i diagnozave të mëparshme të gabuara.

Në ndërkohë disa studiues të afirmuar kanë pranuar, përtej efekteve psikosomatikë dhe qetësuesve, edhe të ashtuquajturat “shuarje spontane”: një i sëmurë me kancer në 60-100 mijë shërohet pa asnjë lloj shpjegimi shkencor. Nuk mund të flitet për shpërblim të besimit: mes pelegrinëve në Lourdes përqindja nuk është më e lartë. Dhe studimet e lidhjes mes lutjeve dhe shërimeve nuk ofrojnë prova bindëse.

Shërimet spontanë nuk janë provë e ekzistencës së Zotit, më shumë provojnë se sa e paplotë është ende dija jonë për sëmundjet dhe shërimet. E anasjellta, nuk mund të përjashtohet eventualiteti i një shërimi për mrekulli deri sa mjekësia nuk gjen një përgjigje më të mirë. U takon teologëve që të shpjegojnë vullnetin e Zotit.

Shkenca nuk ka asgjë për të thënë kur bëhet fjalë për çështje të mbinatyrshme. Ky të paktën është mendimi i përhapur edhe mes studiuesve jo fetarë, hedhur poshtë me vendosmëri edhe nga ateistë me bindje si Richard Daukins, biolog i famshëm evolucionist. Daukins e konsideron çdo spekulim metafizik si irracional, të pamotivuar dhe të dëmshëm, një nënprodukt fatal të evolucionit njerëzor.

Të tjerë teoricienë prezumojnë se fillimisht shoqëritë njerëzore kishin arsye të forta për të zhvilluar praktika magjike, mëkat që në vijim këta avantazhe u transformuan në disavantazhe. Disa studiues të funksioneve cerebralë janë në kërkim të një „ndjesie të hyjnores“ e programuar gjenetikisht, që e lidhur me përjetime individualë mund të shpjegojë shtytjen kokëfortë për fenë: vizionet e mrekullive përshkruhen si një lloj defekti neuronal. Psikologët, nga ana e tyre, kanë konstatuar një lidhje mes fëmijërisë traumatike, arratisë në një botë fantastike dhe ndjeshmërisë për fenomene paranormalë, që bën që edhe persona jofetarë të besojnë tek UFO apo fenomene psikikë. Këto qasje kanë prirjen të transformojnë në patologji tendencën e besimit tek mrekullitë; Pfaller zgjedh një tjetër perspektivë. Filozofi përshkruan nga njëra anë një „fetishist“ jo fetar që beson në mrekullitë, nga ana tjetër një paranojak: ndërkohë që paranojaku që beson në mrekullitë pëlqen të shfaqet disi i papërshtatshëm pra i veçantë, në sytë e bashkëkohësve, fetishisti argëtohet duke luajtur me të çuditshmen. Ose: përballë një përditshmërie të parashikueshme dhe të rregulluar në çdo detaj, e pazakonshmja, sensacionalja dhe stimuluesja. Iluzioni gudulisës që ka dicka më shumë, diçka më argëtuese se sa normaliteti gri. Fetishisti nuk kërkon kuptimin, por një diversion. Diku mes këtyre dy poleve duhet të lëvizë masa që beson në mrekullitë.

Robert Pfaller nuk sheh bumin e mrekullive si një shenjë force por si simptomë të krizës së fesë së institucionalizuar, shenjë që menaxhimi i rregullt nuk kënaq më besimtarët, që hierarkia ka humbur autoritet.

Në 1953, në Sirakuzën tonë, kardinali Baranzini menaxhoi me aftësi mrekullinë e tij të lotimit, për të rimiqësuar fenë. 4 vite pas ngjarjes erdhën projektet për ndërtimin e altarit të Madonës së Lotëve, një strukturë monumentale 103 metra e lartë, në gjendje të mbajë 17 mijë vetë. Pa u shqetësuar nga gjithë prognozat për braktisjen, ajo shpall se besimi tek mrekullitë jo vetëm ka mbërritur deri në epokën moderne, por në të triumfon.

Sot, vendi i shenjtë duket me dimensione të tepërt, jashtë kohe. Pavarësisht asaj që ndodh në Via dei Orti, mrekullia e një fluksi të vërtetë dhe të madh pelegrinëzh nuk u vërtetua. Sirakuza nuk arriti të zërë një vend në radhëtë parë mes destinacioneve të pelegrinazhit.

Ndoshta sepse mrekullia e Baranzinit ishte shumë e lidhur me kohën, me Luftën e Ftohtë. Apo sepse teologët si Bultmann kishin të drejtë: nëse Zoti ekziston, ai është shumë më lart se lojërat e pushtetit. /Il Venerdi/

PERSHTATUR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button